Në raportin për Maqedoninë e Veriut, Komisioni Evropian nënvizon arritjet dhe reformat e këtij vendi në fushën e gjyqësorit, ndërkohë që kërkon vazhdimin e angazhimeve në luftën kundër korrupsionit.
Zyrtarët e lartë të BE-së Mogherini dhe Hahn thanë se rekomandimi për çeljen e negociatave me Maqedoninë e Veriut “është i pastër si kristali”.
Autoritetet shtetërore maqedonase prisnin që raporti i Komisionit Evropian të rezultojë me rekomandim për fillimin e negociatave, por në Shkup ende ka pasiguri nëse data do të merret në qershor apo në vjeshtë.
Federica Mogherini dhe Johannes Hahn, ndërkaq theksuan arritjet dhe reformat e dy vendeve të Ballkanit perëndimor dhe rekomandimin e tyre Këshillit të Evropës mbi bazë të meritave individuale, ndërkohë që sipas zyrtarëve të lartë evropian vendimi pozitiv do të sillte dhe do të shtonte qëndrueshmërinë në këtë pjesë të Ballkanit. Zonja Mogherini tha se është dëshira e madhe e popujve për ndryshime të dy vendeve, ajo që ka çuar përpara reformat:
“Parapëlqej të mos e përdor kategorinë ‘shpërblim’ sepse negociimi dhe anëtarësimi në një të ardhme në BE është një proces i bashkimit të një familjeje dhe nuk është një çmim që e fiton, por një proces në të cilin angazhohesh”, tha zonja Mogherini.
“Maqedonia e Veriut është njës shembull ndriçues për vendet tjera dhe është dëshmi për tërheqjen drejt së ardhmes evropiane.
Maqedonia e Veriut, - shtoi Komiisoneri Johannes Hah, -është bërë një shembull i madh i pajtimit dhe i marrëdhënieve të mira fqinjësore për të gjithë rajonin”. Ai përsëriti atë që kishte thënë pak dit më parë se Maqedonia e Veriut është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit që nuk ka konflikt të ndërsjellë me ndonjë prej fqinjëve të saj. “Kjo do të duhej nënvizuar”, tha komisioneri.
Sa i përket zbatimit të reformave, ai nënvizoi forcimin e pavarësisë së gjyqësorit, themelemimin e Komisionit Shtetëror për luftën e korrupsionit dhe reformat në administratën publike, si dhe menaxhimin e mirë të zgjedhjeve të fundit presidenciale.
“Jemi zotuar dhe i kemi premtuar popullit të Maqedonisë së Veriut dhe politikanëve se nëse shënojnë arritje dhe hapin politikat kundrejt vendeve fqinje dhe nëse do të arrinin kompromisin me Greqinë për emrin, do të duhej të shpërbleheshin”, tha raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, deputeti nga Sllovenia, Ivo Vajgël.
“Hetimet dhe gjykimi i rasteve të niveleve të larta duhet të vazhdojë”, tha në Shkup ambasadori i Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar, i cili më pas ua dorëzoi disa prej atoriteteve raportin e Komisionit Evropian.
Ndërkohë, analistët janë dakord me mendimet e raportuesve të Parlamentit Evropian se nëse nuk do të ketë negociata dhe zgjerim, do të humbet besimi i vendeve të Ballkanit për BE-në.
Xhelal Neziri vlerëson se Këshilli i Evropës do të vendosë, nëse jo në qershor atëherë pas pak muajsh hapjen e negociatave.