Revolucioni i dytë laraman po vjen!

sharenaNë Maj të vitit që vjen, do të bëhen 7 vite që kur revolucioni laraman, i filluar në vitin 2015, në maj të vitit 2017 lindi “qeverinë laramane të shpresës” LSDM/BDI/ASH, duke rrëzuar qeverinë e korruptuar të VMRO/BDI.

 

Revolucioni laraman, me “bombat” teatrale dhe shumë zhurmë, solli “drejtësinë e munguar”, duke e lënë ish kryeministrin të iki i qetë për të gëzuar paratë që i fitoi me djersë korrupsioni, në një vend anëtar i BE. Drejtësi që “luftoi” korrupsionin duke lënë të korruptuarit “të luftojnë” korrupsionin, duke kursyer nga burgu funksionarë të korruptuar të VMRO dhe BDI, e duke lënë në burg shqiptarë të pafajshëm. Revolucioni risolli frymën e vëllazërim/bashkimit të “parajsës socialiste jugosllave”, me heronjtë modern të “Boro e Ramizit”, me anëtarësime dhe deputetë shqiptarë në LSDM, e deri tek dashuritë dhe martesat multietnike të protestuesve të cilët marshonin me flamujt të lidhur me njëri tjetrin.

 

Dhe ja, erdhi dita kur ngjyrat e revolucionit u rishfaqën, dhe “erërat” e ndryshimit frynë përsëri.

 

Thirrjet plot emocione për bashkimin e ASH me “opozitën” vërshuan rrjetet dhe mediat, për të rrëzuar qeverinë e korruptuar të LSDM/BDI dhe për ta zëvendësuar atë me qeverinë “pakorruptuar” të VMRO/LB/AA/PD të Izet Mexhitit, e kushedi, ndoshta përsëri me BDI-në e vjetër. Entuziazmi revolucionar laraman, po ndjehet në ajër përsëri, e tani pritet të lidhen flamujt me atë të VMRO. Vojvodat u bënë bashkë me neotomanët për të luftuar nacionalizmin dhe irredentizmin shqiptar.

Keni frikë se Mexhiti, Kasami dhe Gashi, do të katandisen me nga një deputet dhe revolucioni do të dështojë? Mos u shqetësoni, kemi BDI-në gati për të ndërhyrë. VMRO, qeverinë “e shpëtimit dhe shpresës” e bën pa problem me BDI! Fundi i fundit, është bashkëqeverisje tanimë “e sprovuar”

Keni frikë se VMRO do t’ju zhgënjejë? Mos u shqetësoni fare! Pas 8 vitesh, e bëjmë një revolucion tjetër laraman – të tretin me radhë, me LSDM-në shpëtimtare. E kështu me radhë…

A.F.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>