Sofje, nënshkruhet Protokolli midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë

SofjeMinistrat e jashtëm të Maqedonisë së Veriut dhe të Bullgarisë e nënshkruan të dielën në Sofje, Protokollin e dytë midis dy vendeve fqinje përmes së cilit i mundësohet Maqedonisë së Veriut hapja e rrugës drejt negociatave me Bashkimin Evropian. Takimi vjen një ditë pas miratimit në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut të propozimit francez. Protokolli është pjesë e Marrëveshjes për Fqinjësi të mirë midis dy vendeve të arritur në vitin 2017.

 

Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani tha se ky akt paraqet një shans historik që pas 17 vjetësh me status kandidat Maqedonia e Veriut fiton rastin t’i hapë që nga e marta bisedimet me BE-në me që do të pasonte fillimin e fazës së fundit të aderimit drejt BE-së.

“Shpresojmë që ky proces dypalësh i bashkëpunimit me Republikën e Bullgarisë dhe rruga e negociatave integruese me me BE-në do të mundësojnë një bashkëpunim më të ngushtë midis dy shteteve tona” tha zoti Osmani.

Ndërkohë, ministrja e jashtme bullgare Teodora Gençovska tha se është arritur përparim në të gjitha grupet sektoriale që janë pesë gjithsej në numër; Se ekspertët e Ministrisë së Jashtme bullgare janë të gasthëm të vazhdojnë punën me grupet e punës së Ministrisë së Jashtme maqedonase dhe se tani mbetet të zbatohet marrëveshja e arritur dhe për këtë, sipas saj, duhet një angazhim serioz nga të dy shtetet.

“Bullgaria, tha zonja Gençovska, është shteti që më fuqimisht e mbështet integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë”, teksa u uroi atyre sukses në këtë rrugë.

Megjithatë, menjëherë më pas, ministrja Gençovska në një takim me shtypin bullgar është shprehur se Bullgaria vazhdon të mos e njohë gjuhën maqedonase. Por, se ajo nuk mund t’ua imponojë qëndrimin e saj 26 vendeve të tjera anëtare të BE-se lidhur me këtë, sipas shefes së diplomacisë bullgare.

Me të mbërritur në Shkup, ministri Osmani shpalosi pjesë të Protokollit, të cilin ai e quan një procesverbal nga takimi dypalësh. Sidoqoftë sipas dokumentit, apo protokollit të dyja palët angazhohen që librat shkollorë të historisë të përshtaten sipas marrëveshjes që do ta arrijnë anëtarët e Komisionit të përbashkët përkatës. Zoti Osmani se tha nuk ka afate për përfundimin e punës së këtij komisioni.

Ndërkohë, Shkupi duhet të sigurojë qasje tek arkivat lidhur me rehabilitimin e personave, viktima të komunizmit gjatë periudhës jugosllave dhe fillim-viteve ‘90, përkatësisht të hapë arkivat e shërbimit sekret jugosllav të kohes, UDB.

Po ashtu, dy shtetet zotohen që t’i kundërvihen gjuhës së urrejtjes, ndërkohë që Maqedonia e Veriut do të mbështetet tek institucionet e saj gjyqësore në këtë luftë dhe nuk do të veprojë sipas përcaktimeve të Sofjes.

Sipas shpjegimeve të zotit Osmani, del që në Protokoll të mos jetë përfshirë fare çështja e gjuhës maqedonase. Protokolli është shkruar në të dy gjuhët, maqedonisht dhe bullgarisht.

Ministri Osmani la të kuptohej se Protokolli do të publikohej deri në përfundim të ditës së dielë dhe se vonesa për këtë është bërë për shkak të nevojës së bashkërendimit të qëndrimeve me palën bullgare.

Shkupi pret që të martën të mbahet Konferenca ndërqeveritare në Bruksel ku do të bëhej edhe çelja e bisedimeve për anëtarësim me BE-në. Autoritetet maqedonase thonë se nga e martja fillon procesi i ‘skriningut’ dhe zyrtarë evropianë do të vijnë në Shkup për të parë dhe këshilluar institucionet e këtushme gjatë një periudhe që do të zgjaste një vit e gjysmë.

Më pas, Maqedonisë së Veriut i duhet mbajtja e një faze të dytë të bisedimeve me BE-në dhe kjo paraqet një kusht për të. Deri atëherë, vendi duhet të bëjë rishikimin e Kushtetutës dhe njohjen e pakicës bullgare në të. Një sfidë kjo e vështirë sepse shumica aktuale nuk i ka votat e duhura prej dy të tretave në parlament, ndërsa opozita maqedonase është shprehur në mënyrë kategorike kundër kësaj.

voa

 

 

 

Çfarë përmban Protokolli i firmosur nga Shkupi e Sofja, që i hapi rrugën negociatave?

 

Protokolli i firmosur në Sofje nga ministrat e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Bujar Osmani dhe Teodora Genchovska, është në formë ligjore procesverbali i një takimi, në të cilin bëhet një pasqyrë e rezultateve të arritura të dialogut dhe ndërsektorial.

 

Me nënshkrimin e tij, iu hap rruga mbajtjes së konferencës së parë politike ndërqeveritare të Maqedonisë së Veriut dhe BE-së. Komisioni i përbashkët ndërqeveritar është pjesë e detyrimeve që dalin nga Traktati i Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit të nënshkruar mes dy vendeve në vitin 2017.

Veç të dhënave për dialogun politik, takimet, punën e grupeve ndër sektoriale, protokolli përmban edhe pikat e paketës katër plus një dhe çfarë pritet nga dy vende në ato zona sipas Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë. Përkrahja për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut është pjesë integrale e Protokollit, tha Osmani, dhe këtu sqarohet mbajtja e Konferencës së parë Ndërqeveritare me BE-në, e cila në rastin e vendit është e ndarë në dy faza – një Konferenca politike, fillimi i procesit të shqyrtimit dhe më pas konferenca e dytë dhe hapja e kapitujve, por pas Maqedonisë së Veriut do të hyjnë bullgarët në Kushtetutë.

Sot në orën 18 dhe 30 do të merren vendime për dy konferencat, të parën që ndodh tani dhe të dytën e kushtëzuar nga ndryshimet kushtetuese. Në dokument theksohet qartazi se  Qeveria e Maqedonisë së Veriut pajtohet që konferenca e ardhshme ndërqeveritare lidhur me përfundimin e fazës së hapjes së negociatave për anëtarësim do të mbahet pasi të hyjnë në fuqi ndryshimet në Kushtetutë për të përfshirë qytetarët e saj që jetojnë në territorin e shtetit dhe janë pjesë e popujve të tjerë, si populli bullgar. Lidhur me reciprocitetin për të drejtat e pakicës maqedonase në Bullgari, Osmani u përgjigj se rregullimi kushtetues i Bullgarisë nuk i njeh bashkësitë etnike, sikurse nuk i njeh kushtetutat e Francës dhe Greqisë.

“Kushtetuta jonë është ndryshe. Mendoj se kjo ka qenë arsyeja në vitin 1999 në deklaratën e përbashkët mes kryeministrave të atëhershëm Ljubço Georgievski dhe Ivan Kostov, paragrafi i të cilit është riafirmuar në nenin 11, paragrafi i pestë i Marrëveshjes për fqinjësi të mirë dhe tani RSM konfirmon se asgjë në Kushtetutën e saj nuk mundet apo duhet të përbëjë ndërhyrje në punët e brendshme të Bullgarisë. Është i vetmi qëndrim asimetrik në Marrëveshje”,  theksoi Osmani.

Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>