Në rajonin e komunës së Likovës po mbretëron një situatë e qetë, por me një prani më të shtuar policore.
Incidenti i djeshëm në zonën kufitare Maqedoni – Kosovë kur një grup i armatosur mori nën kontroll postën kufitare policore në fshatin Goshincë ka shtuar tensionet dhe mëdyshjet tek qytetarët se çfarë në të vërtetë po ndodhë, duke qarkulluar informacione kontradiktore.
Policia theksoi se bëhet fjalë për një atak terrorist ndaj institucioneve të sigurisë dhe se ajo është në kërkim të personave që kanë ndërmarrë sulmin dhe kontrollin e postës, e cila u la e lirë pas disa orëve.
Lidhur me këtë sulm dje organizatë e thirrur në UÇK përmes një komunikate shpërndarë mediave mori përsipër kryerjen e këtij sulmi, por duke mos dhënë detaje dhe zbuluar identitetin e tyre.
Situata po vazhdon të nxis kurreshtje dhe pikëpyetje të ndryshme. Dy partitë e koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI kanë dhënë komente dhe vlerësime kontradiktore mbi incidentin. VMRO këtë akt e quajti sulm terrorist, derisa BDI ka theksuar se sulmi dëmton agjendën e shqiptarëve dhe kërkon siguri dhe izolimin e këtyre grupeve edhe përmes aktiviteteve rajonale, duke nënkuptuar Kosovën. Partia opozitare maqedonase LSDM ka akuzuar se incidenti është skenar i pushtetit me qëllim shmangien e pushtetarëve nga përgjegjësia penale, pas aferës së pëgjimeve për skandale korruptive dhe kriminale.
“Skenari i paguar dhe i përgatitur mediatikisht i pushtetit për nxitjen e mos tolerancës ndër-etnike dhe shpikja e armiqve dhe sulmeve, janë përgjigjja dhe vendi i kërkimit të përgjegjësisë për gjithçka që ndodh dhe që mund të ndodhë”, deklaroi nënkryetarja e LSDM-së, Frosina Remenski.
Derisa po vazhdojnë reagimet, njësitet speciale dhe forcat e rregullta policore me jelekë antiplumbë dhe kallashnikovë po patrullojnë në një hapësirë me perimetër prej 15 kilometrave në këtë zonë që është disa kilometra nga kufiri me Kosovën.
Zona kufitare vazhdon të ndiqet edhe nga helikopterë të policisë, ndërsa nga orët e para të mëngjesit në terren janë edhe ekipet e OSBE-së. (INA)