Vendimi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për ngrirjen e serishme të marzhës (çmimi maksimal) tregtare për produktet ushqimore bazë, sipas ekspertëve të ekonomisë, nuk është zgjidhja e duhur për përballje me rritjen e çmimeve.
Sipas vendimit të Qeverisë, nga 15 qershori marzha tregtare e fitimit për bukën, sheqerin dhe vajin e lulediellit do të jetë 5 për qind në tregtinë me shumicë dhe pakicë. Për vezët, miellin, produktet e miellit, orizin dhe qumështin, ajo do të jetë 10 për qind. Masa do të vlejë deri më 30 shtator.
Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Abil Baush, thotë për Radion Evropa e Lirë se një masë e tillë e Qeverisë duket më tepër si populiste se sa si masë për mbrojtjen e qytetarëve. Kjo, sipas tij, u dëshmua me skadimin e masave të tilla më 31 maj, pas të cilit afat çmimet shënuan rritjen më të lartë të regjistruar ndonjëherë në Maqedoninë e Veriut.
Nga 1 qershori rreth 80 për qind e çmimeve të produkteve ushqimore u rritën deri në masën e 70 për qind. Vaji brenda një ditë është shtrenjtuar nga 130 në 160 denarë apo 50 centë, kurse buka nga 45 centë në gati 70 centë etj.
“Marzha ekonomike nuk është një mjet, me të cilin amortizohet kriza ekonomike. Edhe në rastin e parë, edhe tani, japin efekte të vogla pasi janë masa afatshkurtra sa për t’u ndihmuar kategorive që janë më të rënduara nga kriza ekonomike”, thotë Baush.
Sipas tij, këto kategori nuk ndihmohen duke ngrirë çmimet por duke rritur pagat dhe duke u mundësuar atyre shërbime më efikase dhe të lira mjekësore, arsimore dhe transfere sociale. Paratë për këto ndihma, sipas tij, duhet të sigurohen nga vendosja e taksave më të larta për bizneset që bëjnë fitime të mëdha.
“Në situata krizash kemi raste kur bizneset bëjnë fitime të mëdha dhe atëherë do të ishte më mirë që Qeveria të nisë me politikë të taksave të larta. Kjo pasi, siç e dimë, nga koha e pandemisë ka sektorë si shëndetësia, programimet, e tash edhe sektori i ushqimeve, kanë pasur fitime shumë të mëdha, prandaj do të duhej edhe të paguanin tatime më të mëdha dhe me ato para Qeveria do të mund t’i ndihmonte kategoritë e rrezikuara që do ta kenë më të vështirë daljen nga kriza”, vlerëson ai.
Marija Zarezankove, profesoreshë e ekonomisë në Universitetin e Shkupit, thotë për Radion Evropa e Lirë se çdo masë është e mirë, por në rastin konkret, kjo do të shkaktojë një deficit edhe më të madh në buxhetin e shtetit dhe se këto mjete do të duhet të sigurohen me borxhe.
Ajo thotë se gjendja me çmimet është pasojë e punës së të gjitha qeverive që nuk janë interesuar aspak për ngritjen e kapaciteteve prodhuese.
“Është normale se tregtarët janë të interesuar për të përfituar pasi ne më shumë importojnë se sa që eksportojmë. Me vite të tëra nuk kemi bërë asgjë që të rrisim prodhimin vendor, të paktën për disa prodhime bazë, por ne akoma i mbajmë shpresat në Turqinë, Greqinë, Serbinë e kështu me radhë. Ne nuk arritëm të sigurojmë kapacitete prodhuese qoftë edhe për disa produkte elementare. Nuk ka asnjë zgjidhje tjetër, qytetarët janë në hall me çmimet dhe zhvleftësimin e pagave të tyre. Të gjithë jemi në situatë të rëndë. Nisem nga vetja ime, më parë me 1,000 denarë (15 euro) merrja disa gjëra në market, tani ato kanë humbur vlerën, me ato para mund të blej vetëm 5 litra vaj”, thotë Zarezankova.
Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Abil Baush, thotë se institucionet dështuan edhe në paralajmërimin për kontrolle në terren. Sipas tij, që herën e parë kur Qeveria vendosi marzhën tregtare, bizneset i fshehën të gjitha produktet ushqimore dhe pritën skadimin e masës që pastaj t’i shisnin me çmime edhe më të larta. Ai thotë se kështu do të ndodhë edhe me vendimin e radhës të Qeverisë.
“Ne nuk kemi asnjë lloj kontrolli në treg, por edhe sikur të kemi, do të jetë e pamundur të kontrollohet çdo objekt, çdo shitore, depo, apo pikë e shpërndarjes sepse çdo gjë tashmë është jashtë kontrollit”, shprehet Baush.
Ministria e Ekonomisë sërish premton kontrolle, madje edhe zgjerimin e listës së produkteve me marzhën tregtare nëse bizneset rrisin çmimet.
“Në rast se inspektorati i tregut dhe institucionet tjera konstatojnë se ka rritje joreale të çmimeve edhe produkteve tjera, ne do ta zgjerojmë marzhën tregtare për të gjitha produktet. Do të veprojmë çdo ditë për të parandaluar keqpërdorimet pasi jemi në krizën më të madhe ekonomike që nga Lufta e Dytë Botërore”, ka deklaruar ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Nga Qeveria thonë se do të ketë edhe masa të tjera për t’u ndihmuar qytetarëve të rrezikuar, por në rishikimin e buxhetit që është në procedurë parlamentare, për transfere sociale janë paraparë 70 milionë euro, shumë kjo e cila nga sindikatat konsiderohet simbolike kundrejt nevojave të shumta që kanë kategoritë më të rrezikuara sociale dhe punëtorët me paga të ulëta.
rel