Organizata OBRIE kërkon përgjegjësi nga inskenuesit, hetuesit, strukturat e shërbimit sekret, gjykatësit dhe strukturat politike që kanë gisht në rastin e Sopotit.
Organizata për Bashkëpunim Rajonal dhe Integrime Evropiane (OBRIE) kërkon përgjegjësi penale dhe politike lidhur me rastin e Sopotit, për të cilin së fundi lideri opozitar Zoran Zaev publikoi faktet dhe dëshmitë për një montim klasik të këtij rasti gjyqësor.
OBRIE vlerëson se në bazë të parimeve të së drejtës vendore por edhe ndërkombëtare, autorët e këtij montimi monstruoz duhet të përgjigjen penalisht para organeve të drejtësisë.
“Të gjithë ata që kanë marrë pjesë në këtë montimin e këtij rasti, duke filluar nga hetuesit, strukturat e shërbimit sekret që kanë ushtruar dhunë dhe inskenim, gjykatësit, prokurorët dhe bashkëpunëtorët tjerë që kanë ndihmuar këtë proces, duhet të përgjigjen penalisht. Përgjegjësi duhet të jap e lidershipi politik maqedonas dhe shqiptar që ka udhëhequr shtetin në këtë periudhë kohore, i cili edhe pse i ka ditur faktet ka heshtur përballë kësaj padrejtësie”, vlerëson OBRIE.
Kjo organizatë kërkon të kompensohen viktimat e këtij procesi, të burgosurit nga familja Klaiqi nga fshati Sopot, të cilët për gati një decenie u mbajtën të torturuar fizikisht dhe psiqikisht në kushte mizore në burgjet e Maqedonisë.
OBRIE gjithashtu kërkon të zbardhen edhe raste tjera gjyqësore të montuara gjyqësore përmes të cilave shqiptarët etnik në Maqedoni janë dënuar me mijëra vite burg.
OBRIE gjithashtu kërkon nga komuniteti ndërkombëtar të ndihmojë në zbardhjen e këtyre rasteve eklatante në të cilat njerëz të pafajshëm ende vuajnë dënime të rënda, të viktimizuar nga një sistem i degraduar i drejtësisë
“Pa u zbardhur dhe gjykuar në mënyrë të plotë dhe të drejtë këto raste Maqedonia nuk mund të pretendoj anëtarësimin në familjen evropiane. Maqedonia si shtet kandidat për anëtarësim në BE e ka të domosdoshme ti respektoj konventat ndërkombëtare dhe evropiane për të drejtat e njeriut”, thuhet në fund të reagimit.
Zbardhja e këtij procesi do të duhet të fillojë menjëherë sapo të merret një vendim gjyqësor lidhur me këtë rast. Në Gjykatën e Shkupit më 5 maj është caktuar seanca e radhës për rastin e Sopotit, por nuk dihet se çfarë vendimi final do të pasojë.
Sopoti është rikthye me publikimin e disa materialeve të përgjimeve nga opozita maqedonase, ku dolën shumë të vërteta në një bisedë midis ministres së brendshme Gordana Jankullovska dhe shefit të shërbimit sekret DSK, Sasho Mijallkov, se procesi ishte i montuar dhe se nuk kishte dëshmi dhe prova edhe në MPB.
Sulejman Sulejmani, Hasan Klaiqi, Samet Lutfiu, Shaban Limani, Shaqir Sulejmani, Bashkim Ukshini, Musa Klaiqi, Zenel Klaiqi, Selman Jahiu, i ndjeri Samet Limani dhe Afrim Ukshini ishin 11 personat e akuzuar për këtë rast. Grupi i atyre që kanë qenë në burg kanë mbajt dënimin për 7 vjet, dhe pas rikthimit të hetimeve për shkak të dyshimeve për proces të montuar, ata vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi, deri në finalizimin e procesit gjyqësor.(INA)