Në Gjykatë u ballafaquan prokurorët dhe të akuzuarit e rastit ‘Lagja e Trimave’. Prokuroria pohon se ka dëshmi për 29 të akuzuarit se janë fajtor për veprën penale “terrorizëm dhe pjesëmarrje në organizatë terroriste”.
Të akuzuarit e mohojnë këtë dhe u deklaruan të pafajshëm. Në seancën e parë prokurori Naum Panovski shkurtimisht shpjegoi aktakuzën.
Sipas dëshmive të hetimit, grupi para- ushtarak ka qenë i ndarë në tre nivele hierarkike. Në nivelin e parë ka qenë struktura e komandës, në nivelin e dytë logjistika dhe në të tretin anëtarë të organizatës. Në kryesinë e grupit kanë qenë shtetas të Kosovës ndërsa logjistikën e kanë përbërë shtetas të Maqedonisë. Sipas akuzës, para ngjarjeve të Kumanovës më 21 prill grupi e ka sulmuar stacionin policor në Gushincë dhe prej atje është marrë sasia e madhe e armatimit dhe më pas sulmuesit e maskuar kanë ikur në Kosovë. Prokurori nuk shpjegoi se si pastaj të akuzuarit janë kthyer në Maqedoni dhe cili ka qenë motivi i tyre, por vetëm e përshkroi atë çfarë ndodhi natën mes 8 dhe 9 majit.
Njësiti për detyra speciale mori urdhër gjyqësor të kryej bastisje në një shtëpi në Lagjen e Trimave në Kumanovë ku ka pasur dyshim se është deponuar armatimi i Gushincës, por nuk kanë arritur të hyjnë sepse janë ballafaquar me rezistencë të armatosur nga të akuzuarit. Të shtënat me armë kanë vazhduar 24 orë ku u vranë tetë policë dhe 44 u lënduan.
Nga pala tjetër, u likuiduan dhjetë persona. Prokurori tha se ka dëshmi se aksioni është përgatitur një kohë më të gjatë dhe se të akuzuarit me paramendim direkt kanë marrë pjesë në ngjarje. Nga ana tjetër 29 personat u deklaruan të pafajshëm. Disa nuk mohuan se kanë qenë pjesë e grupit të akuzuar, por thanë se nuk janë terroristë. Të tjerët, pohojnë se nuk kanë qenë aspak në Gushincë e as në Lagjen e Trimave.
Avokatët shprehen të bindur se e vërteta është në anën e të akuzuarve dhe se në këtë rast nuk bëhet fjalë për terrorizëm e as për organizatë terroriste. Në fillim të gjykimit mbrojtja kërkoi që seanca të mos mbahet, pasi avokatët kanë dorëzuar kërkesë deri te Këshilli i Prokurorëve Publik për përjashtimin e Prokurorisë themelore publike ndërsa rastin ta merr përsipër prokurorja speciale Katia Janeva.
Por, Këshilli gjyqësor refuzoi kërkesën me sqarimin se deri më tani nuk ka vendim që rasti Lagja e Trimave të kaloj te prokuroria speciale.
Maja Jovanovska