Familjarët e viktimave të vrarë në liqenin e Smilkovcit tre vite më parë janë takuar me liderin e LSDM-së, Zoran Zaev.
Ata në këtë takim kanë kërkuar nga Zaev që ti dorëzoj të gjitha materialet që disponon lidhur me këtë krim makabër që ndodhi më 12 prill të 2012 në liqenin e Smilkovcit në periferi të Shkupit, ku u vranë katër të rinj maqedonas dhe një peshkatar maqedonas. Lidhur me këtë masakër, autoritetet maqedonase përmes një operacioni “Monstra” arrestuan dhjetëra shqiptarë, gjashtë prej të cilëve më pas u dënuan me burgim të përjetshëm si autorë të vrasjes, mirëpo ky dënim shkaktoi edhe revoltë dhe protesta masive të shqiptarëve, duke theksuar se bëhet fjalë për proces të montuar.
Goran Nakevski, babai i njërit nga viktimat theksoi se nga Zaev ka kërkuar që ti jap të gjitha materialet që disponon lidhur me këtë masakër. Nga ana tjetër, Zaev ka theksuar se do të publikojë të gjitha materialet që disponon lidhur me përgjimet. Familjarët maqedonas kanë theksuar se presin që këto materiale të kenë efektin e tyre dhe të nxisin një proces për zbardhjen e plotë të vrasjes së pesëfishtë.
Nga ana tjetër, edhe familjarët shqiptarë të gjashtë të dënuarve kërkuan kohë më parë që lideri opozitar maqedonas të zbardh të gjitha materialet që disponon lidhur me vrasjen në Smilkovc. (INA)