Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev ka drejtuar kritika të ashpra ndaj Bullgarisë, e cila sërish ka bllokuar kornizën negociues mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian.
Kryeministri Zaev në një adresim për qytetarëve, kritikoi Sofjen për politikë irracionale dhe fyese ndaj maqedonasve me mohimin e identitetit dhe të gjuhës maqedonase.
“Kjo nuk është mënyra evropiane. Fatkeqësisht, Bullgaria nuk ka mbledhur forcat për të vepruar si shtet evropian. Bullgaria e lejoi veten të bënte një gjest që nuk dëshmon as miqësi dhe as vëllazëri”, tha Zaev.
“Pozicioni i Bullgarisë është plotësisht irracional dhe fyes për maqedonasit dhe gjithë kombin tonë. Në shekullin 21, nuk është as evropiane dhe as demokratike t’i thuash tjetrit se si të ndihesh, si të përcaktohet vetvetiu. Nuk është evropiane të shkruash historinë e një kombi tjetër. Nuk është evropiane që t’i vendosni një identitet një populli tjetër dhe të bindni ata se duhet ta pranojnë atë. Kjo është arsyeja pse ne qëndruam fort në mbrojtje të interesave kombëtare maqedonase. Ne nuk lejuam që të preket dinjiteti i identitetit maqedonas dhe shtyllat e identitetit, dhe ky është populli maqedonas dhe gjuha maqedonase”, shtoi ai.
Ai konsideron që Bullgaria me këtë veprim ka bërë gabim gjeostrategjik duke bllokuar procesin e zgjerimit të BE-së.
“Fatkeqësisht, procesi i zgjerimit si një qëllim strategjik i BE-së është bllokuar nga Republika e Bullgarisë, nga pozicioni i një vendi anëtar. Ky është një gabim i papërgjegjshëm dhe i rëndë gjeostrategjik. Dhe është mirë që miqtë dhe aleatët tanë ndërkombëtarë nuk po heshtin për këtë gabim. Aleatët tanë nuk heshtin sepse ata e dinë shumë mirë që ne kemi treguar miqësi dhe vullnet të mirë me Bullgarinë”, ka theksuar kryeministri maqedonas.
Ai ka thënë se qeveria që ai drejton nuk heq dorë nga agjenda evropiane, por se tani vëmendja do të përqendrohet në zbatimin e reformave, duke i bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të jenë pjesë në evropianizimin e vendit.
Por, paraprakisht, Ministria bullgare e Punëve të Jashtme ka rikujtuar Maqedoninë e Veriut se me “histori totalitare të trashëguar është e vështirë të gjesh mbështetje nga Bullgaria”.
“Është koha që Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut të braktisë tezën manipuluese se Bullgaria konteston të drejtën e vetëvendosjes dhe identitetin e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut ose të drejtën për të emërtuar gjuhën e tyre”, ka kumtuar Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë.
Në reagimin e Sofjes thuhet se “Republika e Bullgarisë nuk pranon që afirmimi i identitetit të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të bëhet në konfrontim me vendet fqinje dhe në dëm të interesave të tyre kombëtarë. Bazuar në përgjegjësinë e saj për të mos sjellë çështje të hapura në BE dhe për të mbrojtur interesat, vlerat dhe autoritetin e saj, Republika e Bullgarisë do të vazhdojë të kërkojë zgjidhje të qëndrueshme që do të mundësojnë zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe një proces optimal të negociatave të Republikës së Veriut”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë.
Këto qëndrime, Bullgaria i ka rikujtuar edhe Vllado Buçkovskit, të dërguarit të posaçëm të Maqedonisë së Veriut në kontestin me palën bullgare, gjatë një takimi që ka zhvilluar të mërkurën në Sofje me shefen e diplomacisë bullgare, Ekaterina Zaharieva.
Në mes të muajit nëntor, Bullgaria njoftoi për vendosjen e vetos për nisjen e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE. Që korniza negociuese të kalojë, duhet votë unanime nga të gjithë anëtarët e BE-së.
rel