Në Maqedoninë e Veriut mund të pasojë një krizë politike pas dorëheqjes së kryeministrit Zoran Zaev, i cili ende nuk e ka dorëzuar atë në parlament, ndërsa opozita maqedonase kërkon me çdo kusht zgjedhje të parakohshme.
Partia e zotit Zaev thotë se ai po bën konsulta me një pjesë të partive të koalicionit, por se ai është i vendosur lidhur me dorëheqjen e shpallur. Një pjesë e analistëve vlerëson se kryeministri maqedonas duhet ta çojë deri në fund mandatin për të mos i lënë hapësirë krizave të mundshme dhe frenimit të reformave. Përveç krizës politike, vendi po shkon edhe drejt një krizë të paralajmëruar energjitike.
Opozita maqedonase ngul këmbë që sa më parë të shpallen zgjedhjet e parakohsme parlamentare dhe kryeministri Zaev ta dorëzojë dorëheqjen në parlament.
Sipas VMRO-DPMNE-së, vetëm kështu mund të ecë vendi përpara. Por, me sa duket ajo është partia e vetme që kërkon zgjedhje të parakohshme. As aleatët e saj, partitë shqiptare të opozitës nuk janë të sigurta nëse duan të shkojnë në zgjedhje të shpejta, por duan një shumicë tjetër parlamentare, pa BDI-në dhe LSDM-në.
Dorëheqja e Kryeministrit Zoran Zaev ka krijuar një situatë të paqartë, ndërsa ai ende nuk e ka dorëzuar atë në parlament për procedimet e mëtejshme, as nuk është folur publikisht për një emër nga radhët e social-demokratëve të tij që do ta zëvendësonte. Sidoqoftë, largimi i tij, sipas analistëve do të thellojë krizën politike, por mund të zvarrisë edhe reformat dhe proceset që ndërlidhen me integrimin evropian të vendit.
Mersim Maksuti, profesor universiteti, vlerëson se dorëheqja e kryeministrit maqedonas Zoran Zaev ishte e nxituar dhe aq më tepër kur vjen si rrjedhojë e rezultatit në zgjedhjet lokale dhe jo atyre të përgjithshme.
“Edhe pse dorëheqja paraqet një akt moral dhe më tepër është një lloj sanksioni i përgjegjësisë politike në demokraci për politikanët e përgjegjshëm kur dikund atyre u del rezultati i padëshiruar në zgjedhje, por duke marrë parasysh rrethanat në të cilat gjendet aktualisht Maqedonia e Veriut, aq më tepër ne jemi në një situatë kur i hyjmë zgjidhjes së problemeve kapitale që i kishte vendi ynë të akumuluara për 30 vjet dhe jemi në gjysmë të rrugës së zgjidhjes së tyre – dhe kjo (dorëheqja) pikërisht vjen si një lloj goditje ndaj këtyre proceseve. Në radhë të parë, ndaj integrimit të vendit tonë në strukturat Euro-atlantike, konkretisht në BE, por edhe relaksimi i marrëdhënieve ndëretnike brenda shtetit, një çështje kjo që nuk mund të lihet anash”, thotë Mersim Maksuti.
Zoti Maksuti thotë se kryeministri Zaev është mandatuar për katër vjet për të menaxhuar politikat nacionale që për momentin janë strategjike për Maqedoninë e Veriut. Analisti thotë se në rast të një krize më të thellë politike vendi do të mund të rrëshqiste në kahe të padëshiruara dhe të bllokohen proceset tashmë të nisura, siç është ai i anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Kryeministri Zaev nuk ka bërë paraqitje publike që nga dita e shpalljes së dorëheqjes, pak orë pas mbylljes së kutive të votimit të dielën. Ai njihet si pro-perëndimor dhe ka merita për zgjidhjen e problemit shumëvjeçar me Greqinë fqinje; për relaksimin e raporteve ndëretenike në vend, po ashtu, sa që në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës partia e tij (LSDM) vlerësohet të ketë marrë nga 40 mijë deri në 60 mijë vota të elektoratit shqiptar.
Departamenti i Shtetit ka thënë se po e ndjek me vëmendje gjendjen e krijuar ndërsa pret përparimin e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian.
voa