Të shkarkuarit e javës së kaluar Myftiu Ibrahim Shabani sekretari i BFI-së Afrim Tahiri dhe bashkëpunëtoret e tyre të shoqëruar nga një grup prej 50 personash dhunshëm janë futur mëngjesin e sotëm në hapësirat e BFI-së duke sulmuar fizikisht madje disa prej të punësuarve.
Incidentin e rënd nuk e ka parandaluar policia dhe organet shtetërore. Në momentin e incidentit në seli nuk ka qenë i pranishëm kryetari i BFI-së Sulejman Rexhepi.
Grupi që është futur në selinë e BFI-së është futur edhe në zyrën e kryetarit të këtij institucioni duke marrë vulat, mandej ka formuar një këshillë të udhëhequr nga Myftiu i shkarkuar i Shkupit Ibrahim Shabani dhe kanë vetëshpallur për kryetar të ri të BFI-së Afrim Tahirin, ish sekretarin e këtij institucioni i cili u shkarkua nga ky postë javën e kaluar nga Rijaseti i BFI-së, si organ më i lartë .
Gazetarëve më pas iu drejtua Myftiu i shkarkuar i Shkupit Ibrahim Shabani i cili ka udhëhequr grupin qe dhunshëm është futur ne selinë e BFI-së.
“Nga sot Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë do të udhëhiqet nga një Këshill i përkohshëm në krye me myftiun e Shkupit, Ibrahim Shabanin. Brenda këtyre ditëve formohet komision financiar të asistuar nga revizorë profesional të cilët do të konstatojnë gjendjen faktike financiare në Bashkësinë Islame të Republikës së Maqedonisë, pas së cilës xhemati dhe besimtarët do të jenë të njoftuar detajisht”, deklaroi Ibrahim Shabani, ish myfti i Shkupit.
Ministria e Brendshme e konfirmoi incidentin, por nuk dha detaje për atë që ka ndodhur mëngjesin e sotëm. Ata nuk spjegojnë as arsyet se pse policia edhe pse ka qenë prezentë në vendngjarje, ka qëndruar indiferente dhe nuk ka penguar hyrjen e sulmuesve në objektin e BFI-së. Deri tani nuk ka të arrestuar apo të ndaluar në stacion policor lidhur me këtë incident. Policia për momentin është para objektit te BFI-së duke mbrojtur dhe përkrahur ata që dhunshëm sot u futën në institucionin më të larët të myslimanëve në Maqedoni.
Ndryshe sulmi I sotëm mbi institucion fetar erdhi pas zënkës mes Sulejman Rexhepit dhe Ibrahim Shabani që një javë më parë. Konfrontimet kishin filluar gjatë një manifestimi në garat e leximit të Kuranit. Myftiu i shkarkuar Shabani dhe bashkëpunëtorët e tij janë akuzuar nga Rijaseti i BFI-se për keqpërdorimin e mbi gjysmë milion eurosh mjete të Myftenisë.Benjamin Arifi