Grupi i punës i është kthyer diskutimit për çështjet që kanë të bëjnë me organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke diskutuar kompetencat e Komisionit Shtetëror Zgjedhor. Edhe pse Marrëveshja Politike e 2 qershorit parashikon që deri nesër, më 30 shtator, të përkufizohen kompetencat shtesë për KSHZ-në, partitë politike nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje konkrete rreth kësaj çështjeje.
“Deri më 30 shtator 2015, Komisionit Shtetëror Zgjedhor do t’i jepen kompetenca shtesë në mënyrë që të sigurojë zgjedhje të lira dhe korrekte, si dhe fushë të barabartë loje për të gjitha partitë”, thuhet në Marrëveshjen e 2 qershorit.
Jo zyrtarisht, palët mbeten në qëndrimet e mëhershme, që KSHZ-ja të përbëhet nga 9 anëtar, 3 prej të cilëve të propozohen nga pushteti, 3 nga opozita dhe 3 ekspertë të pavarur që emërohen në Kuvend. Nuk ka pajtueshmëri për organin që do të vendosë pas ankesave në shkallë të dytë për parregullsitë zgjedhore. VMRO DPMNE-ja kërkon që të mbetet kompetente Gjykata Administrative, ndërsa LSDM-ja kërkon krijimin e një trupi të veçantë për shqyrtimin e ankesave. Gjithashtu nuk ka marrëveshje për kërkesën e partive shqiptare që KSHZ-ja të vendosë me Badinter për komunat e përziera dhe ato me shumicë shqiptare. Ndërkohë, në pjesën e dytë të takimit u prekën edhe çështje të tjera që kishin të bënin me zgjedhjet dhe Kodin Zgjedhor. Më kontestuese mbetet çështja e diasporës. Partia e Gruevskit kërkon jo vetëm mbetjen e votimit të diasporës por edhe rritjen e numrit të deputetëve. LSDM-ja kërkon që të respektohet parimi i barazisë së votës, siç kërkohet edhe nga OSBE-ja, duke vendosur një prag të caktuar votash për të kaluar deputetin në diasporë. BDI-ja nga ana tjetër kërkon heqjen e njësive 7, 8 dhe 9, ndërsa mërgimtarët të votojnë për 6 njësitë në vend, përmes postës ose në mënyrë elektronike. Mes 4 partive politike mbizotëron qëndrimi që listat e deputetëve të jenë të hapura, por edhe kjo çështje mbetet për t’u përcaktuar. Ndërkohë, siç raportohet nga përfaqësuesit e BDI-së në grupin e punës, partia e Ahmetit ka hapur edhe çështjen e presidentit duke kërkuar që ai të zgjidhet në Kuvend me 2/3 e votave dhe Badinter. Zgjedhja e presidentit në Kuvend ishte edhe premtim parazgjedhor i BDI-së, por nuk u konkretizua as me marrëveshjen e koalicionit dhe as me ndonjë propozim konkret për ndryshime kushtetuese.
Benjamin Arifi