“Protestat në Maqedoni nuk kanë qenë vetëm të një partie. Shihet qartë se banorët e Maqedonisë duan demokraci.” Për zhvillimet në Maqedoni flet për DW ish-raportuesi special i Parlamentit Evropain, Richard Howitt.
DW: Zoti Richard Howitt, cili ishte motivi i pranisë suaj në protestat e mbajtura në Shkup?
Richard Howitt: Këtu jam i pranishëm për arsye se ky është një moment kritik për Maqedoninë dhe për demokracinë e saj, për sigurinë dhe legjitimitetin politik të udhëheqjes së saj. Nuk dua që BE të ketë një përshtypje të gabuar për zhvillimet. Ndaj duam të jemi aktiv, jo në këtë protestë, por për këtë vend dhe për popullin e këtij vendi. Ne duam të tregojmë se ndihma është e mundur dhe se duhet gjetur një zgjidhje të qendrueshme politike, e cila do ta kthente këtë vend në rrugën e afrimit me Bashkimin Evropian, ku edhe e ka vendin.“
DW: Çfarë mendoni: cilat hapa duhet të ndërmarrin politikanët në Maqedoni – si pozita ashtu edhe opozita?
Richard Howitt: Si ndërmjetës në procesin mes Nikolla Gruesvskit dhe Zoran Zaevit, në procesin e nisur në Strasburg, nuk mund të flas për përbërjen e bisedimeve. Por shpresoj se ndërmjetësimi ynë mund të ndihmojë që të gjejmë rrugën për evitimin e shkallëzimit të situatës dhe fillimin e dialogut për gjetjen e një zgjidhjeje politike për këtë vend. Megjithatë, ajo që kam pafrë sot në Shkup, është vazhdimësi e kërkesave për demokraci fundamentale, legjitimitet dhe siguri në këtë vend. Këto dy parti politike duhet të dëshmojnë gatishmëri për angazhim dhe përgjegjësi të vërtetë për zgjidhjen e krizës dhe suksesin e dialogut.
DW: A jeni optimist?
Richard Howitt: Në bazë të përvojës sime pesëvjeçare në Maqedoni dhe duke marrë parasysh atë që ka ndodhur në rajon, historinë e konflikteve ushtarake në rajon, nuk mund të them nësr jam pesimist apo optimist. Por dua që ky vend të vazhdojë rrugën drejt BE-së. Nuk dua që të kthehen konfliktet ndëretnike, por dua institucione dhe parlament, që të mund të funksionojnë. Ndaj Evropa nuk duhet të mbetet e mënjanuar dhe duhet të angazhohet me të gjitha mjetet për tejkalimin e krizës.
DW: A mendoni se kjo rrugë e zgjidhjes së krizës me protesta është e drejtë?
Richart Howitt: Nuk dëshiroj të them a është kjo rrugë e drejtë apo jo, sepse unë këtu jam në rolin e vëzhguesit – të shikoj dhe të dëgjoj. Ajo që kam parë, është se kjo nuk ishte protestë vetëm e një partie politike, sepse kam parë shumë organizatorë, studentë dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare. Këtu ka pasur shumë njerëz, të cilët duan demokraci. Kjo është ajo që po shoh dhe dëgjoj dhe ky është mesazhi që do ta dërgoj në BE.