Situata politike në Maqedoni diskutohet në Kuvend. Bumçi: Shkupi drejt “putinizmit”

Kuvendi ALKomisioni parlamentar i politikës së jashtme ka thirrur për informim përfaqësues të Ministrisë së Jashtme për situatën e tensionuar në Maqedoni.

Sekretari i përgjithshëm Qirjako Qirko në dikasterin e diplomacisë dhe drejtori për Rajonin në të, Bashkim Rama kanë informuar mbi situatën shqetësuese në vendin fqinj, si dhe i janë përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të komisionit për gjendjen e shqiptarëve atje, gjatë raportimit me dyer të mbyllura në komision.

Në vendin që shqiptarët janë faktor shtetformues, paradoksalisht Shqipëria nuk është e përfaqësuar me ambasador, si shkak i bllokimit të diplomatit të karrierës, Fatos Reka, nga presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Ky fakt është nënivizuar nga kryetarja e komisionit, Arta Dade gjatë pjesës së hapur për mediat.

“Nuk ndërhyjmë në kompetencat që ka presidenti, por është urgjente që Republika e Shqipërisë të paraqitet në nivelin më të lartë, atë të ambasadorit, në ambasadën që ne kemi në Shkup”, deklaroi Dade.

Ndërsa qëndrimi zyrtar për situatën në Maqedoni, ashtu si edhe në raste të tjera është diskutuar me dyer të mbyllura në komision, për shkak të sensibilitetit të çështjeve.

Nënkryetari i këtij komisioni, Aldo Bumçi e shprehu qëndrimin e tij për mediat për atë çka është duke ndodhur në Maqedoni. Ish-ministri i Jashtëm e krahasoi kryeministrin Nikolla Gruevski për politika të ngjashme me ato të presidentit rus, Putin.

“Është shumë e qartë që kriza në Maqedoni nuk ka shkaqe etnike, por është një krizë e krijuar nga zbatimi i putinizmit. Një sistem autoritar që po zbatohet nga qeveria aktuale dhe kryeministri, i cili po kontrollon institucionet e pavarura, median, godet opozitën dhe po zbaton modelin e Putinit në Maqedoni. Një shqetësim i ngritur nga sekretari amerikan i Shtetit dhe zyrtarë të tjerë të lartë perëndimorë, për këtë rrezik të dobësimit të demokracisë në Europën Lindore dhe në Ballkan”, tha Bumçi.

Nëse situata në Maqedoni duket se nuk ka shumë vend për debat mes palëve politike në Shqiperi, emërimi i ambasadorëve mbetet një objekt debati.

Për Aldo Bumçin, ngërçi i mungesës së përfaqësimit të Shqipërisë në Shkup në nivel ambasadori është propozimi, sipas tij, politik i Ministrisë së Jashtme.

Ndërsa vetë presidenti, që ka refuzuar të dekretojë diplomatin e karrierës Fatos Reka, ka deklaruar se nuk i ka dhënë OK-ejin për shkak të mungesës së konsultimit të qeverisë me të për emrat e ambasadorëve, duke bllokuar disa të tillë.

Në ping pongun e procedurave Presidencë-Qeveri, ajo që mbetet fakt është mungesa e përfaqësimit me ambasador të Shqipërisë në Maqedoni, ku shqiptarët janë etni shtetformuese. / Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>