“Deri në prill të vitit 2016 duhet t’i plotësonin standardet, ajo ishte vendimi i qeverisë që u soll para dy viteve, përderisa ajo nuk respektohet, do të merën masa ligjore”, u shpreh Vlladimir Peshevski, zëvendëskryeministër.
Këtë deklaratë zëvendëskryeministri Peshevski e kishte dhënë në dhjetor të vitit të kaluar, i pyetur se çfarë do të ndërmerret nëse kombinati metalurgjik “Jugohrom” nuk përmbush standardet ekologjike.
Kaloi edhe ky afat dhe deri tani nuk është plotësuar kushti kryesor siç është vendosja e filtrave për uljen e nivelit të ndotjes së ajrit. Afati tjetër shtesë i dhënë nga Qeveria është 31 tetori i këtij viti.
“E fundit e cila ka filluar investimin është Jugohromi i Jugunovcës, investimi i të cilës pritet që të përfundoj vitin e ardhshëm dhe është në zhvillim e sipër”, tha Nikolla Gruevski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Edhe pas disa tentimeve, TV21 nuk arriti në asnjë mënyrë që të bie në kontakt me Ministrin e Mjedisit Jetësorë Bashkim Ameti.
Përgjigje nuk arritëm të marrim edhe nga drejtuesit e “Jugohrom”.
“Ministrat e Mjedisit që kanë qenë deri tani, të gjithë kanë qenë të njëmendje që kanë thënë se do e mbyllim Jugohromin nëse nuk plotësohen kushtet, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur për shkak se roli i tyre më sa duket në atë qeveri është thjeshtë roli i një figure pasi që nuk kanë fuqi vendimmarrëse, mesa duket nuk kanë ndonjë impakt tek ajo që ata quajnë partner koalicioni, apo tek VMRO-DPMNE”, tha Arianit Xhaferi, Kryetar i “Eco Guerilla”.
Sipas analizave të bëra nga organizata ekologjike “Eco Guerila”, Jugohromi qiellin e Pollogut e pasuron me 30 ton pluhur kancerogjen në dit. Ndërsa me vendosjen e filtrave vetëm 800 kilogram pluhur. (Tv21)