Shqiptarët, rol të rëndësishëm në referendumin e Maqedonisë

ShkupiMë 30 shtator në Maqedoni mbahen votimet për një referendum jo-detyrues, lidhur me ndryshimin e emrit të vendit në Maqedonia e Veriut. Në se votuesit do t’i thonë “PO” ndryshimit të emrit, kjo do t’i hapte rrugën vendit drejt integrimeve në NATO dhe në Bashkimin Europian:

Në historinë e saj të shkurtër të pavarësisë, Maqedonia nuk ka qenë kurrë para një sfide të tillë.

Banorëve u duhet të pranojnë ndryshimin e emrit të vendit, ose të hedhin poshtë marrëveshjen për këtë çështje me Greqinë.

Më 30 shtator në Maqedoni mbahen votimet për një referendum jo-detyrues, lidhur me ndryshimin e emrit të vendit në Maqedonia e Veriut.

Në se referendumi është i suksesshëm, ai do t’i hapë rrugën vendit ballkanik drejt anëtarësimit në NATO, megjithë kundërshtimin e madh të Rusisë.

Rreth 25 për qind e banorëve të Maqedonisë janë shqiptarë, të cilët janë pro marrëveshjes mes Greqisë dhe Maqedonisë. Vota e tyre është shumë e rëndësishme për referendumin, pasi rezultati përfundimtar mund të varet prej tyre.

Në Tetovë, në veriperëndim, të vendit, me shumicë shqiptare, një banore i tha Agjencisë Associated Press, se ajo nuk ka dyshime për drejtimin që duhet të marrë vendi.

Arbenita Meta thotë se qyteti i saj pret që njerëzit të votojnë për ndryshimin e emrit, vetëm për një arsye:

“Vota jonë synon që me ndryshimin e emrit, Maqedonia të integrohet në NATO dhe të fillojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian.”

Edhe Naser Kadriu, thotë se është e nevojshme që njerëzit të votojnë:

“Ne duam të kemi një rezultat pozitiv. Të gjithë njerëzit duhet të dalin në Referendum, ndoshta kjo do të jetë më e mira për popullin.”

Udhëheqësi Partisë së shqiptarëve “Bashkimi Demokratik për Integrim”, partnere në koalicionin qeveritar të Maqedonisë, tha se njerëzit do të votojnë “PO” në referendum, për paqen dhe stabilitetin e vendit.

Në një intervistë me “Associated Press” të martën, Ali Ahmeti tha se “Nuk ka një një plan B”.

“Unë mendoj se nuk ka një plan B dhe nuk dua të mendoj për të, sepse nuk dua t’i kthehemi së shkuarës. Ajo është e dhimbshme dhe nuk duhet përsëritur. Ne duhet të mësojmë nga e kaluara e dhimbshme dhe të vendosim për brezat e ardhshëm.”- tha Ahmeti.

Ai tha se nga takimet që ka patur me banorët, ai ka bindjen se shqiptarët do të dalin në referendum dhe do të votojnë për paqen dhe stabilitetin e vendit:

“Nga takimet që kam patur me qytetarët, kam besimin se shqiptarët do të dalin në referendum. Shumica e tyre do të votojnë “PO”. Ata do të votojnë pro NATO-s, për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian, do votojnë për të ardhmen, për paqen, stabilitetin dhe sigurinë,”- tha zoti Ahmeti.

Shkupi dhe Athina arritën një marrëveshje në qershor, pas muajsh me negociata të vështira dhe Parlamenti i Maqedonisë e miratoi marrëveshjen në korrik.

Në se votuesit e mbështesin marrëveshjen në referendum, hapi i mëtejshëm për Maqedoninë do të jetë ndryshimi i kushtetutës.

Hapi i fundit për pranimin në NATO, është ratifikimi nga parlamenti i Greqisë, vetëm pasi Maqedonia të përfundojë të gjitha procedurat e nevojshme.

Pyetja që do t’u përgjigjen votuesit të dielën është në se janë në favor të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe në NATO, përmes prnaimit të marrëveshjes mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>