Të dhënat e fundit nga Fondi i Shëndetësisë kanë ngjallur edhe një herë dyshimet se në Maqedoni ekzistojnë 200 deri 300 mijë vota fiktive, që mund të manipulohen nga pushteti gjatë zgjedhjeve, njofton agjencia e lajmeve INA.
Të dhënat tregojnë se në Maqedoni ka gjithsej 1 milion e 800 mijë persona të siguruar, Kjo shifër është për mbi 200 mijë më e ulët në krahasim me numrin zyrtar të popullsisë të regjistruar në vitin 2002, që është 2 milion e 65 mijë banorë. Edhe më të dyshimta bëhen shifrat nëse kemi parasysh se në regjistrin zgjedhor në Maqedoni ka 1 milion e 778 mijë votues, që është shifër përafërsisht e barabartë me numrin e personave të siguruar, që konsiderohet si një nga treguesit më objektiv të numrit real të banorëve. Nëse kemi parasysh se 427 mijë banorë janë të moshës adoleshente (pa të drejtë vote), atëherë dyshimet për votues fiktiv mund të arrijnë deri në 300 mijë.
Anëtarë të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) bëjnë të ditur se me një trup të tillë votuesish prej 200 mijë deri në 250 mijë votuesish në Maqedoni zgjidhen mbi 20 deputetë.
Ndërkaq, politikanë dhe analistë shqiptarë që nga pavarësimi i Maqedonisë kanë paralajmëruar se qindra mijëra vota manipulohen me qëllim që të ruhet epërsia numerike e maqedonasve ndaj shqiptarëve në Kuvend.
Si argument në këtët funksion të këtyre dyshimeve, ata e përmendin edhe ndërprerjen e regjistrimit të vitit 2011.
Njohësi i zhvillimeve politike, Shpëtim Pollozhani thotë se, Enti Statistikor Republikan është institucioni vendimtar për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në një pushtet kaçakësh ku vjedhja e votës është mënyrë jetë, njofton agjencia INA.
“Si mundet të dilet në zgjedhje me mbi 200.000 mije votues fiktive.Të gjithë e dimë se nga 2.080.000 banorë të Maqedonisë (!), 1.800.000 janë votues???!!! Ku është këtu mosha, nën 18 vjeç? Ku është kontrolli i Entit Statistikor Republikan, në të cilin nga 12 sektorë, asnjërin nuk e udhëheq kuadër shqiptar”, shprehet ai.
Procesi i paraparë për pastrimin e listës së zgjedhësve ende nuk ka filluar kurse deri në zgjedhjet e parapara për në prill, mbeten edhe tre muaj duke llogaritur këtu edhe tre javët e fushatës zgjedhore. Nga KSHZ-ja thanë se procesi pritet të fillojë shumë shpejt por pa përcaktuar konkretisht se kur.
Procesi për pastrimin e listës ende nuk ka filluar përderisa koha e mbetur në dispozicion deri në zgjedhjet e prillit mbetet shumë e shkurtër. Ditë më parë, vetë anëtarët e Komisionit Shtetëror Zgjedhor u shprehën me qëndrime të kundërta rreth asaj nëse koha e mbetur deri në prill,do të mjaftojë ose jo, për pastrimin e kësaj liste zgjedhore. (INA)