Në raportin më të fundit të “Freedom House” për liritë në botë, Maqedonia ka shënuar rënie të lirive si pasojë e parregullsive zgjedhore të 2014-ës, që nxitën bojkotin e punës së kuvendit nga opozita. Sipas këtij raporti, Maqedonia nuk bën më pjesë në kategorinë e vendeve që organizojnë zgjedhje të lira dhe demokratike.
“Maqedonia ka shënuar rënie të lirive si pasojë e parregullsive zgjedhore të vitit 2014, që nxitën bojkotin e punës së parlamentit nga opozita dhe pas informatave rreth përfshirjes masive te pushtetit në përgjimin e liderëve politikë, religjiozë, gazetarëve dhe qytetarëve”, thuhet në Raportin e “Freedom House”.
Maqedonia mbetet në kategorinë e vendeve pjesërisht të lira, grup ky në të cilin gjenden edhe Shqipëria, Kosova, Bosnja dhe Mali i Zi.
“Partia qeverisëse në Maqedoni ishte përfshirë në mashtrime zgjedhore dhe skandalin e përgjimeve masive, duke acaruar marrëdhëniet me opozitën gjë që nxiti ndërhyrjen e Bashkimit Evropian për organizimin e zgjedhjeve në vitin 2016”, theksohet në Raportin e “Freedom House”
Në raportin e fundit të organizatës amerikane “Freedon House” thuhet se gjatë vitit 2015 bota në përgjithësi është përfshirë nga një valë e ksenofobisë edhe atë shtetet demokratike. Ky është raporti i dhjetë me radhë i “Freedom House” në të cilin vlerësohet se në suaza globale të drejtat dhe liritë kanë shënuar rënie.
Valmir Kuçi