Në kuadrin e konsultave pë r formimin e qeverisë, Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov u takua të martën me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të vendit, Nikolla Ivanovski. Zyra e zotit Ivanov ka thënë se ai do të veprojë brenda kornizave kushtetuese dhe në interes të qytetarëve Maqedonisë.
Por, ekspertë ligjorë thonë se Gjykata Kushtetuese nuk e ka të drejtën e komentimit të kushtetutës dhe se z.Ivanov është dashur të këshillohet qysh para se t’i japë mandatin Nikolla Gruevskit të VMRO-DPMNE-së për formimin e qeverisë. Ky i fundit nuk kishte siguruar shumicën e nevojshme në parlament për ta votuar kabinetin e ri qeveritar.
Opinioni publik, ndërkaq, pret që presidenti t’ia dorëzojë mandatin partisë së dytë më të madhe nga zgjedhjet e 11 dhjetorit, që është Lidhja Social Demokrate, ndonëse, sipas ekspertëve, në kushtetutë nuk sqarohet mirë kjo çështje.
Në se presidenti e zvarrit çështjen, vëzhguesit nuk e përjashtojnë mundësinë e protestave dhe thellimin e mëtejshëm të krizës politike në vend.
Nga ana tjetër, Partia VMRO-DPMNE këmbëngul në organizimin e zgjedhjeve të reja. Kjo parti, përmes një komunikate, ka kërkuar sqarime nga ambasada Amerikane në Shkup, e cila një ditë më parë ishte shprehur se po e ndjek procesin e formimit të qeverisë, ndërsa u bënte thirrje partive që të vazhdojnë bisedimet, që do t’i çonin ato drejt formimit të një qeverie të re gjithëpërfshirëse.
Zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të mbajtura në dhjetor, synojnë t’i japin fund krizës dyvjeçare në Maqedoni, por siç duket, qëllimi jo vetëm që nuk u arrit por, sipas analistëve, ekziston mundësia e thellimit të saj. (voa)