Shkup, parlamenti i jep votëbesimin qeverisë Zaev

zaev-sobranieKryeministri Zoran Zaev papritur të mërkurën kërkoi nga parlamenti një seancë votëbesimi për kabinetin e tij. Shumica e ngushtë parlamentare i dha atij votëbesimin. Zoran Zaev, duke u mbështetur në kushtetutën e vendit, kërkoi gojarisht nga ligjvënësit që pa debat të votonin për mocionin e besimit ndaj qeverisë.

62 deputetë të partive në pushtet: Lidhja Social Demokrate, me partnerët e saj të vegjël dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, Lëvizja Besa dhe Partia Demokratike Shqiptare e votuan zotin Zaev, ndërsa partitë e opozitës e bojkotuan seancën.

Kjo kërkesë e kreut të qeverisë në Shkup vjen pas hamendësimesh në opinionin publik nëse qeveria e tij e ka ose jo shumicën e duhur në parlament. Deri para pak ditësh, parlamenti nuk mund të mblidhej për shkak të mungesës së kuorumit, dhe duke qenë se deputeti i BDI-së Izet Mexhiti, i cili është kryetar i grupit të deputetëve të partisë së tij, nuk shkonte në parlament. Në opinion qenë përhapur zëra se ligjvënësi nuk pajtohej me emërimin e Artan Grubit në postin e zëvendës-kryeministrit, eventualisht edhe të Bujar Osmanit në atë të Ministrit të Jashtëm. Por, kreu i BDI-së Ali Ahmeti u shpreh se “brenda partisë ka mendime ndryshe, por jo përplasje”.

Ndërkaq, deputetët e VMRO-së dhe të Aleancës me Alternativën nuk hynin në sallën e parlamentit që të mos arrihet kuorimi.

Nga ana tjetër, dy ligjvënësit e Partisë Liberal Demokrate u larguan nga grupi parlamentar i LSDM-së, megjithëse vazhdojnë të mbeten me pushtetin. Këto zhvillime inkurajuan opozitën maqedonase në radhë të parë, që të hedhë dilema se Zoran Zaev nuk e ka shumicën e nevojshme në parlament, duke kërkuar në këtë mënyrë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare së bashku me ato vendore në vjeshtë.

Opozita e drejtuar nga VMRO-DPMNE reagoi ashpër ndaj mënyrës së paraqitjes së kërkesës për votëbesim, që për herë të parë zbatohet në Maqedoninë e Veriut. Kryetari i VMRO-së Hristijan Mickovski tha se është për keqardhje që Zoran Zaev nuk pati guxim të lejojë tre ditë debat para shprehjes së votëbesimit.

Ndërkohë, Kryeministri Zaev, foli para ligjvënësve për arritjet e qeverisë, duke akuzuar ndërkohë opozitën për qëndrimet “destruktive dhe për bllokimin e reformave”.

“Vetëm për shkak të synimeve brendapartiake në VMRO-DPMNE vazhdimisht bëhen gënjeshtra me qëllim të krijimit të perceptimit të pasigurisë tek qytetarët dhe të pasigurisë për ekonominë. Por, si gjithmonë e vërteta është arma më e fuqishme kundër gënjeshtrave, lajmeve të rreme dhe të pavërtetave”, tha kryeministri maqedonas duke shtuar se shumica parlamentare nuk do të lejojë pasiguri, bllokime, kurthe dhe pengesa.

Çështja e votëbesimit të qeverisë nuk mund të ngritet pa kaluar 90 ditë nga votëbesimi i fundit, por kjo mund të ndodh vetëm me nismën e më tepër se gjysmës së numrit të deputetëve në parlamentin prej 120 vendesh.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>