Për Maqedoninë ka një dritë në fund të tunelit në rrugën e saj drejt integrimit Euroalantik, sipas diplomatëve perëndimorë dhe ekspertëve vendas e të huaj. Në një konferencë të organizuar nga Instituti për Hulumtime Gjeostrategjike në kuadër të Ministrisë së Punëve të jashtme të Maqedonisë dhe Qendra Evropiane për Studime të Sigurisë “George Marshal”, folësit vunë në dukje domosdosmërinë e zbatimit të reformave dhe dialogun e brendshëm politik që do t’i kontribuonte stabilitetit të përgjithshëm të vendit.
Sekretari Shtetëror në ministrinë e jashtme, Viktor Dimovski tha se Maqedonia e shikon vendin e saj në të ardhmen brenda Natos dhe Bashkimit Evropian si partnere dhe aleate e barabartë në ruajtjen e paqes dhe si pjesëmarrës aktiv në ndërtimin e një bote më të mirë për të gjithë.
Bashkërenduesi kombëtar maqedonas për në NATO, Stevo Pendarovski vlerëson se “një Evropë politike do të funksinojë shumë më mirë nëse skajet e Evropës gjeografike janë të pacifizuara dhe jo të pasivizuara”, siç shprehet. Pendarovski shton se lënia e këtyre vendeve jashta Bashkimit Evropian mund të prodhojë destabilitet edhe jashta kufijve të tyre, ndërkohë që thekson se alternativa më e mirë për të gjithë është integrimi i Ballkanit perëndimor në strukturat Euroatlantike.
Shefi i zyrës së Natos në Shkup, kapiteni i forcave detare Gorazd Bartol thotë se Natoja po ndryshon dhe po u përshtatet sfidave të reja duke u angazhuar në mbrojtjen kolektive në Evropë dhe njëkohësisht duke iu përgjigjur çështjeve të projektimit të qëndrueshmërisë dhe luftën kundër terrorizmit përtej kufijve të Aleancës.
Ambasadori gjerman Thomas Norbert Gerberich thotë se është me rëndësi të jashtëzakonshme zbatimi i reformave me angazhimin e qytetarëve të Maqedonisë:
“E gjithë shoqëria, thotë ai, duket të angazhohet në procesin e reformave ndërsa ato të mbështeten mbi ekspertizën dhe interesin legjitim dhe jo mbi bazë të përkatësive politike”.
Ai vë në dukje domosdoshmërinë për një dialog konstruktiv midis qeverisë dhe opozitës “që do të ishte përtej të gjitha dallimeve politike për funksionimin e përshtatshëm të demokracisë parlamentare”.
Kolegu i tij francez, Kristian Timonie nënvizon nevojën e gjetjes së një kompromisi më të shpejtë për problemin e emrit të Maqedonisë.
Folësit në panel pajtohen me vlerësimet dhe raportet se Maqedonia ka shënuar përparime drejt strukturave Euro-atlantike dhe se ajo është shumë pranë anëtarësimit në Aleancën veriatlantike.
Autoritetet në Shkup shpresojnë se deri në qershor të gjindet një zgjidhje me Greqinë fqinje lidhur me çështjen e emrit për ta kapërcyer këtë kusht kryesor dhe për t’u bërë shumë shpejtë anëtarja e 30 e NATO-s. (voa)