Gjithsej 165 milionë denarë prej sot janë vendosur në dispozicion të 12 komunave për realizimin e projekteve infrastrukturore, me të cilat pritet të përmirësohet jeta e qytetarëve.
Paratë janë siguruar përmes projektit për përmirësimin e shërbimeve komunale që e zbaton Ministria e Financave me ndihmë të Bankës Botërore, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Nga mjetet e përgjithshme, 136.8 milionë denarë janë kredi me norma të volitshme interesi nën një përqind, ndërsa 28 milionë denarë janë mjete grandi.
Kredi kanë marrë Tetova, Koçani dhe Dellçeva, të cilat mjetet do t’i shfrytëzojnë për ndërtim të rrugëve.
Në Tetovë me kredinë prej 60.6 milionë denarëve pritet të vazhdohet bulevardi “Video Smilevski – Bato” që është arteria kryesore e komunikacionit për trafikun, i cili nga Shkupi, Tetova dhe Gostivari lëvizë drejt vendkalimit kufitar.
Mjetet granti morën komunat Bërvenicë, Butel, Debërcë, Gostivar, Ilinden, Kisella Vodë, Gazi Babë, Gjevgjeli dhe Çeshinovë Obleshevë të cilat paratë do t’i shfrytëzojnë për ndërtimin e ujësjellësve, skejt parqeve, riparimin e kopshteve, furnizimin e mekanizimit dhe ndriçim të rrugëve.
Marrëveshjet u nënshkruan sot në Minsitrinë e Financave nga ana e zëvendësministres së Financave, Shiret Elezi dhe kryetarëve të komunave të Tetovës, Koçanit, Dellçevës, Bërvenicës, Butelit, Debërcës, Ilindenit, Kisella Vodës, Gazi Babës, Gjevgjelisë dhe Çeshinovë-Obeleshevës.
Shuma e përgjithshme e projektit për përmirësim të shërbimeve komunale arriti 100 milionë euro. Deri më tani janë financuar mbi 230 projekte kapitale në të gjitha komunat në shtet./Telegrafi/