Takim LSD-BDI për qeverisjen e ardhshme të Maqedonisë

Sekerinska TeutaZyrtarë të lartë të partive Lidhja Social Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim u takuan të hënën në Shkup për të biseduar në lidhje me të ardhmen e qeverisë së re, që duhet të dalë bazuar në zgjedhjet e 11 dhjetorit. Ky është takimi i parë i përfaqësuesve të dy partive, qëkur i mandatuari i parë Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO-DPMNE-së nuk arriti të formojë kabinetin qeveritar. Megjithatë, dy partitë ende duket se janë larg një marrëveshjeje, ndonëse takimi u cilësua si konstruktiv nga të dyja palët.

BDI-ja përfaqësohej nga tre nënkryetarët, Teuta Arifi, Nevzat Bejta dhe Izet Mexhiti, të cilët janë kryetarë të komunave të Tetovës, Gostivarit e Çairit në Shkup. Ndërkaq, nga Lidhja Social Demokrate po ashtu ishte e pranishme nënkryetarja Radmilla Sheqerinska si dhe Renata Deskoska, Stevo Pendarovski dhe Oliver Spasovski. Takimi u mbajt në një prej hoteleve të Shkupit.

Teuta Arifi u tha mjeteve të informimit se kishin paraqitur kërkesat tashmë të njohura në bisedime, por pa njoftuar për hollësi të tjera. BDI-ja do të diskutojë me kryesinë e saj për veprimet e mëtejshme.

Ndërkaq, Radmilla Sheqerinska tha se ishte biseduar për atë se si të dilet nga kriza politike, të cilën po e imponon, sipas saj, presidenti i vendit Gjorgje Ivanov duke mos ia dhënë mandatin për formimin e qeverisë partisë së dytë më të madhe, në këtë rast LSDM-së. Ajo la të kuptohej se bisedimet me BDI-në do të vazhdojnë brenda ditëve të ardhëshme. Në lidhje me kërkesat e partive shqiptare, LSDM-ja do të mblidhet mbase qysh sonte, për t’i shqyrtuar apo për të marrë një qëndrim.

Partitë shqiptare hartuan një deklaratë të përbashkët pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit, me anë të së cilës kërkojnë zyrtarizimin e gjuhës shqipe në të gjitha nivelet në të gjithë territorin e Maqedonisë, mbështetje për Prokurorinë e posaçme në hetimin dhe zbardhjen e rasteve që dalin nga skandali i përgjimeve dhe avancime të tjera të të drejtave të shqiptarëve në vend.

Nga ana tjetër, një pjesë e analistëve politikë vlerësojnë se qëndrimi i presidentit Ivanov përputhet me planet e VMRO-DPMNE-së për zgjedhje të reja, ndërsa nuk përjashtohet as mundësia që nëse edhe BDI-ja nuk pranon koalicionin qeveritar me LSDM-në, të mbështesë zgjedhjet e sërishme parlamentare.

LSDM-së i duhen 61 nënshkrime të ligjvënësve për ta marrë mandatin për formimin e qeverisë. Ajo vetë ka 49. BDI-ja ka 10, Lëvizja Besa 5, Aleanca për shqiptarët 3 dhe Partia Demokratike Shqiptare 2 deputetë. Njohësit e rrethanave thonë se ligjvënësit mund të mblidhen vetë, të zgjedhin kryetarin e Parlamentit dhe ta miratojnë kabinetin qeveritar, nëse presidenti Ivanov nuk e jep mandatin.

Sidoqoftë, një skenar i tillë do të thellonte edhe më tej krizën politike në vend. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>