Sofja konfirmon veton, akuzon Shkupin për nxitje të urrejtjes

Zaev BorisovKryeministri Zaev dhe Borisov. Foto nga arkivi.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka deklaruar se po bëhet gjithnjë e më e sigurt se vendi nuk do të mund ta evitojë veton nga Bullgaria. Pavarësisht kësaj, Zaev la të shpresohet se konferenca e parë ndërqeveritare ndoshta do të mbahet deri në fund të vitit.

“Ne kemi arritur marrëveshje për pesë personalitete historike, tri periudha historike dhe ne jemi të gatshëm t’i shpallim ato dhe të nisin t’i aplikojmë në tekstet shkollore, si këtu ashtu edhe në Bullgari. Ne duhet të vazhdojmë më tej dhe unë jam i bindur se me vendimet pozitive ne ndërtojmë miqësinë”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev.

Zyrtarë të lartë të Bullgarisë, si zëvendëskryeministri Krasimir Karakaçanov dhe shefja e diplomacisë, Ekaterina Zaharieva, kanë bërë të qartë se bisedime mund të ketë, sikur që mund të ketë edhe marrëveshje, por vetëm nëse pranohen kërkesat e palës bullgare. Madje, në paraqitjet e fundit, zyrtarët bullgarë kanë akuzuar Shkupin për nxitje të urrejtjes dhe vjedhje e falsifikim të historisë.

“Nuk mundet që të vidhni historinë bullgare, të thoni se ky apo ai janë maqedonas dhe jo vetëm që ta vidhni, por edhe ta falsifikoni dhe në bazë të falsifikimeve të nxitini gjuhën e urrejtjes… Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë bisedimet, do të bisedonim edhe gjatë natës së festave të Vitit të Ri, nëse ata janë të gatshëm të pranojnë kërkesat tona. Ata nuk mund të dalin me argumente se ‘ky është identiteti ynë’. Prisni, ‘ky është identiteti juaj, por është i sajuar’”, ka deklaruar për televizionin Kanal 3, zëvendëskryeministri Karakaçanov, i cili njëherësh është edhe ministër i Mbrojtjes.

Zyrtarët bullgarë gjithashtu kanë kritikuar autoritetet maqedonase për nderimet që po i bëjnë të kaluarës komuniste, e që sipas tyre është në favor të Rusisë.

“Nuk mundet që në njërën anë të dëshironi të anëtarësoheni në BE dhe të demokratizoni shoqërinë dhe në anën tjetër të mbani manifestime për diktatorin më të errët, Titon. Nëse vazhdojmë t’i mbyllim sytë nga faktet se ky vend vazhdon ashtu siç e kishin paramenduar Titoja dhe Stalini, atëherë ne me këtë i bëjmë shërbim Moskës”, ka deklaruar shefja e diplomacisë bullgare Eketerina Zaharieva, në një intervistë për televizionin shtetëror bullgar.

Duke komentuar pozicionin e palës bullgare dhe asaj maqedonase, Arsim Sinani, drejtues i Qendrës për studime ndërkombëtare dhe hulumtime ballkanike, thotë për Radion Evropa e Lirë se Bullgaria vështirë do të bëjë kompromis, por sipas tij, pala bullgare do të qëndrojë deri në fund pas kërkesave të saja.

Ai thotë se pala maqedonase duhet të reflektojë, pasi në këtë rast nuk bëhet fjalë për mohim të identitetit.

“Mendoj se Bullgaria me të drejt kërkon një kompromis, i cili mendoj se nuk ka të bëjë me identitetin, por ka të bëjë me gjenezën. Askush nuk ta konteston identitetin se si ndihesh ti. Këtë askush nuk mund të ta kontestojë, por kompromise duhet të ketë nga të dyja palët. Unë nuk shoh ndonjë problem. Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s dhe hapja e derës për në Evropë i garanton maqedonasve të sotëm që të mbijetojnë apo të kenë perspektivë si popull. Këta, këtë duhet ta kuptojnë. Mendoj se Bullgarinë duhet ta shohin si shtet vëlla. Kjo mendoj se duhet të ndodhë këtu, por konsideroj se ende rryma serbe është e fortë në Maqedoninë e Veriut dhe e pengon këtë proces”, thotë Sinani.

Pala bullgare konteston gjuhën dhe identitetin e maqedonasve me pretendimin se ato kanë “rrënjë bullgare”, se gjuha maqedonase është krijuar pas vitit 1945 nga një dialekt i gjuhës bullgare dhe asaj serbe. Dy vendet në vitin 2017 nënshkruan një marrëveshje për fqinjësi të mirë, por në vend të afrimit, jo ka ndarë edhe më shumë dy shtetet. (rel)

Lexoni edhe këtë më 05 nëntor 2020:

Bullgaria nuk heq dorë nga kushtet për Maqedoninë e Veriut

Mbledhja e parë ndërqeveritare ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Maqedonisë së Veriut, që nënkupton edhe nisjen e biedimeve të anëtarësimit në union, bazuar në qëndrimet e palëkundëra të Sofjes, nuk do të ndodhë për shkak të mostejkalimit të dallimeve lidhur me emrin e shtetit, gjuhën, identitetin dhe preardhjen etnike të disa personaliteteve nga e kaluara historike.

“Ne ende nuk jemi në gjendje të miratojmë kornizën për nisjen e bisedimeve për Maqedoninë e Veriut, por jemi në duke punuar në mënyrë aktive me presidencën gjermane, si dhe me kolegët nga Republika e Maqedonisë së Veriut për gjetjen e zgjidhjes. Mbështetja jonë për këtë vend asnjëherë nuk e qenë pa kushte”.

“Bullgaria nuk e konteston gjuhën dhe identitetin modern të popullatës së atjeshme. Ne qartë dhe me kohë e kemi bërë të ditur qëndrimin tonë, që vitin e kaluar qeveria dorëzoi në Kuvend deklaratën, e cila ishte mbështetur nga të gjitha partitë”, ka deklaruar në një prononcim për televizionin shtetëror bullgar (BTV) ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva.

Ajo vuri në dukje se është në interes të Bullgarisë që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian.

“Nuk është vetëm historia ajo që shqetëson, por edhe gjuha e urrejtjes”, ka theksuar Zahariev, duke shprehur indinjatën për, siç ka thënë, “mosnjohjen e së vërtetës historike që çon në probleme mjaft serioze në marrëdhëniet midis dy vendeve”.

Sofja kërkon marrëveshje të re, Shkupi refuzon

Pala bullgare disa herë ka bërë të ditur se kontesti mund të zgjidhet përmes një marrëveshjeje të re, të ngjashme me atë që u arrit me Greqinë për çështjen e emrit, por Qeveria e Maqedonisë së Veriut vlerëson se nuk ka nevojë për marrëveshje të re apo aneks ndaj marrëveshjes së vitit 2017 për kontestin me Bullgarinë.

Lidhur me kontestin, të mërkurën, kryeministri Zoran Zaev ka biseduar me telefon me kancelaren gjermane, Angela Merkel, ku siç theksohet në njoftimin e qeverisë, Zaev e Merkel, kanë theksuar synimin e dy vendeve, që konferenca ndërqeveritare të mbahet gjatë presidencës gjermane me BE-në, në dhjetor.

Duke komentuar kërkesat e palës bullgare, Nano Ruzhin, ish- ambasador i Maqedonisë së Veriut në NATO dhe njohës i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se duhet pritur deri në momentin e fundit dhe të besohet se megjithatë mund të arrihet zgjidhje që vendi të mos bllokohet në procesin e integrimit në BE.

“Për çështjen e gjuhës maqedonase, për të cilën pala bullgare kërkon që të definohet si gjuhë me rrënjë bullgare, mendoj se zgjidhje mund të gjendet pasi kur kjo çështje është ngritur në Bruksel, pala bullgare sikur ka shprehur gatishmëri që të heqë dorë nga qëndrimi i fortë dhe të mos flitet për gjuhë maqedonase, por si gjuhë që është zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Apo, nëse duam të përmendim gjuhën maqedonase, atëherë duhet të pranojmë se ajo ka rrënjë bullgare. Mendoj se formula e parë nuk do të ishte problematike dhe mbi të mund të arrihet zgjidhje”, ka deklaruar Ruzhin.

Sipas tij, edhe për çështjet tjera, si atë për emrin e shtetit mund të ketë zgjidhje meqë Sofja kërkon që në asnjë dokument të mos shkruhet vetëm emri Maqedonia e Veriut, pa parashtresën Republika.

Ruzhin thotë se pret zgjidhje edhe për pakicën entike maqedonase në Bullgari, si dhe për kontestin lidhur me preardhjen etnike të disa personaliteteve, siç është edhe Goce Dellçev, që mund të përkufizohet si personalitet mbi interesat kombëtare e shtetërore. (rel)

Lexoni edhe këtë më 25 tetor 2020:

I kujt ishte Goce Delçev?

Moscaktimi i datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, si dhe qëndrimi i fundit i palës bullgare rreth figurës së Goce Dellçevit, vë në pikëpyetje edhe të ardhmen e Komisionit të ekspertëve mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Ky komision duhet të gjejë një modalitet për festimin e përbashkët të figurës së Goce Dellçevit, i cili nga të dyja palët llogaritet si figurë kombëtare e tyre, si dhe duhet të angazhohet për gjetjen e një modeli të përbashkët për t’i përmirësuar librat e historisë.

Petar Todorov, anëtar i Komisionit në fjalë, thotë se zhvillimi i bisedimeve me palën bullgare bëhet edhe më i vështirë për shkak të ndërhyrjes së politikës.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Todorov thotë se Komisioni i ekspertëve mund të përafrojë shumë më shpejt dallimet rreth çështjeve të caktuara, por shprehet se “sharra has në gozhdë” për shkak se politika përfshihet në këtë proces dhe nuk u lihet në dorë vetëm historianëve.

“Në Bullgari, jo rrallëherë paraqiten deklarata nga ana e politikanëve, të cilët në kuptimin e plotë të fjalës përcaktojnë rrjedhën e punës së komisionit dhe çfarë rezultate duhet të japë ky komision. Në masë ndoshta më të vogël kjo ndodh edhe në Maqedoni”, thotë Todorov.

Ai thekson se deklaratat e pamatura në masë të madhe, ua lidhin duart historianëve që të arrijnë ujdi për çështje të caktuara që kanë dallime të dyja shtetet, sa i përket historisë.

Nga ana tjetër, Ismet Jonuzi Krosi, ligjërues në Universitetin e Tetovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se raportet maqedonase-bullgare kanë hyrë në vlugun e fakteve të reja historike për ta pastruar historiografinë komuniste, e cila është dashur të pastrohej shumë herët në mes të këtyre dy shteteve fqinje.

Ai thekson se moscaktimi i datës, në njëfarë forme do të ngadalësojë edhe dinamikën e zgjidhjes së dallimeve për çështje të historisë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

“Për sa i përket marrëveshjes mes dy shteteve, është në interes të të dy vendeve që këtë ta realizojnë në formën më të drejtë. Kjo ngase Republika e Maqedonisë së Veriut, ka nevojë për t’u bërë pjesë e BE-së. Ndërsa, duhet theksuar se për gjithë këtë që po ndodh, nuk është faji te proceset e sotme, por tek e kaluara komuniste, andaj është mirë që komisionet përkatëse me patjetër të gjejnë gjuhë të përbashkët për të mirën e të gjithëve, që të jemi pjesë e BE-së”, vlerëson ai.

Nga ana tjetër, Petar Todorov thotë se pavarësisht dinamikës, me të cilën zhvillohet procesi i integrimit ndërmjet dy vendeve, është në interesin e të dyja vendeve që të zgjidhen çështjet e hapura.

“Edhe nëse ngadalësohet procesi i integrimeve si rrjedhojë e ndërprerjes së procesit të zgjerimit të BE-së, puna e Komisionit të ekspertëve mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, është në funksion të pajtimit me fqinjët tanë. Fqinjët tanë, Bullgaria dhe Greqia, nuk do të largohen nga këto hapësira. Pra, ne sërish do të mbetemi këtu, pavarësisht nëse do të kemi proces të përshpejtuar ose më të ngadalësuar të integrimeve. Nisur nga kjo, mendoj se është në të mirë të shoqërisë që t’i zgjidhim problemet me fqinjët tanë”, konsideron Todorov.

Ai nënvizon se gjatë procesit të fushatës zgjedhore, strukturat politike duhet të tregohen shumë të kujdesshme që të mos e minojnë procesin e zhvillimit të bisedimeve të ekspertëve të historisë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, si rrjedhojë e deklaratave populiste për konsum të politikës ditore.

rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>