Tre euro-deputetët Houit, Kukan dhe Vajgëll përmes një deklarate të përbashkët kanë shprehur shqetësimin e tyre të thellë që 4 partitë politike nënshkruese të marrëveshjes së Përzhinës nuk arritën një marrëveshje të përbashkët e cila do të kontribuonte në drejtim të kapërcimit të krizës politike.
“Ne shprehim keqardhjen tonë të thellë që dialogu i fundit mes partive kryesore politike nuk çoi në një qasje të përbashkët për të kapërcyer krizën në vend. Lidhur me situatën e tanishme jemi të prerë dhe të shqetësuar se marrëveshjet për një qeveri që nuk bazohet mbi një marrëveshje nga të gjitha partitë rrezikon shuarjen totale të Marrëveshjes së Përzhinës dhe përfaqësojnë një kthim serioz mbrapa mbi sundimin e së drejtës, pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe medias, si dhe rrezikojnë rëndë procesin e reformave dhe rrugën euroatlantike të vendit”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Eurodeputetëve.
Në deklaratën e përbashkët të tre eurodeputetëve, iu bëhet apel liderëve që t’i mbeten besnik Marrëveshjes së Përzhinës, dhe të kthejnë prapa hapat e bërë në sundimin e ligjit.
“Ne mbetemi të bindur se marrëveshja e Përzhinës – dialogu politik përmes parlamentit, përgjegjshmëria dhe reformat që duhet të bëhen për mbajtjen e zgjedhjeve – mbeten mënyra më e mirë për ta nxjerr vendin nga kriza aktuale. Edhe pse lëvizja e gjykatës kushtetuese i hapi rrugën parlamentit për t’u rimbledhur dhe planifikuar zgjedhje të reja, ne besojmë se kriza mund të kapërcehet vetëm nëse 4 partitë i qëndrojnë besnike marrëveshjes së Përzhinës dhe punojnë për të zhbërë këto hapa prapa mbi sundimin e ligjit dhe të përgatisin terrenin për zgjedhje të besueshëm si dhe zbatimin e plotë të prioriteteve të reformave urgjente që janë pjesë e marrëveshjes së Përzhinës. Në veçanti faljet e presidentit përbëjnë shkelje të Marrëveshjes së Përzhinës dhe nuk janë në përputhje me sundimin e ligjit dhe funksionimin e demokracisë. Gjithashtu partitë duhet të ofrojnë mbështetjen e nevojshme ndaj Prokurorisë speciale dhe punës së saj, të cilat janë pika kryesore të marrëveshjes së Përzhinës”, thuhet më tej në deklaratë.
Në këtë reagim të tre eurodeputetëve kërkohet gjithashtu edhe angazhim më i fuqishëm i opozitës dhe shoqërisë civile.
“Iu bëjmë thirrje liderëve politikë që të tregojnë përgjegjshmërinë për fjalën e dhënë ndaj Marrëveshjes së Përzhinës dhe të punojnë fuqishëm për aspiratat demokratike dhe interesat e qytetarëve të Maqedonisë”, përfundon deklarata./Alsat-M/