Tentativa e fundit për marrëveshje përfundimtare për zgjidhjen e krizës politike do të zhvillohet më 29 qershor në Shkup. Ky është rezultati i sotëm pas takimit 1 orësh të 4 liderëve politik, Nikolla Gruevski, Zoran Zaev, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, me ndërmjetësimin e ambasadorit të Bashkimit Evropian Aivo Orav dhe të SHBA-ve Xhes Bejli. Palët janë marrë vesh që të bëjnë përpjekjen e fundit në fund të muajit dhe nëse nuk arrijnë asnjë marrëveshje, të ndërpriten përfundimisht bisedimet. Liderët ranë dakord gjithashtu edhe për kthimin në piedestal të Marrëveshjes së Përzhinos, të arritur më 2 qershor, e cila mbeti as në tokë as në qiell pas dështimit të bisedimeve të 10 qershorit.
“Ne liderët e partive kryesore politike sot u pajtuam që ta riafirmojmë zotimin tonë ndaj Marrëveshjes së 2 qershorit si dhe të vazhdojmë me bisedimet për implementimin e plotë të saj në nivel liderësh më 29 qershor. Ne gjithashtu përkrahim menaxhimin transparent nga ana e BE-së me tekstin e kësaj marrëveshje si dhe me të gjitha rekomandimet specifike në lidhje me reformat sistemore në fushën e sundimit të së drejtës, që do të zbatohen në interes të të gjithë qytetarëve”, thuhet në deklaratën e përbashkët të 4 liderëve.
Marrëveshja e 2 qershorit mes tjerash obligon pushtetin që t’i zbatojë të gjitha rekomandimet nga Raporti Pribe, i cili përmban kritika të ashpra dhe të drejtpërdrejta ndaj pushtetit lidhur me sundimin e ligjit. Nga LSDM-ja thonë se edhe pse nuk kanë obligim eksplicit që të mos vazhdojnë me publikimin e bombave deri më 29 qershor, sipas të gjitha gjasave nuk do të publikojnë materiale të përgjuara deri në takimin e ardhshëm. Euro-komisari Johanes Han dhe euro-deputetët e përfshirë në bisedimet janë ftuar të ndërmjetësojnë këtë raund bisedimesh, por deri tani nuk ka konfirmime për pjesëmarrjen e tyre. Nëse konfirmohet ndërmjetësimi i Hanit, data e bisedimeve mund të lëvizë 1 ose 2 ditë varësisht nga agjenda e tij dhe euro-deputetëve. Benjamin Arifi