Shkup: Gjykata hedh poshtë dëshmitë për përgjimet

gruevskiGjykata Themelore në Shkup ka hedhur poshtë si të pabaza të gjitha argumentet në çështjen e përgjimeve kundër kryeministrit Nikolla Gruevski, ish-ministres së Rendit Gordana Jankullovska, ish-shefit të Shërbimit Sekret Sasho Mijallkov dhe personave të tjerë të akuzuar nga Lidhja Social Demokrate maqedonase.

Gjykata ka bërë të ditur se dëshmitë janë mbledhur në mënyrë joligjore dhe për këtë ato nuk mund të paraqesin një çështje për hetim. Por, vendimi ka nxitur reagime të opozitës maqedonase dhe të organizatave joqeveritare.

Vendimi i gjykatës Themelore të Shkupit për hedhjen poshtë të provave të opozitës maqedonase kundër kryeministrit Nikolla Gruevski dhe bashkëpunëtorëve të tij të afërt mbi skandalin e përgjimeve, ka nxitur reagime të opozitës por dhe të shoqërisë civile në Maqedoni. Gjykata Themelore “Shkupi 1” i vlerëson si joligjore dëshmitë e Lidhjes Social Demokrate dhe për këtë arsye, sipas një komunikate të gjykatës, çështja nuk mund të hetohet.

Opozita maqedonase ka reaguar, duke e quajtur vendimin politik dhe të marrë nën trysninë e kryeminstrit Gruevski. Lidhja Social Demokrate (LSD) tha se vendimi i gjykatës është skandaloz.

Oliver Spasovski, Sekretari i Përgjithshëm i partisë, u tha mjeteve të informimit se vendimi është joligjor;  “Gjykata nuk ka të drejtë të veprojë sipas këresave të kryeministrit Nikolla Gruevskit dhe të dyshuarve të tjerë për tërheqjen e provave në këtë fazë”, – tha ai.

LSD pret nga një shkallë më e lartë gjyqsore që ta apelojë vendimin e shkallës së parë. Zoti Sasovski tha se Nikolla Gruevski me këtë tregon synimin për shkeljen e marrëveshjes politike të 2 qershorit dhe të 15 korrikut.

Por, ndërkohë LSD është e vendosur që me doemos të zgjidhet prokurori i posaçëm, i cili duhet të merret me skandalin e përgjimeve. “Nikolla Gruevski nuk do të mund t’i ikë drejtësisë”, tha sekretari i partisë më të madhe opozitare.

Lidhja Social Demokrate pretendon të ketë disa mijë regjistrime të bisedave të përgjuara telefonike nga shërbimi sekret i vendit të zyrtarëve të lartë shtetërorë e politikë, personaliteteve të tjera të jetës publike, biznesmenëve dhe gazetarëve. Një pjesë të këtyre bisedave opozita i ka publikuar. Aty dëgjohen zyrtarë shtetërorë që përpiqen të manipulojnë proceset zgjedhore, të ushtrojnë trysni ndaj medias dhe duke folur për çështje që konsiderohen si korruptive.

Prokurori i posaçëm duhet të zgjidhet deri më 15 shtator. Ne të kundërt, opozita maqedonase kërcënon se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme të planifikuara për në prillin e vitit që vjen dhe se do të vazhdojë me publikimin e skandalit të përgjimeve.

Ndërkohë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup u ka bërë thirrje autoriteteve dhe të gjitha partive politike në Maqedoni që të shmangin çfarëdo veprimesh të cilat do të paraqitnin pengesë për mundësinë e veprimit të prokurorit të posaçëm me një autonomi të plotë.

Ambasada vë në dukje se të gjitha elementët e marrëveshjes së 2 qershorit dhe 15 korrikut duhet të zbatohen, që vendi ta zgjidhë dhe kapërcejë krizën politike. Më tej, Ambasada thekson përmes një komunikate, se shikimi i besueshëm i rasteve të cilat ndërlidhen ose dalin nga ndjekja e komunikimeve, është në interësin më të mirë të të gjitha partive dhe të qytetarëve të Maqedonisë.

Ambasada pret që të gjitha çështjet gjyqsore të zbatohen duke i respektuar plotësisht parimet e së drejtës kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë dhe praktikën gjyqsore, sipas Konventës evropiane për të drejtat e njeriut. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>