Para dy javëve kryetari i ASH-së Arben Taravari tha se brenda këtij mandati gjuha shqipe do të zyrtarizohet dhe do të bëhet e barabartë me maqedonishten, por në DailyClick kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi më i matur, nuk shpejton, për tu bërë kjo, së pari do të duhej të ndryshohej teksti i preambulës për atë së kush është bartës i sovranitetit të shtetit.
“Mënyra e definimit të shtetit e ka implikuar edhe mënyrën e definimit të politikës gjuhësore. Në qoftë se në preambulë të shtetit e keni një etni e cila është bartëse e sovranitetit, në këtë rast maqedonasit, se kush e ka bërë këtë tekst opinioni e di, kjo rrjedhimisht është pasqyruar edhe në definicionin e politikës gjuhësore të Maqedonisë së Veriut. Me këto ligje që janë bërë, është avancuar përdorimi i shqipes, por për ta barë gjuhën shqipe zyrtare në nivel të maqedonishtes i bie që të ndryshohet teksti i preambulës”, tha Zeqirija Ibrahimi.
Tarvari ishte i bindur se do të bëhet, tani ju po thoni se do të duhej të bëhej. A jeni ju më skeptik?
“Jo. Se për shkak se unë vij nga fusha e gjuhësisë, e di se këto gjëra nuk duhet të ngutemi dhe t’i themi se do bëhet. Unë mendoj se z.Taravari është optimist i mirë në këtë rast, por për shkak se unë e di se si shkon definicioni i politikave gjuhësore nuk dua të jap fjalën se do të bëhet zyrtare, sepse kjo është e lidhur më tekstin e preambulës për atë së kush është bartës i sovranitetit. Dhe nuk mundesh pa e zgjidh çështjen e bartësit të sovranitetit, që të mund ta zgjidhim çështjen e politikës gjuhësore, andaj unë jam më i kursyer. Unë shpresoj që ne do të bëjmë avancim të ri të shqipes, por nuk mund të them me plot gojë se do të ketë zyrtarizim të plotë të gjuhës shqipe në shkallë të maqedonishtes”, tha Ibrahimi.
Për momentin Ibrahimi tha se po punohet që të hiqet termi 20%, që i referohet shqiptarëve në definicionin për gjuhën e dytë zyrtare, gjegjësisht gjuhës shqipe.
Se kush duhet ta bëje këtë Ibrahimi nuk tregoi, bile as që premtoi se e kanë ndër mend një gjë të tillë ndonjëherë ta bëjnë!
VLEN sikur ende është në kampanjën zgjedhore, ata ndaj çdo kritike të pushtetit VMRO VLEN, sikur përmendsh e kanë mësuar, fajtori është BDI, dhe çdo degradim të të drejtave të shqiptarëve nga VMRO arsyetojnë si pasoja të keqmenaxhimit të BDI-së, harrojnë se votat i morën, mu për shkak të keqmenaxhimit të BDI-së, por prej hyrjes në pushtet përgjegjësinë e mbajnë vetë aktorët e VLEN.