Partitë politike në Maqedoninë e Veriut kanë nisur bisedimet për ndryshimin e Kushtetutës për përfshirjen e pakicës bullgare në pjesën e preambulës si popull shtetformues.
Përfshirja e pakicës bullgare si popull shtetformues parashikohet në marrëveshjen me Bullgarinë për kapërcimin e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve për çështjet që kanë të bëjnë me historinë, gjuhën dhe identitetin maqedonas.
Kryeministri i RMV-së Dimitar Kovaçevski është në kërkim të mbështetjes nga partitë e tjera parlamentare pasi ndryshimet kushtetuese miratohen me dy të tretat apo me 80 nga 120 votat e deputetëve sa numëron Kuvendi. Për momentin shumica parlamentare numëron 63 deputetë.
“Ne bisedojmë për të ardhmen evropiane të vendit dhe për të gjitha vendimet që duhet t’i miratojmë me një konsensus të gjerë politik. Agjenda evropiane është mbi të gjitha, është interes i qytetarëve dhe i shtetit, andaj duhet të veprojmë të gjithë së bashku”, tha Kovaçevski.
VMRO-DPMNE kërkon zgjedhje të parakohshme
Partia më e madhe opozitare, VMRO-DPMNE, e cila kundërshton Marrëveshjen me Bullgarinë, kërkon që partitë të bisedojnë për krizën ekonomike, rritjen e çmimeve të ushqimeve por edhe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski vlerëson se qeveria ndryshimet kushtetuese i përdor për defokusimin e këtij problemi.
“Shumica nuk ka shumicë për ndryshime kushtetuese, kështu që Kuvendi duhet të shpërbëhet, të formohet Qeveria teknike dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Kjo ishte kërkuar nga ana jonë, derisa shohim që nuk ka shumicë për ndryshime kushtetuese”, thotë lideri i opozitës Mickoski.
Partitë shqiptare në qeveri pro ndryshimeve në Kushtetutë
BDI dhe Alternativa, që janë pjesë e qeverisë, nuk kanë paraqitur kushtëzime duke u dhënë mbështetje ndryshimeve kushtetuese.
“Ka qenë një debat i hapur, një debat konstruktiv, sepse bëhet fjalë për të ardhmen e vendit dhe përpjekjet për të ndërtuar qëndrime të përbashkëta”, është shpreh kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.
Opozita shqiptare kërkon ridefinimin e gjuhës shqipe në Kushtetutë
Lëvizja Besa në opozitë ka kërkuar që ndryshimet kushtetuese të përfshijnë edhe ndryshimin e formulimit të gjuhës shqipe në Kushtetutë.
“Ne nuk jemi kundër ndryshimeve kushtetuese, por kërkojmë që në këtë hapje të Kushtetutës të zgjidhet njëherë e përgjithmonë edhe çështja me 20 përqindëshin”, tha Bilal Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, mendon se debati për ndryshimet kushtetuese duhet të jetë transparent. Ai theksoi që Maqedonia e Veriut nuk ka alternativë tjetër për ndryshimet kushtetuese.
“Ndryshimet kushtetuese nuk duhet të shikohen si rrezik, por si mundësi. E para, futja e bashkësive të tjera etnike që jetojnë në vend nuk e rrezikon askënd. Mendoj se duhet të bisedojmë dhe të negociojmë edhe për heqjen e 20 përqindëshit në përdorimin e gjuhës shqipe”, thotë Taravari.
Arsovski: Nevojitet debatë i gjërë
Analisti politik Petar Arsovski thotë se nuk është befasi e madhe fakti që takimi i liderëve përfundoi pa ndonjë rezultat konkret dhe pa ndonjë konkluzion.Kjo ka ndodhur për shkak të numrit të madh të temave që kanë qenë për diskutim.
“Nuk është çudi që palët nuk arritën një marrëveshje. Secila nga palët hyri me agjendën e vet dhe është e qartë se nuk kanë dashur të diskutojnë për agjendat e partive të tjera.Është mirë që ka filluar një lloj dialogu politik gjithëpërfshirës, nëse vazhdon kërkesat mund të zgjidhen një nga një”, vlerëson Arsovski.
Jashari:Takim i arsyeshëm edhe pse pa rezultate
Profesori universitar Hasan Jashari vlerson se pesimizmi për harmonizim të qëndrimeve për përfshirjen e bullgarëve në kushtetutë, vijon si pasojë e ndasive të thelluara politike për këtë çështje.
“VMRO duhet të gjejë fuqi, duhet të gjejë forca që të ndajë qëndrimin e vet partiak prej qëndrimeve dhe strategjive të gjithmbarëshme të shtetit dhe të qytetarëve. Nuk mund të presim shumë, mirpo ja vlen të bisedohet”, thotë Jashari.
dw