Mëngjesin e sotëm ekipi i Revizionit të Komunës së Tetovës hyri në Gjimnazin “Kiril Pejçinoviq”. Drejtoresha Teuta Lalla, këtë veprim e quan si presion politik nga ana e kryetarit të komunës, Billall Kasamit. Komuna mohon të jetë presion, pasi revizioni ka hyrë edhe në një shkollë tjetër dhe siç thonë kontrolle do të ketë edhe në shkolla tjera.
Mëngjesin e sotëm, me urdhër nga kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ekipi i Revizionit Komunal u fut në Gjimnazin e Tetovës “Kiril Pejçinoviq”, për të kryer revizion për rregullshmërinë e punës dhe funksionimit të kontrollit të brendshëm për punë për periudhën 2020-2021.
Drejtoresha Teuta Lalla për Portalb, thotë se ky veprim nga ana e Kasamit është presion politik ndaj saj, bazuar në situatat e fundit.
“Sot në orën 10, erdhën përfaqësues nga seksioni për revizion të brendshëm nga ana e Komunës së Tetovës. Në bazë të situatave të krijuara kohëve të fundit unë këtë çështje e marr si çështje presioni direkt nga kryetari i Komunës, kundrejt meje si institucion dhe kundrejt kryetarit të Komunës si organ kompetent në Komunën e Tetovës. Vetëm sollën vendimin nga kryetari i Komunës për të bërë revizionim të brendshëm të çështjeve ekonomike, juridike dhe shumë çështjeve tjera. I amnistoj inspektorët se janë të detyruar ta bëjnë punën e tyre, unë si institucion nuk do t’i pengoj ta bëjnë punën e tyre”, tha Lalla.
Ajo sqaroi që revizioni nesër do të fillojë me punë, ndërsa kjo sipas saj është çështje politike.
“Unë konkretisht do të flas për gjimnazin e Tetovës, pasi në çdo hap veprohet, veprohet politikisht nga njerëz, politikanë që i ka të instaluar brenda përbrenda. E gjithë kjo vjen pas denoncimit tim në polici kundrejt personit Sedat Sulejmani i cili pa status të rregullt juridik kërkon dorëheqjen time në zyrat e Komunës. Nuk kam arsye për tu tërhequr, unë kërkoj që kryetari i Komunës të tërhiqet nga këto veprime politike, të ju qëndrojë fjalëve që i thotë në opinion se nuk veproj politikisht. Të gjitha instalimet në Gjimnazin e Tetovës janë instalime politike”, tha Lalla.
Nga Komuna e Tetovës, Nazmi Dauti- drejtuesi i sektorit të Arsimit tha se kjo është një kontrolle e rregullt e revizionit sipas planit të punës dhe jo presion politik.
“Revizioni Komunal përgatit plan vjetor jo vetëm për kontrolle në shkollat fillore dhe të mesme të Komunës së Tetovës, por të gjitha institucionet ku themelues është Komuna e Tetovës. Revizioni bën kontrolle në bazë të planit vjetor që parasheh kontrolle nëpër institucione të caktuara. Ne kemi për obligim ligjor që të bëjmë kontrolle rutionore në institucionet ku themelues është komuna. Nuk duhet të merret kjo si shtypje apo presion politik nga ana e shkollave pasi nuk do të jetë vetëm gjimnazi ai i cili do të ketë këtë kontrolle, me këta kontrolle do të vazhdohet edhe në shkolla të tjera varësisht nga plani i revizionit komunal”, tha Dauti.
Ai shtoi se kontrolla e parë që nga ndërrimi i pushtetit lokal në Tetovë ka qenë në shkollën Fillore “Naim Frashëri” dhe gjimnazi “Kiril Pejçinoviq” është i dyti. Ndër të tjera ai theksoi se në vitin 2019 revizioni kishte konstatuar disa parregullsi në Shkollën fillore Naim Frashëri te e cila revizion u krye edhe gjatë vitit të kaluar ku disa pika nga parregullsitë figuronin përsëri.
Nga ana tjetër, Llalla akuzoi se edhe për zgjedhjen e dy anëtarëve të këshillit të shkollës ka pasur presion nga ana e komunës.
“Unë jam në gjendje të nxjerr procesverbalet dhe të ballafaqoj me mesazhet. Në datën 10 mars unë kam thirrur kolegjiumin arsimor për të bërë zgjedhjen e anëtarëve të këshillit të shkollës. Dhe në ato momente më vjen mesazhi nga Valedin Ademi (udhëheqës i Njësisë së Arsimit në Sektorin për Veprimtari Publike) që më thotë njerëzit që do ti propozojë profesoresha Hatije Etemi do të jenë njerëzit për në këshill të shkoillës. Profesoresha Hatije Etemi është profesoreshë e cila punon në shkollën tonë dhe njëherë është në instanca të larta politike në Lëvizjes Besa”, tha Lalla.
Ajo tha se ata persona u emëruan në bazë të të gjitha procedurave pasi nuk ka pasur propozime tjera. “Kam fakte dhe mesazhe se i gjithë ky proces është një instalim politik”, tha Llalla.
Portalb kontaktoi profesoreshën Hatije Etemi për t’i komentuar pretendimet e Llallës, ajo u përgjigj kështu:
“Për mesazhe të paverifikuara dhe të deklaruara gojarisht nuk mund të përgjigjem. Le të merren organet kompetente për rastin në fjalë. Nuk kam çfarë të shtoj më shumë.”
Ndryshe, para dy ditëve, dy persona nga Komuna e Tetovës, Sedat Sulejmani dhe Validin Ademi, u denoncuan në polici nga drejtoresha e Gjimnazit “Kiril Pejçinoviq”, Teuta Lalla se i kanë kërkuar të jep dorëheqje nga posti pa asnjë arsye. Sulejmani (ish zëvendësministër i Kulturës. Komuna dhe Kasami i mohuan akuzat por nuk mohuan që Lalla të jetë ftuar në Komunë.
Komuna e Tetovës i mohon akuzat se kanë kërkuar dorëheqjen e drejtoreshës Lalla, por nuk mohojnë se ajo është ftuar në Komunë
Dy persona nga Komuna e Tetovës, Sedat Sulejmani dhe Valedin Ademi, dje u denoncuan në polici nga drejtoresha e Gjimnazit “Kiril Pejçinoviq”, Teuta Lalla se i kanë kërkuar të jep dorëheqje nga posti pa asnjë arsye. Sulejmani (ish zëvendësministër i Kulturës), i kontaktuar nga Portalb.mk nuk deshi të jep deklaratë për rastin në fjalë dhe tha se do njoftohemi nga Komuna zyrarisht, Komuna i mohoi akuzat por nuk mohuan që Lalla të jetë ftuar në Komunë, shkruan Portalb.
Dje kryetari i Komunës, Bilall Kasami tha se nuk është i njoftuar për një rast të tillë dhe e mohoi se dikush mund të kërcënojë dikë deri sa ai është në krye të Komunës. Sot nga Komuna e Tetovës për Portalb thanë se zyrtarisht nuk kanë kërkuar diçka të tillë.
“Personat në fjalë mund të kenë ftuar edhe drejtorë të tjerë ose të punësuar të tjerë nëpër shkollat që menaxhohen nga Komuna, pasi njëri është këshilltar i veçantë i kryetarit në lëminë e arsimit dhe kulturës ndërsa tjetri është udhëheqës i Njësisë se Arsimit në Sektorin për Veprimtari Publike dhe vlerësojmë se ata kanë të drejtë të realizojnë takime të tilla informative. Detyra e Sedat Sulejmanit është i angazhuar si këshilltar i veçantë i kryetarit nga lëmia e arsimit dhe kulturës, ndërsa Validin Ademi është udhëheqës i Njësisë së arsimit në Sektorin për Veprimtari Publike”, thanë nga Komuna e Tetovës.
Të pyetur se a do të mbajnë përgjegjësi për këtë rast, nga Komuna thanë “nuk vlerësojmë se ka ndonjë parregullsi për të cilën duhet të mbajmë përgjegjësi”.
Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë njoftoi se dje Sedat Sulejmani dhe Valedin Ademi janë ftuar në polici për këtë rast.
“Dje në SPB Tetovë janë thirrur personat V.A. (33) dhe S.S. (46) nga Tetova, të cilët janë denoncuar nga 45 vjeçarja T.L. nga Tetova, të njëjtën ditë, për rrezikim të sigurisë së saj dhe sjellje agresive. Rasti është duke u zbardhur dhe dokumentuar”, thanë nga SPB Tetovë.
Koordinatori i grupit të këshilltarëve të BDI-së në Këshillin e Komunës së Tetovës, Blerim Osmani u shpreh se aktivistët e Lëvizjes Besa ushtrojnë presion ndaj drejtorëve të shkollave dhe jo vetëm.
“Larg politikave ditore në Komunën e Tetovës të militantëve partiakë të Lëvizjes Besa dhe koalicionit të tyre, të cilët për ambicie të paskrupullta ushtrojnë mobing dhe revanshizëm politik ndaj drejtorëve të shkollave dhe të punësuarve në administratë. Dënojmë këtë lloj sjellje dhe kërkojmë nga udhëheqësia aktuale e Komunës së Tetovës të sqarohet se në çfarë cilësie ish funksionarë që shfrytëzojnë apanazhë sillen si kapadahi, japin urdhëra dhe ushtrojnë pushtet në Komunën e Tetovës?”, tha Blerim Osmani.
Nga Komuna e Tetovës për Portalb, mohuan një gjë të tillë duke thënë se nuk bëjnë presion te asnjë drejtor nëpër shkolla.
“Përkundrazi, deri në këtë moment kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyer me të gjithë drejtorët, gjë për të cilën ne jemi të angazhuar. Komuna e Tetovës është institucion legjitim dhe do të veprojë konform ligjit. Emërimet politike janë pjesë e të kaluarës. Nëpër të gjitha organet që janë në ingerencë të Komunës së Tetovës do të emërohen njerëz të cilët e meritojnë pozicionin e tyre. Në asnjë vend nuk do të ketë pozicione “dhuratë” për arsye miqësore apo farefisnore”, thanë nga Komuna e Tetovës.
Sipas drejtoreshës Lalla, Sulejmani e kishte ftuar atë në Komunë, ku së bashku me Ademin në emër të kryetarit Bilall Kasami i kishin kërkuar dorëheqjen nga posti i drejtoreshës.
“Nga ana e Sedatit u kërkua dorëheqja ime në emër të kryetarit të Komunës. Kërkova sqarim dhe takim me kryetarin e Komunës. Deklarata e atij ishte se e kishe paraparë edhe këtë kërkesë nga ana juaj kryetari i Komunës por më ka autorizuar të flas në emër të tij dhe nuk pranon të takoheni me të. Kërkova arsyet dhe shkaqet përse duhet të mbërrije deri në këtë pikë, nuk e vazhdoi shumë muhabetin dhe tha se kryetari deri ditën e hënë pret dorëheqjen tua”, sqaroi dje Lalla, duke thënë se nuk ka dorëzuar dorëheqjen.
Kasami dje i pyetur nga Portalb.mk tha se nuk ishte në dijeni për rastin dhe se do të ketë informim zyrtar.
“Unë nuk e di njerëzit, domethënë a mund të ketë kaq të çmendur që dikush zyrtarisht në Komunë të kërcënojë dikë derisa unë jam aty kryetar, nuk kam informata se për çfarë zyrtarisht bëhet fjalë e dini sot tërë ditën kemi qenë në aksion. Sigurisht që do të ketë informim zyrtar, por unë nuk besoj se mund të ketë kërcënim ndaj dikujt për çfarëdo veprimi. Fatkeqësisht në shkollat tona kemi edhe kështu drejtorësh që ju pjellë mendja edhe kështu gjërash”, tha dje Bilall Kasami.
Policia njoftoi se po merren masa për zbardhjen e rastit ku më pas do të vijojë parashtresë përkatëse, pa dhënë detaje konkrete.
Rikujtojmë që të enjten e kaluar, nga posti i ushtruesit të detyrës së drejtorit dorëheqje dha Buran Iseni i cili ushtronte këtë detyrë në çerdhen “Rinia”. I kontaktuar nga Portalb.mk ai tha se kjo ndodhi për arsye personale dhe nuk u përgjigj nëse kishte pasur ndonjë kërcënim për rastin në fjalë. Ndërkaq nga Komuna për Portalb.mk thanë se nuk është e vërtetë që komuna e ka detyruar për një gjë të tillë.
“Dorëheqja nga posti drejtor në Institucioni Publik Komunal Kopshti i Fëmijëve “Rinia”-Tetovë e Buran Buran Iseni është dorëzuar deri tek kryetari i Komunës së Tetovës dhe është evidentuar nën Nr.arh. 09-2705/1 me datë 16.03.2022. Në këtë shkresë nuk janë përshkruar arsyet e dorëheqjes nga ana e ish drejtorit. Nuk është e vërtetë që komuna e ka detyruar atë të hap konkurs për drejtor. Në bazë të nenit 123 të Ligjit për Mbrojtje të Fëmijëve, kryetari i Komunës së Tetovës, në afat prej 3 muajsh para përfundimit të mandatit të drejtorit aktual, sjell Aktvendim që Këshilli Drejtues i Çerdhes, të shpall konkurs për zgjedhjen e drejtorit. Komuna e Tetovës është e obliguar që të emërojë ushtrues detyre me qëllim që Institucioni Publik Komunal Kopshti i Fëmijëve “Rinia”-Tetovë të mos mbetet pa udhëheqës”, thanë nga Komuna e Tetovës me 16 mars.
Tetovë, drejtoresha e gjimnazit thotë se nga Komuna i kanë kërkuar të jep dorëheqje, Kasami e mohon
Drejtoresha e Gjimnazit të Tetovës “Kiril Pejçinoviq”, Teuta Llalla thotë se dy persona nga Komuna e Tetovës të thirrur në emër të kryetarit Bilall Kasami, të premten e kanë thirrur në Komunë ku i kanë kërkuar të jep dorëheqje. Kasami për Portalb tha se nuk është në dijeni për një gjë të tillë, shkruan Portalb.
Drejtoresha Lalla sqaron se ditën e premte në ora 15:05 ka marrë një telefonatë nga Sedat Sulejmani (ish zëvendësministër i Kulturës), i cili u thirr në emër të kryetarit të Komunës dhe e ftoi të paraqitet në zyrat e Komunës.
“Në ora 15:18 un mbërrita në zyrat e Komunës dhe e telefonova Sadatin se jam prezentë në zyrat e Komunës. Pas një pritjeje afër 10 minuta vjen zotëri Sadati nga korridori dhe më merr dhe futemi në një zyrë të Komunës ku ishte bashkë me personin tjetër Valedin Ademi. Nga ana e Sadatit u kërkua dorëheqja ime në emër të kryetarit të Komunës. Kërkova sqarim dhe takim me kryetarin e Komunës. Deklarata e atij ishte se e kishe paraparë edhe këtë kërkesë nga ana juaj kryetari i Komunës por më ka autorizuar të flas në emër të tij dhe nuk pranon të takoheni me të. Kërkova arsyet dhe shkaqet përse duhet të mbërrije deri në këtë pikë, nuk e vazhdoi shumë muhabetin dhe tha se kryetari deri ditën e hënë pret dorëheqjen tuaj”, tha Lalla.
Ajo sqaron se nuk ka dorëzuar dorëheqjen duke thënë se “nuk gjej arsye para vetes për të dhënë një dorëheqje.”
I pyetur për këtë rast, kryetari i Komunës Bilall Kasami tha se nuk është i njoftuar për diçka të tillë.
“Unë nuk e di njerëzit, domethënë a mund të ketë kaq të çmendur që dikush zyrtarisht në Komunë të kërcënojë dikë derisa unë jam aty kryetar, nuk kam informata se për çfarë zyrtarisht bëhet fjalë e dini sot tërë ditën kemi qenë në aksion. Sigurisht që do të ketë informim zyrtar, por unë nuk besoj se mund të ketë kërcënim ndaj dikujt për çfarëdo veprimi. Fatkeqësisht në shkollat tona kemi edhe kështu drejtorësh që ju pjellë mendja edhe kështu gjërash”, tha Bilall Kasami për Portalb.
Lalla shtoi se Kasami mund të mos jetë i njoftuar për këtë rast.
“Nëse kryetari nuk ka informata, le ti pyes njerëzit përreth edhe pse u thirrën në emër të kryetarit, nuk dua të amnistoj askënd por është e mundur që kryetari mos ta ketë një informatë të tillë”, tha Llalla.
Ajo shtoi se nuk e din se cila është detyra juridike e Sedat Sulejmanit (ish zëvendësministër i Kulturës) në Komunës, pasi ai menaxhon me procesin e arsimit. Ajo thotë se ai është pjesë e grupit të drejtorëve të shkollave në Viber ku jep urdhëra dhe instruksione për shkollat se si do të ecë procesi nëpër shkolla.
Ndryshe, rastin Lalla e ka paraqitur edhe në polici, ku nga kjo e fundit njoftojnë se po merren masa për zbardhjen e rastit dhe do të vijojë parashtresë përkatëse.