Një javë pas vendimit të Presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, që të amnistojë 56 politikanë e bashkëpunëtorë të tyre nga akuzat për veprimtari kriminale, mijëra qytetarë të këtij vendi po protestojnë çdo ditë kundër këtij vendimi, shkruan shtypi gjerman.
Dita e sotme, e enjte, është paralajmëruar si “Dita D”, sepse në rrugë do të dalin edhe mbështetësit e pushtetit aktual, shkruan javorja autoritative gjermane “Der Spiegel”.
Kërkesa kryesore e protestuesve është ajo për tërheqjen e vendimit të Presidentit Ivanov për amnistinë e pjesëtarëve të elitës politike e shtetërore, të cilët po hetoheshin nga Prokuroria Speciale e Shtetit për përgjimin ilegal të 20 mijë qytetarëve, për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe për kriminalizimin e rivalëve politikë, nëpërmjet policisë dhe organeve të drejtësisë.
Por, opozita po kërkon edhe shtyrjen e zgjedhjeve të shpallura për datën 5 qershor, me arsyetim se deri atëherë nuk mund të zgjidhet problemi me listat e zgjedhësve, në të cilat besohet se gjenden 100.000 votues të paqenë, dhe reforma në skenën mediale që dominohet nga partitë në pushtet.
“Janë dhjetra mijëra maqedonas të hidhëruar që tash një javë dalin në rrugë, anembanë vendit, për të protestuar kundër pushtetarëve nacional-autoritarë”, shkruan “Der Spiegel”.
Kjo revistë citon qëndrimin e publicistit maqedonas, Sashe Jordanov, lidhur me krizën aktuale në Maqedoni.
“Ne jemi vend në shkatërrim. Praktikisht më nuk ka institucione legale. Fati ynë është në duar të bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë ai.
“Evropa hesht shumë gjatë na Maqedoni, sepse ky shtet ndalon valën e refugjatëve në kufi me Greqinë”, shkruan “Der Spiegel”.
Megjithatë, të premten ka ftuar një takim të ri me liderët politikë, në Vjenë, i cili do të mbahet nën drejtimin e komisarit evropian, Johannes Hahn.
Por, Dushan Reliq, ekspert i Fondacionit “Shkenca dhe Politika” nuk pret shumeë nga ky takim.
“Zhvillimet aktuale dëshmojnë se regjimi i Gruevskit (kryeministrit të Maqedonisë, Nikola Gruevski, v.j.) dëshiron të mbtetet në pushtet me çdo çmim, për shkak se përfaqësuesit e tij i pret burgu”, ka thënë Reliq. (illyriapress)