Radev: Maqedonasit, shpikje e Internacionales Komuniste

RadevPresidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, ka deklaruar se identiteti maqedonas është shpikur nga Internacionalja Komuniste dhe se gjatë “diktaturës jugosllave” në Maqedoninë e Veriut, sipas tij, dhjetëra mijëra bullgarë janë dërguar në kampet e përqendrimit.

“Është koha që ideologjia anti-bullgare, e cila po lulëzon në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe padyshim që i helmon marrëdhëniet tona dhe e dëmton qëllimisht rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian, të mbetet në të kaluarën. Përpjekja e politikanëve maqedonas për të ndërtuar një identitet të bazuar në falsifikimet e Internacionales Komuniste, dhe jo në të vërtetën historike, është në kundërshtim me interesat e qytetarëve maqedonas që me të vërtetë dëshirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Radev në një konferencë për media në Sofje.

Deklarata e kreut të shtetit bullgar vjen pas përplasjeve mes Shkupin lidhur me Vanço Mihajllovin, një personalitet nga e kaluara, që kontestohet nga zyrtarët maqedonas, pasi sipas tyre, Mihajllovi ishte “fashist” që ka luftuar për asimilimin e maqedonasve në Bullgari.

Tensionet u ngritën pasi të shtunën, më 16 prill, në qytetin e Manastirit në Maqedoninë e Veriut u hap një klub kulturor bullgar me emrin e tij, ndërsa në hapje mori pjesë edhe kryeministri bullgar, Kiril Petkov.

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, deklaroi të enjten se hapja e klubit bullgar në Manastir me emrin e Vanço Mihajllovit ishte një provokim serioz nga pala bullgare.

“Për sa i përket asaj që ndodhi të shtunën, nuk është gjë tjetër veçse një provokim sepse zgjon shpirtrat e së shkuarës. Ai është një person që ka qenë bashkëpunëtor i Gjermanisë së Hitlerit dhe i Italisë së Musolinit dhe i Ante Paveliqit dhe që nuk mund të kontribuojë aspak si një person që mund të jetë urë për të ardhmen, për miqësinë mes dy popujve dhe si një urë për rrugën evropiane të shtetit”, tha Kovaçevski.

Ndërkohë, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka hedhur poshtë pretendimet e presidenti bullgar, Rumen Radev, se “në llogoret e përqendrimin në Luftën e Dytë Botërore janë dërguar dhjetëra-mijëra persona ku janë vrarë për shkak se janë deklaruar si bullgarë”.

“Nuk ka asnjë burim të vetëm historik përkatës që do të konfirmonte se në atë kohë në kampet e Maqedonisë janë vrarë 10,000 njerëz. Asnjë burim, as në historiografinë bullgare, as maqedonase dhe as në atë botërore. Diçka që mund të hyjë në përkufizimin e kampeve të përqendrimit në kohën e ish-Jugosllavisë ekziston vetëm në Goli Otok. As atëherë dhe as sot në territorin e Maqedonisë nuk ka pasur kampe. Shifra prej 10,000 të vrarëve të dyshuar është një gënjeshtër. Është një konstruksion i zhveshur për qëllime politike”, ka deklaruar Pendarovski.

Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së, në nëntor të vitit 2020 ka përdorur veton për të bllokuar Maqedoninë e Veriut për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit evropian. Sofja konteston gjuhën dhe identitetin maqedonase duke kërkuar nga Shkupi që të pranojë “rrënjët bullgare” në identitetin e tyre. Bullgaria gjithashtu kërkon respektimin e të drejtave të bullgarëve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut duke kërkuar përfshirjen e tyre në kushtetutën e këtij vendi, si popull shtetformues.

Lexo edhe

flamuj bgThellohet kontesti Shkup – Sofje

Maqedonia e Veriut, bazuar në zhvillimet fundit me Sofjen sa i përket kontestit lidhur me të kaluarën historike, por edhe polemikat së fundi pas hapjes së një qendre kulturore bullgare në qytetin e Manastirit, ka fare pak gjasa që në qershor të nisë negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

Këtë e ka bërë të ditur edhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, duke komentuar deklaratat e zyrtarëve bullgarë se Sofja ka refuzuar propozimin e fundit për zgjidhjen e kontestit, për përmbajtjen e të cilit opinioni ende nuk është njoftuar në detaje.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme kanë njoftuar se bëhet fjalë për një propozim të Portugalisë, gjatë presidencës së këtij vendi me BE-në, që nuk cenonte gjuhën maqedonase dhe që garantonte zbatimin e Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë, të arritur më 2 gusht të vitit 2017.

Pavarësisht kësaj, Osmani ka thënë se përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet të dyja vendeve do të vazhdojnë, pasi përveç BE-së, s’ka alternativë tjetër për Maqedoninë e Veriut.

“Unë nuk them se bisedimet do të nisin në qershor. Por, unë them se ne duhet të punojmë pasi nuk kemi alternativë tjetër. Ne, mund të heqim dorë nga bisedimet, siç bëmë me Greqinë para 15 vjetëve, që t’i humbim 15 vjet dhe sërish të ulemi dhe të bisedojmë. Ne, duhet të kishim mësuar nga e kaluara. Ne nuk guxojmë të heqim dorë, do të vazhdojmë me bisedimet dhe asgjë nuk do të shkojë në dëm të interesave të qytetarëve tanë. Çfarëdo që mund të arrihet do të jetë në kornizat e deklaratës së miratuar në Kuvend”, ka deklaruar Osmani.

Sa i përket hapjes së qendrës kulturore bullgare në qytetin e Manastirit e që do të mbajë emrin e Vanço Mihajllovit, një personaliteti historik bullgar, që kishte luftuar përkrah fashistëve në Luftën e Dytë Botërore dhe që ishte angazhuar për dy shtete (Bullgarinë dhe Maqedoninë) dhe një popull bullgar, Osmani ka thënë se bëhet fjalë për një provokim nga Sofja për të krijuar alibi, sipas tij, se Maqedonia e Veriut nuk respekton të drejtat e bullgarëve.

“Për ne ishte shumë me rëndësi që të mos biem në kurth të kësaj alibie që të marrim vendime, të cilat mund të rrënonin politikën tonë të shprehjes së lirë të qytetarëve sa i përket bindjeve të tyre mbi të kaluarën e kështu me radhë”, ka thënë Osmani.

Por, opozita vlerëson se Qeveria maqedonase me lejimin e hapjes së një qendre kulturore me emrin e personalitetit të kontestuar, i ka lejuar Sofjes që në territorin e Maqedonisë së Veriut të kontestojë shtetin dhe popullin maqedonas.

Sipas VMRO DPMNE-së, Qeveria bullgare nuk është e interesuar për zgjidhjen e kontestit.

“Qeveria bullgare, me mënyrën dhe qasjen e saj ndaj problemit me Maqedoninë[e Veriut], punon kundër arritjes së zgjidhjes së kontestit dhe në këtë mënyrë amniston veten nga përgjegjësia që ka ndaj institucioneve evropiane. Me një politikë të tillë, bullgarët vazhdojnë ta mohojnë popullin dhe shtetin maqedonas”, thotë Gjorgjia Sajkoski, sekretar i përgjithshëm i VMRO DPMNE-së.

Risto Nikovski, njohës i çështjeve ndërkombëtare nuk pret që të ketë një zgjidhje të kontestit meqë, sipas tij, sikur Bullgaria të dëshironte një gjë të tillë, në këtë rast do të mjaftonte Marrëveshja për Fqinjësi të Mirë.

“Situata është shumë absurde. Ne kemi marrëveshje për miqësi që po del të jetë marrëveshje për armiqësi, për mosbashkëpunim dhe jo fqinjësi në bazë të së cilës Bullgaria ka vendosur bllokadë. Nëse do të kishte vullnet të mirë nga Qeveria bullgare, kjo marrëveshje do të mjaftonte që dy vendet fare të mos kenë kontest”, ka thënë Nikovski.

Në nëntor të vitit 2020, Bullgaria i ka vendosur veto Maqedonisë së Veriut për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE. Heqjen saj kushtëzon me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për çështjet e identitetit të maqedonasve, të kaluarën historike mes dy vendeve dhe së fundi me të drejtat e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut.

rel

Ndoshta do ishte mirë që “historianët” shqiptarë në vend të çajtoreve  dhe muhabeteve, ti përmendin Presidentit, së paku “Manapollin” e Tetovës  ku u vranë shqiptarët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>