Qytetarët janë unik në vlerësimin se Marrëveshja e Ohrit nuk është zbatuar si duhet, 14 vjet nga nënshkrimi i saj. Megjithatë, qytetarët shprehen të ndarë rreth idesë nëse duhet ose jo një marrëveshje të re. Disa thonë që të vazhdohet zbatimi i marrëveshjes aktuale, disa thonë se duhet rishikuar ideja për marrëveshje të re.
“Aspak nuk zbatohet Marrëveshja e Ohrit shihe çka vuan populli, rihen, keqtrajtim, nuk punësohen, ikin të rinjtë, ajo është Marrëveshje e Ohrit? Ndërsa partitë politike tona flenë. Po, po duhet të ketë marrëveshje të re, le të mblidhen liderët politik dhe le ta vendosin atë njëherë e përgjithmonë e jo gjithmonë të kemi mosmarrëveshje. Përse?”.
“Unë nuk jam shumë pas politikës megjithatë vlerësoj se së pari duhet të zbatohet ajo, ndërsa marrëveshje e re nuk vlerësoj se nevojitet. Fillimisht ajo që është nënshkruar, të realizohet e më pas të shkohet në një variant tjetër nëse veç më duhet”.
“Duhet ngadalë sepse nevojitet kohë për gjithçka. Mendoj se duhet të zbatohet ajo që është nënshkruar. Çdo popull kërkon megjithatë ajo nuk mund të bëhet brenda natës, nevojitet kohë për gjithçka.”
“Marrëveshja e Ohrit ka qenë e mirë, ka pasur baza për avancimin e të drejtave të shqiptarëve edhe barazimin deri diku të shqiptarëve në Maqedoni. Sa më tepër që kalon koha, në vend që të avancohet çështja e shqiptareve ajo ngec edhe pse ngec fajtori duhet të kërkohet te ata që duhet ta zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit”.
“Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua por rezultat s’ka asgjë. Ajo po pret veç me forcë me sjell rezultat, me forcë nuk i përket njerëzisë dhe atëherë është kështu populli nuk e di kah udhëzon e ka udhëton po ka nevojë për marrëveshje të re por më tepër ka nevojë për me vendos si burrat po po, jo jo”.
“Marrëveshja e Ohrit nuk është zbatuar në asnjë pikëpamje, prandaj situata është shumë e vështirë. Ka shumë të papunë edhe pse thuhet se ka punësime prandaj edhe gjendja materiale e qytetarëve është e vështirë”.
“Fajtorë janë të dyja palët pasi Marrëveshja e Ohrit duhej të zbatohej më herët… Po ashtu të zgjidheshin edhe marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni. Ky problem duhet të zgjidhet sa më shpejt që të ketë qetësi në Maqedoni”.
Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua më 13 gusht të vitit 2001 duke i dhënë fund konfliktit të armatosur. Zbatimi i saj, edhe pse duhej të përfundoj për katër vjet, megjithatë vazhdon të zvarritet dhe të keqpërdoret nga politika.
Gjyltene Rexhallari