Shpëtim Pollozhani: LSDM e bën mashtrimin e radhës kundër shqiptarëve

shpetim“Në zgjedhjet e fundit parlamentare, pasardhësit e komunistëve maqedonas – LSDM e bënë mashtrimin e radhës kundër shqiptarëve. LSDM-ja, bashkë me veglat e veta shqiptare, e shfrytëzoi apatinë që te elektorati shqiptar e krijuan dy partitë parlamentare shqiptare, BDI dhe PDSH, dhe – në llogari të kësaj apatie – e mbolli farën e rrjedhjes së votave. Kjo rrjedhje e votave nuk është një dukuri normale.”, thotë Shpëtim Pollozhani, kryetar i SHBPSH-së.

Nuk pajtohet assesi me rrjedhën e votave shqiptare në kampin politik maqedonas. Vlerëson se kjo situatë ka ardhur me fajin e dy partive politike të shqiptarëve të Maqedonisë – BDI dhe PDSH, si dhe disa “sejmenëve”, siç i quan ai. Shpëtim Pollozhani, ish i burgosuri politik shqiptar nga regjimi komunist në ish Jugosllavi, është më se i bindur se në taborin maqedonas nuk ka ndryshuar aspak qasja ndaj popullit shqiptar. Madje, ai ofron një mori shembujsh, përmes të cilëve tregon se shqiptarët në këtë vend edhe nga kjo nomenklaturë shihen si qytetarë të rangut të dytë. Madje, konsideron se tani e tutje qasja ndaj shqiptarëve mund të bëhet edhe më ashpër, kuptohet siç thotë ai, nëse shqiptarët edhe më tej vazhdojnë ta shikojnë politikën nga prizmi provincial.

SHENJA: z. Pollozhani, në opinion njiheni si njeri që e ka vuajtur regjimin komunist jugosllav për shkak të bindjeve tuaja politike. Kur e shikoni skenën politike sot, si mendoni, a ka ndryshuar qasja e maqedonasve ndaj shqiptarëve në Maqedoni?

SH. POLLOZHANI: Nga perspektiva e përvojës sime 50-vjeçare si dëshmitar dhe pjesëmarrës në zhvillimet politike, jam i bindur se nuk ndërron muzika e një bande me ndërrimin e instrumenteve, por me ndërrimin e muzikantëve. Sa i takon veprimit kundër shqiptarëve nga ana e pushteteve sllave, këto 100 vjetët e fundit nuk ka ndërruar asgjë. Si mundem të rri i qetë kur sallat e gjyqeve i shoh të mbushura me vëllezërit tanë të akuzuar për terrorizëm?! Ata i torturojnë dhe i fyejnë në baza nacionale. Familjet e tyre torturohen, duke pritur dyerve të burgjeve dhe të gjykatave.  Akoma janë në zbatim projektet çubrilloviqiane për zhbërjen e shqiptarëve. Tek maqedonasit si sundues nuk është problem sistemi politik, por problemi më i madh i tyre është mentaliteti i tyre hegjemonist, komunisto-bizantin, që u mboll tek ata pas një pushteti antishqiptar 100-vjeçar në këto troje. Ne sot nëpër mitingjet e gruevistëve jemi duke e dëgjuar të njëjtën terminologji antishqiptare, që e kam dëgjuar si student në vitin 1968 dhe më vonë në vitet 1981,1990, 1991, 2007 e deri në ditët e sotme. Është shumë lehtë të ndryshohet kushtetuta, sistemi politik dhe kodi penal, por është shumë vështirë që të ndryshojë mentaliteti i një populli.

SHENJA: Meqë po flasim në këtë dimension, a mund të vendosni paralele se çfarë ka ndryshuar për të mirë ose çfarë është përkeqësuar nga koha e burgosjes suaj?

SH. POLLOZHANI: Do ta parafrazoj Galileo Galilein, filozof, matematikan, astronom, astrolog, fizikan….., i cili që t’i shpëtojë turrës së druve të Gjyqit (që të mos e djegë të gjallë Inkuizicioni – gjyqi i Kishës Katolike) të Inkuizicionit, e mohoi teorinë e vet heliocentrike në llogari të asaj gjeocentrike, mirëpo sapo doli nga dera ai tha: ,,Sepui se muove” (gjithsesi Toka lëviz rreth Diellit). Edhe unë do të kisha thënë “lëviz diçka, por shumë ngadalë”.

SHENJA: A mund të ndani me lexuesit ndonjë moment të veprimtarisë suaj, që ka qenë arsyeja e burgosjes suaj, dhe e përballjes suaj me pushtetin?

SH. POLLOZHANI: Kudo që janë, sot shqiptarët komunikojnë lirshëm. Një ndryshim i vogël është fakti se  në kohën e komunizmit në rast se e vizatoje hartën e të gjitha trojeve shqiptare dënoheshe me dhjetë vjet burg për “propagandë armiqësore” (për këtë hartë në vitin 1981 unë jam dënuar me tetë vjet burg, nga 13 vjet sa ishte i gjithë dënimi), kurse në ditët e sotme këtë hartë e shohim të vizatuar nëpër të gjitha portalet me të cilat komunikon opinioni. Si lëvizje retrograde unë e llogaris zbrazjen e trojeve shqiptare në bazë të projekteve të shovinizmit ekonomik kundër shqiptarëve (shkolla tetëvjeçare e Ohrit në kohën kur unë punoja atje, në vitet e shtatëdhjeta të shekullit të kaluar, kishte 1.280 nxënës, kurse ajo shkollë sot i ka vetëm 455 nxënës. Ky trend i zvogëlimit të numrit të nxënësve shqiptarë është nëpër të gjitha shkollat tetëvjeçare, duke nisur që nga Struga, Kërçova, Gostivari, Kumanova….., e të mos flasim për Manastirin, Prespën, Dibrën dhe Përlepen.

SHENJA: Keni pasur dikur një shkrim rreth asaj se si figurat e tanishme politike maqedonase janë pasardhës të ish-politikanëve apo ushtarakëve në sistemin e kaluar antishqiptar, pikërisht sipas thënies popullore shqiptare “Ujku qimen e ndërron por zanatin s’e harron”. A qëndroni ende në këtë konstatim? A duhet kjo të na bëjë shumë të vëmendshëm si shqiptarë apo ato kohëra mund t’i trajtojmë si e kaluar e harruar?

SH. POLLOZHANI: Pushtetarët e sotëm akoma nuk janë shkëputur nga mentaliteti i ish pushtetit komunist. Janë disa qindra raste, por më i freskët është ai i z. Savo Klimovskit (folës në mitingun e gruevistëve në 08.04.2017), ministër i Arsimit në ish sistemin komunist, masakrues i shkollimit të mesëm shqip,  autor i paraleleve të përziera në vitet e tetëdhjeta. Ky antishqiptar i dëshmuar në“demokraci” ishte kryetar i Parlamentit. z. Vllado Kambovskin, ish ministër i Drejtësisë në vitet e tetëdhjeta, kur masakrohej inteligjenca shqiptare, sot e kemi kryetar të Akademisë së Shkencave dhe ministër të Drejtësisë në vitet e nëntëdhjeta. Enciklopedia e njohur është pjellë e atij mentaliteti të kontaminuar dhe të mykur bizantino-komunist. Gjyqtarët, prokurorët, udhëheqësit e shërbimeve sekrete dhe disa dhjetëra udhëheqës institutesh dhe institucionesh, të gjithë janë pjellë e komunizmit (me disa përjashtime mikronike). z. Tito Petkovski ishte sekretari i fundit i Partisë Komuniste të Maqedonisë, ndërsa në “demokraci” ishte kryetar i Parlamentit. Të mos flasim për z. Stojan Andov, ministër dhe ambasador në kohën e komunizmit, kurse në “demokraci” ishte tri herë kryetar i Parlamentit dhe, që të jetë hipokrizia edhe më e madhe, ai në librin e tij të fundit shkruan se: politika maqedonase paska gabuar me shqiptarët. Ndërkaq bash ai e pengonte legalizimin e Universitetit të Tetovës dhe Ligjin për zhdëmtimin e ish të dëmtuarve dhe të burgosurve politikë shqiptarë.

SHENJA: Të kthehemi në aktualitetin e sotëm politik. Si e shpjegoni ju faktin që dhjetëra mijë shqiptarë në zgjedhjet e fundit kanë votuar për LSDM-në?

SH. POLLOZHANI: Në zgjedhjet e fundit parlamentare, pasardhësit e komunistëve maqedonas – LSDM e bënë mashtrimin e radhës kundër shqiptarëve. LSDM-ja, bashkë me veglat e veta shqiptare, e shfrytëzoi apatinë që te elektorati shqiptar e krijuan dy partitë parlamentare shqiptare, BDI dhe PDSH, dhe – në llogari të kësaj apatie – e mbolli farën e rrjedhjes së votave. Kjo rrjedhje e votave nuk është një dukuri normale, pasi sikur të ishte normale do të duhej që proporcionalisht votave shqiptare për parti maqedonase të ketë edhe vota maqedonase për partitë shqiptare.

Kam të evidentuar disa raste kur sejmenë shqiptarë me “garanca” në xhep nga LSDM-ja u kanë premtuar shumë familjeve shqiptare se do t’ua heqin aktakuzat për vepra të ndryshme penale dhe se do t’u japin privilegje, natyrisht pasi ta marrin pushtetin, në rast se ata votojnë për LSDM-në. Vetë fakti se LSDM-ja ka më shumë vota në lokalitete rurale, aty ku kontrollohen më mirë, flet për një rrjedhje të fituar me mashtrim dhe me premtime boshe. Është mirë që LSDM-ja nuk ka vota të intelektualëve shqiptarë.

SHENJA: Si e shihni futjen e LSDM-së në kampin shqiptar: është ky një opsion i suksesshëm qytetar apo një manipulim i ri i shqiptarëve sipas shembullit jugosllav?

SH. POLLOZHANI: LSDM mori vota të shqiptarëve me një mashtrim klasik, që nuk është risi. Ata kanë premtuar se do t’i lirojnë të burgosurit e familjarëve që do ta votojnë LSDM-në. Si është e mundur që ata t’i lirojnë ata të burgosur në rast se kanë të argumentuara vepra të rënda penale, sikurse që është një shembull klasik kur një prind ka shkuar shtëpi në shtëpi, duke lutur për vota, që ashtu të lirohet djali i tij, i cili është i dënuar me 12 vjet burg për arsye se iu gjetën 15 kg. kokainë në veturën e tij. Rrjedhja e votave shqiptare nuk është fenomen natyral për kohën dhe vendin ku ndodhi. Në zgjedhjet e ardhshme ato vota do t’i kthehen trungut amë, natyrisht pas një dëshpërimi të shqiptarëve të mashtruar për mospërmbushjen e premtimeve të dhëna nga ana LSDM-ja dhe sejmenët e saj shqiptarë.

SHENJA: Po për faktorin politik shqiptar çfarë mendoni? A ka kapacitete të mjaftueshme te këto subjekte që të projektojnë sukses për kombin shqiptar në Maqedoni?

SH. POLLOZHANI: Subjektet politike, të cilat janë prodhuese të kësaj gjendje të mjerueshme të shqiptarëve, nuk kanë kapacitet as moral, as intelektual dhe as profesional qe t’u bëjnë ballë dhe të na nxjerrin nga kjo kënetë politike. Ajo klasë politike dështoi totalisht për arsye se asnjëherë nuk e vuri në funksion sistemin e vlerave, duke i pasur të gjitha ato vlera përreth vetes. Ndryshimin dhe përballjen me sfidat e kohës mund ta përballojnë vetëm  forcat e reja politike. Vetë Platforma është një risi në veprimin politik të shqiptarëve dhe këtë risi e sollën forcat e reja politike. Gjendja e jonë do të ndryshojë atëherë kur ne do ta ndryshojmë mentalitetin tonë të mykur provincial, klanor dhe fisnor. Mjaft më me maksimën: “hu gardhi le të jetë, i fshatit tim le të jetë” ose “magjar le të jetë i imi le të jetë” dhe kështu nëpër institucione të dërgojmë herë hunj gardhi dhe herë magjarë (me disa përjashtime)! Si mund të arsyetohet fakti që shumë deputetë për një mandat katërvjeçar pothuajse asnjëherë nuk dalin në foltore, ndërsa shumë deputetë janë diplomuar pasi janë bërë funksionarë!? Disa rrogën e parë e kanë marrë ose si deputet ose si ministër!? Çfarë bëjnë injorantët në një Komision Parlamentar ku pala tjetër ka dërguar ujqërit e vet më të aftë si autorë veprash profesionale e profesorë universitarë…..?

SHENJA: Sipas jush, cilat do të duhej të ishin shtyllat e angazhimit politik të shqiptarëve të Maqedonisë?

SH. POLLOZHANI: Vetëm institucionalizimi i KONSENSUSIT do të ishte një hap i vërtetë i politikës shqiptare. Ndryshe çdo veprim tjetër do të ishte vendnumërim, kjo për faktin se maqedonasit qind për qind janë duke i kontrolluar të gjitha institutet dhe institucionet dhe do të mund t’i bëjnë obstruksione çdo ligji ose vendimi të organeve legale të vendit, për arsye se gjeneratat e reja të gruevistëve do të jenë edhe më antishqiptare. Ata nëpër shkolla mësojnë se shqiptarët janë pasardhës të kaçakëve aziatikë, të cilët ua vjedhin atdheun, kurse maqedonasit janë pasardhës të Lekës të Madh, se ata janë “të zgjedhurit e Perëndisë, populli biblik, populli i cili është pasardhës i Diellit, i qiellit dhe i detit, populli i cili botës ia dhe astronominë, shkrimin……” (në tekstet shkollore të komunizmit nuk gjeje asnjë nga këto ofendime). Me këtë gjeneratë të gruevizmit edhe një kohë të gjatë do të kenë probleme gjeneratat e reja. Kjo gjeneratë e gruevistëve rritet në një frymë anakronike. Vaj ata për vete!

SHENJA: Nëse e ngremë llupën, çfarë do të thoshit për gjendjen e gjithmbarshme të shqiptarëve në Ballkan? Në Kosovë turbulencat politike dhe Gjykata Speciale e mbajnë vendin nën tension, në Shqipëri është bërë gati traditë që pushteti të ndërrohet me protesta, në Luginë të Preshevës Serbia po bën pastrim etnik të heshtur. Si e shihni të ardhmen e shqiptarëve në Ballkan?

SH. POLLOZHANI: Ne shqiptarët nën Maqedoni jemi vetëm një kulaç nga një brumë akoma i paardhur mirë. Popujt formohen dhe ndërtohen nga institutet dhe institucionet e shtetit. Ne, shqiptarët, gjatë gjithë ekzistencës sonë kemi jetuar të pushtuar. Ky pushtim dhe sundim mijëvjeçar te ne e ka mbjellë shpirtin e robit dhe anarkinë. Si do ta sqaronim ndryshe faktin e pamohueshëm se në Perandorinë Romake katër perandorë romakë kanë qenë nga Iliria apo faktin që në Perandorinë Osmane disa vezirë kanë qenë shqiptarë edhe disa kryeministra të Greqisë kanë qenë shqiptarë dhe asnjëri nga këta që i përmenda nuk ka luftuar për shtet të vetin, por vetëm për t’u shërbyer të tjerëve? Kjo arsyetohet me atë thënien e njohur të Gustav Le Bon-it “shpirti i robit dhe mentaliteti i viktimës ose i humbësit”. Le Bon-i merret me studimin e psikologjisë së masave. Mungesa e dashurisë për shtetin tënd dhe shërbimi ndaj një shteti tjetër të bën anarkist. Kjo ndjenja e mbjellë e shpirtit të robit, mentaliteti i viktimës dhe anarkisë vjen në shprehje te ne shqiptarët kudo që jemi. T’i lëmë mënjanë shqiptarët në Maqedoni. Po ata të Kosovës dhe të Shqipërisë përse veprojnë kundër shtetit të tyre? Përse e vjedhin dhe e shesin (çdo ditë lexojmë për keqpërdorime nga ministra, deputetë, drejtorë policie, të financave, të doganave, profesorë universitarë, inspektorë të ndryshëm…) shtetin e tyre? Tani fjala politikan është sinonim për fjalën hajdut. Përgjigja fle te shpirti i robit dhe te ndjenja anarkiste e atyre njerëzve. Dalja nga kjo situatë është vënia në funksion e sistemit të vlerave. Ne kemi vlera të mirëfillta. Sipas këtyre vlerave neve na njeh e gjithë bota. Ne kemi kuadro profesionalisht dhe kombëtarisht të formuara dhe të dëshmuara. Aty janë aty, janë përreth nesh. Nuk duhet t’i kërkojmë as me llupë dhe as me aeroplan. Gjithçka duhet të bëjmë është t’i thirrim mendjes dhe të mos dërgojmë të na përfaqësojnë degjenerikë, të cilët çdo vjet e pesëfishojnë pasurinë e tyre.

SHENJA: Meqë jeni në krye të Shoqatës së ish të Burgosurve Politikë Shqiptarë në Maqedoni, a mund të na shpjegoni se në çfarë statusi janë kjo kategori? Sa është numri i tyre, cilat janë kërkesat e tyre dhe a ka shpresë që të zgjidhet ky problem?

SH. POLLOZHANI: Gjendja e Shoqatës së ish të Burgosurve Politikë Shqiptarë është reflektim i impotencës së klasës sonë politike. Për maqedonasit ka një ligj, i cili është në zbatim. Me këtë ligj janë zhdëmtuar të burgosurit politikë maqedonas dhe pasardhësit e tyre. Gjendja e jonë është identike me atë të viktimave, veteranëve dhe familjeve të ushtarëve të UÇK-së. Megjithëse që nga viti 2005 ne si shoqatë kemi dorëzuar një propozim-ligj për zhdëmtim, ai akoma nuk e ka parë dritën e diellit. “Të zgjedhurit” tanë nuk e kanë nxjerrë Ligjin as në Komisionin Parlamentar për Sistem Politik. Sipas regjistrimeve të Shoqatës, ne kemi afër 24.000 të dëmtuar, të persekutuar dhe të burgosur politikë, të cilët janë të ndarë në dymbëdhjetë kategori. Ka shpresë për zgjidhjen e këtij problemi, por vetëm në rast se vjen në pushtet një klasë e re politike, njerëz të formuar kombëtarisht, intelektualisht dhe profesionalisht, njerëz me një mentalitet të ri politik. Sukseset nuk ndodhin vetë. Ato i planifikojnë dhe prodhojnë kokat, të cilat ne i kemi,  njerëz të cilët shikimin e kanë nga yjet, por këmbët i kanë në tokë, siç thoshte Franklin D. Ruzvelt-i.

(Shenja / Ismail SINANI)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>