Shtetet e Bashkuara dhe BE e kuptojnë veton ndaj Maqedonisë, thonë presidenti bullgar Rumen Radev dhe nënpresidentja bullgare Iliana Jotova, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Radev thotë se gjatë të gjitha takimeve dhe bisedimeve me partnerët në Evropë dhe SHBA, të zhvilluara ditët e fundit, por edhe më parë, ka mbrojtur veton e Bullgarisë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme të kemi komunikim me të gjithë liderët e BE-së, me partnerët tanë strategjikë nga Shtetet e Bashkuara, me të gjitha institucionet evropiane për të gjetur një zgjidhje qartësisht të qëndrueshme dhe të pakthyeshme”, tha Radev, transmeton “BNR”.
Jotova shprehu zhgënjimin me rezolutën e Parlamentit Evropian të miratuar sot, e cila kërkon fillimin e negociatave me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërinë për anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian.
“Kur është fjala për presionin, le të jetë për vendin që dëshiron të anëtarësohet në BE, jo për vendin që është pjesë e BE-së për kaq shumë vite”, tha Jotova.
Bullgaria nuk ka ndryshuar deri tani qëndrimin e saj dhe nuk do të lejojë që Maqedonia e Veriut të fillojë negociatat me BE-në. Deri më tani, Bullgaria e ka bllokuar vazhdimisht Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt BE-së. Nuk i krijojnë probleme Shqipërisë për të nisur negociatat.
Telegrafi