Në Gjykatën Penale sot me dëshminë e dëshmitarit të mbrojtur do të vazhdojë gjykimi për lëndën “Monstra”, të cilën e udhëheq Prokuroria Speciale, ndërsa ka të bëjë me vrasjen e pesëfishtë më 12 prill në vitin 2012.
Kryetari i Këshillit Gjyqësor Ognen Stavrev, seancën e fundit e ndërpreu për shkak të lodhjes së dëshmitarit të mbrojtur, pasi u mor në pyetje nga Prokuroria Speciale dhe avokatët mbrojtës, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Dëshmitari i mbrojtur në seancën e kaluar tha se mbetet në dëshminë e tij që e ka dhënë më herët. Ai në seancë tha se i njeh disa nga të akuzuarit, pasi i ka parë ditën e vrasjes.
Mbrojtja theksoi se dëshmitari “E1” është konfuz në përgjigjet e tij dhe për këtë dyshojnë në vërtetësinë e dëshmive të tij. Ato thanë se mbi dëshminë e tij është bazuar edhe aktgjykimi i parë për lëndën “Monstra” që u shfuqizua nga Gjykata e Lartë, ndërsa lënda u kthye për rigjykim.
Për vrasjen në Liqenin e Smillkovës më 12 prill 2012, me burg të përjetshëm u dënuan Alil Demiri, Afrim dhe Agim Ismailoviq, Ezim dhe Haki Aziri dhe Sami Luta.
Ndërsa Gjykata e Lartë në dhjetor të vitit të kaluar shfuqizoi aktgjykimin dhe liroi nga burgu Agim Ismailoviq, Haki Aziri, Sami Luta dhe Fejzi Azirin dhe ju shqiptoi masat e përkujdesit./Telegrafi/