Shkup, qeveria me një paketë të re masash ekonomike kundër pandemisë

ZaevKryeministri maqedonas Zoran Zaev paraqiti sot një paketë të re masash kundër krizës së koronavirusit për ta ndihmuar ekonominë, kompanitë, punëtorët dhe qytetarët e vendit nga pasojat e pandemisë. Shuma e kësaj pakete kap shifrën prej 470 milionë eurosh, për çka opozita dhe ekspertët vlerësojnë se është një paraqitje populiste e qeverisë dhe që e zhyt vendin në borxhe të reja.

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev paraqiti paketën e katërt të masave ekonomike kundër krizës së koronavirusit që përfshin ndihma në dhjetra fusha, sidomos për t’ua lehtësuar kompanive dhe punëtorëve gjendjen dhe për t’i kaluar pasojat në këto rrethana të pandemisë. Gama e këtyre masave kap një shifër prej 470 milionë eurosh.

Ndër masat e planifikuara është vazhdimi i mbështetjes së kompanive për pagesën e punëtorëve për tre muajt e fundit, me kusht që ata të mos pezullohen nga puna për shkak të krizës së pandemisë.

Parashikohen, po ashtu ulje të interesit bankar për kompanitë që do të marrin kredi.

Mbëshetja ekonomike do të jetë shkallë-shkallë dhe ajo do të kapë shumën nga 235 euro deri në 355 euro në muaj për punëtor”, tha kryeministri Zaev, sipas të cilit me këtë masë do të ruhen gjithsej 250 mijë vende pune.

Përfitime do të kenë edhe prindër të vetëm që kujdesen për fëmijët, pensionistët, personat e papunë, artistët, si dhe personat mbi 64 vjeç e që nuk marrin pension apo që kanë të ardhura nën 245 euro në muaj.

Së bashku me tre paketat e kaluara shuma e ndihmës kapërcen 1 miliardë euro.

Xhevdet Hajredini, ish-Ministër i Financave thotë për Zërit të Amerikës se qeveria nuk ka kapacitete dhe vendi është ekonomikisht më i varfëri në rajon për të përballuar këso masash ekonomike.

Mendoj se e teprojnë pak kur këtë situatë e shfrytëzojnë për një populizëm politik. Maqedonia (e Veriut) njësoj si edhe fqinjët e saj është shtet i pazhvilluar dhe një ndër më të pazhvilluarat në Evropë. Pasojat e sëmundjes i ndjen edhe popullata e këtij vendi shumë më tepër se vendet e tjera të cilat kanë kapacitet dhe mundësi që t’i përballojnë pasojave të pandemisë. Ata (zyrtarët qeveritarë) vazhdimisht e ngarkojnë buxhetin e shtetit, por e rrisnin edhe borxhin e jashtëm. Kështu që, pasojat do t’i ndiejnë gjeneratat e ardhshme, të cilat do të duhet ta paguajnë këtë kosto”, thotë eksperti.

Zoti Hajredini shton se Maqedonia e Veriut nuk ka tregues relevant statistikor për shkak se që nga viti 2002 nuk është në gjendje të zbatojë regjistrimin e popullsisë, ndërsa vendi ballafaqohet me probleme të tjera specifike, thotë ai.

Ndërkohë, opozita maqedonase e drejtuar nga VMRO-DPMNE e quan qeverinë një “mafia që po mundohet të kapet për fije kashte në një kohë kur ekonomia po fundoset”, siç u shpreh Hristrijan Mickovski i VMRO-së, menjëherë pas konferencës së shtypit të Kryeminmistrit Zaev.

Ai tha se ka pasur 13 përqind ulje të prodhimit të brendshëm bruto në kuartalin e dytë të vitit, teksa shtoi se përmes masave të propozuara “mafia do të pasurohet, ndërsa popullata do të varfërohet”.

Mickovski akuzoi se kartelat e pagesave për shtresën më të prekur sociale, si pjesë e masave paraprake, janë përdorur për ryshfet dhe blerje të votave në zgjedhjet e fundit.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>