Katër partitë kryesore në Maqedoni arritën marrëveshje për zgjidhjen e krizës politike. Marrëveshja parashikon modalitetet e pastrimit të listës zgjedhore, reformat në media dhe kompetencat e ministrit të Brendshëm.
Partitë janë dakorduar që njëqind ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të ketë qeveri teknike dhe që ligji i ri për Ministrin e Punëve të Brendëshme të pezullohet deri më 1 janar të 2017. Ambasadori i SHBA-së në Shkup, Jess Baily, i cili ka qenë i pranishëm në takime shpreson se me këtë marrëveshje do të vendosen binarët drejt rrugës së duhur për zgjëdhje korrekte dhe të pranushme për të gjitha palët. “Partitë arritën marrëveshje një vit pas marrëveshjes së korrikut të kaluar, për zbatimin e mëtejshëm të Marrëveshjes së Përzhinës. Ne shpresojmë se kjo marrëveshje do ta shtrojë rrugën për zgjedhje të besueshme, në të cilat do të marrin pjesë të gjithë dhe do të njihen nga të gjitha palët. Marrëveshja që arritën katër partitë përfshin pastrimin e listës zgjedhore, hapa për sigurimin e një raportimi të balancuar, marrëveshje për qeverinë që do të formohet 100 ditë përpara zgjedhjeve dhe kompetencat e Ministrinë së Punëve të Brendshme”, është shprehur ambasadori amerikan Jess Baily.
…
Marrëveshja krijon kushte solide për zgjedhje demokratike
Përfaqësuesja e partisë opozitare maqedonase LSDM-se, Radmila Sheqerinska, tha se me ketë marrëveshje duhet të sigurohet që Maqedonia të organizojë zgjedhje korrekte,të drejta dhe të besueshme e që të jetë populli të vendosë se kujt ia jep besimin. “Marrëveshja e tillë krijon kushte që Maqedonia t’ japë fund kësaj krize që na mori shumë kohë, energji dhe të mundësojë zgjedhje të lira. Të gjitha kushtet për zgjedhje të lira, përfshirë raportimin korrekt në media, pastrimin e listës zgjedhore, pjesëmarrjen e opozitës në qeverinë kalimtare, liderët e katër partive duhet ta konfirmojnë në një takim që do të mbahet në fund të gushtit. Maqedonia do të ketë zgjedhje të lira ku qytetarët do të thotn fjalën e tyre dhe do t’i japin fund krizës dhe qeverisjes kriminale të Gruevskit”, shprehet nënkryetarja e LSDM Radmilla Shekeriska.
“Jam i kënaqur sepse me këtë marrëveshje i hapet rruga zgjedhjeve demokratike ku do të marrin pjesë të gjithë dhe populli do të vendosë kujt do t’ia japë votat”, ka thënë përfaësuesi i VMRO-DPMNE Nikolla Todorov.
Marrëveshja në mbrojtje të Prokurorisë Speciale
Sa i përket punës së Prokurorisë Speciale, e cila po heton atë që njihet si aferë e përgjimeve që edhe ka nxitur krizën politike, marrëveshja parashikon që në rast se Gjykata Kushtetuese e shpall antikushtetues ligjin për Prokurorinë Speciale, apo ndonjë pjesë të tij, partitë do të duhet të bëjnë ndryshime ligjore për ta mundësuar funksionim e punës së saj pa pengesa.
Sa i përket medias publike RTVM, partitë politike janë dakorduar që LSDM-ja opzitare do të emërojë përgjegjës të redaksisë informative në TVM1 nga ekspertët e fushës së mediave, ku redaktori i ri do të merte funksionin 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve. Për programin në gjuhën shqipe në television kjo marrëveshje do të mundësojë ndryshime ligjore që TVM 2 të emetojë program në gjuhën shipe 24 orë në ditë.
Takimet e përfaqësuesve të katër partive nënshkruese të Marërveshjes së Përzhinës u intensifikuan pas vizitës së fundit të të dërguarit të posaçshëm gjerman Johanes Haindl dhe diplomates amerikane Viktoria Nuland. (dw)