Partitë politike në pushtet deklarohen se i mbështesin, bëhen sikur kanë haruar që vetë ata janë përgjegjës!
Çmimet por edhe cilësia e produkteve duhet të kontrollohet nga shteti! Se shumë tregtarë manipulojnë me cilësinë dhe i ofrojnë produktet me çmim më të lirë!
Të zemëruar nga rritja e vazhdueshme e çmimeve, qytetarë të disa vendeve të Ballkanit Perëndimor u ftuan t’i bojkotojnë më 31 janar blerjet në disa dyqane të mëdha ushqimore.
Nisma u ndërmor fillimisht në Kroaci, më 24 janar, dhe rezultoi me rënie prej më shumë se 50% të shitjeve në të gjithë vendin.
Pas thirrjes së përfaqësuesve të konsumatorëve, kroatët nisën më 30 janar edhe një aksion të ngjashëm, por që do të zgjasë një javë.
Në shënjestër të bojkotimit janë disa zinxhirë të mëdhenj tregtarë, për shkak të dyshimeve se çmimet e tyre nuk përputhen me ato në vendet e tjera të BE-së.
Thirrje për bojkotime të ngjashme – kryesisht nëpër mediat sociale – u bënë edhe në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Përgjigje pozitive ato morën në Serbi, Maqedoni të Veriut, në Mal të Zi, në Bosnje e Hercegovinë dhe në Slloveni.
Në Kosovë dhe në Shqipëri nuk pritet ndonjë aksion i organizuar.
Kjo, edhe përkundër faktit se çmimet e ushqimeve në Kosovë kanë shkuar duke u rritur, viteve të fundit.
Maqedoni e Veriut: “Çmimet janë shumë të larta”
Në Maqedoninë e Veriut, Sasho Ristoski thotë se rritja e çmimeve po rëndon jetesën, veçanërisht për pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta.
“Po, po, kam dëgjuar për bojkotimin dhe do ta mbështes, sepse çmimet janë shumë të larta. Me këto çmime që kanë vënë marketet, nuk mund të mbijetosh”, thotë ky banor i Shkupit për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, produktet bazë, të cilat kërkohen më shumë, janë ndër më të shtrenjtat.
“Thuajse të gjitha produktet e mishit, qumështi, vaji, sheqeri… Ne me të ardhura më të ulëta, mezi arrijmë ta përballojmë muajin”, shton pensionisti.
“Do t’i bojkotoj marketet nëse nuk kam para, por nëse më duhet bukë, do të shkoj ta blej”, thotë Lile Silanovska, po ashtu nga Shkupi.
Sipas analizave të Rrjetit të Biznesit, shtatë zinxhirët më të mëdhenj të tregut në Maqedoninë e Veriut gjeneruan të ardhura prej 930 milionë eurosh gjatë vitit 2023.
Në krye të listës është Vero, i cili regjistroi fitime mbi 10 milionë euro – një rritje prej gati 13% krahasuar me vitin paraprak. Në vend të dytë u rendit Kam Market me fitime neto prej 7.3 milionë eurosh. Në mesin e kompanive më fitimprurëse është edhe Kipper, me 5.5 milionë euro fitim, i ndjekur nga Stokomak me një fitim prej 4 milionë eurosh.
Por, me këtë nuk pajtohet një qytetar i Tetovës.
“Qeveria të përkrahë bojkotime të bizneseve, është skandal. Ajo duhet të marrë masa, duhet të japë subvencione – nëse ka nevojë – për qytetarët. Rrogat duhet të rriten, standardi duhet të rritet, normalisht që ka inflacion edhe në Maqedoninë e Veriut. Bojkotimi nuk është zgjidhje. Gjithashtu edhe cilësia e produketeve duhet të kontrollohet, diku çmimet janë më të lira, por në dëm të cilësisë!
Me bojkotim kërkojnë ulje çmimesh edhe në Mal të Zi
Shumë qytetarë, organizata joqeveritare dhe të punës në Mal të Zi bënë thirrje për bojkotimin e rrjeteve të mëdha tregtare, më 31 janar, për shkak të, siç thanë, çmimeve jashtëzakonisht të larta të ushqimeve bazë.
“Mos blini asgjë atë ditë, në mënyrë që së bashku t’u dërgojmë një mesazh të fortë tregtarëve”, thuhet në një nga iniciativat, që u shpërnda në mediat sociale në fillim të kësaj jave.
Në Mal të Zi, inflacioni nga viti 2021 deri në vitin 2024 ishte 30.5 për qind, ndërsa çmimet e ushqimeve u rritën deri në 41 për qind, sipas të dhënave nga Enti i Statistikave në këtë vend.
Në anën tjetër, zinxhirët tregtarë, gjykuar nga deklaratat tatimore, shënuan rritje prej 40 deri në 50 për qind të qarkullimit në vitin 2023, krahasuar me vitin 2021.
Shumica e qytetarëve me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë në Podgoricë, thonë se çmimet aktuale janë të papërballueshme.
Edhe pse është dakord me bojkotimin, Ana nuk është e sigurt se vetëm një protestë do të sjellë rezultat të dëshiruar.
“Është bërë situatë e papërballueshme. Bojkotimi mund të jetë hapi i parë, por vetëm protestat e shpeshta mund të kenë ndikim të vërtetë”, sipas saj.
Bojani është një nga ata që nuk do të marrë pjesë në aksion, për faktin se, siç thotë, ai është mbështetur nga kryeministri.
“Ai [Spajiq] po e pranon se shteti është i pafuqishëm. Nuk besoj në asgjë që thotë kryeministri”, thotë Bojani.
Kryeministri Spajiq tha se i kupton qytetarët që do t’i bojkotojnë blerjet.
“Një shtet është i fuqishëm aq sa qytetarët e tij janë të lirë dhe të fuqishëm”, shkroi Spajiq në rrjetin X.
Mesa duket, Spajiq nuk e kupton se ai është kryeministër dhe se është përgjegjësia e tij për të zgjidhur problemin e inflacionit, tha në anën tjetër Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) në opozitë.
“Këtë nuk mund ta arrini me bojkotim populist, por me politikë serioze ekonomike”, tha DPS-ja.
Një ditë para bojkotimit, Qeveria e Spajiqit mori vendim për të vazhduar fushatën “Çmime të kufizuara”, e cila parasheh fiksimin e çmimeve të produkteve të caktuara – çfarë do të thotë se tregtarët nuk mund t’i rrisin ato.
Por, Unioni i Sindikatave të Lira në Mal të Zi konsideron se kufijtë e çmimeve nuk janë të mjaftueshëm, ndaj u bëri thirrje anëtarëve të tij që të marrin pjesë në bojkotim, më 31 janar.
Edhe në Serbi, Bosnje e Hercegovinë, Slloveni…
Pas aksionit të suksesshëm në Kroaci, edhe në Bosnje e Hercegovinë janë shpërndarë thirrje nëpër rrjetet sociale për bojkotimin e dyqaneve, pikave të karburantit, kafeneve dhe restoranteve, më 31 janar.
“Kjo është një mënyrë për të treguar pakënaqësinë tonë me rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë, ndërkohë që pagat e qytetarëve mbeten të ulëta”, thuhet në një nga mesazhet e shpërndara në rrjetet sociale.
Thirrje të ngjashme për bojkotin e supermarketeve më 31 janar u bënë edhe në Serbi.
Në Slloveni, ndërkaq, është duke u zhvilluar bojkotimi i blerjeve në disa qendra tregtare dhe supermarkete.
Aksioni raportohet se do të zgjasë deri më 2 shkurt.