Lideri i LSDM-së Zoran Zaev publikoi një tjetër skandal ku përfshihet kryeministri Gruevski. Nga bisedat telefonike të publikuara në bombën e 31-të të opozitës, dëshmohet se Gruevski ka blerë me paratë e Ministrisë së Brendshme, veturë të tipit “Mercedes” në vlerë prej 575 mijë eurosh.
Bisedat e publikuara sot dëshmojnë gjithashtu edhe kurdisjen e një tenderi në vitin 2011 për nxjerrjen e qymyrit, projekt me vlerë prej 20 milion eurosh.
Zaev publikoi edhe një bisedë mes Jankullovskës dhe Nikolla Todorovin, në të cilën pretendohet se synojnë të mbulojnë një shpërdorim prej 400 mijë eurosh në Ministrinë e Shëndetësisë, gjatë kohës kur ky dikaster drejtohej nga Bujar Osmani.
Zaev publikoi edhe një telefonatë mes shefit të shërbimit sekret në dorëheqje Sasho Mijallkov dhe zv/kryeministrit nga radhët e BDI-së Musa Xhaferi, ku ky i fundit kërkon tërheqjen e disa aparateve për pika karburanti, të konfiskuara nga policia.
Zaev publikoi edhe biseda të tjera që dëshmojnë sipas tij, se ministrat e dorëhequr kanë qenë vetëm realizues të përpiktë të urdhrave të kryeministrit Nikolla Gruevski. Benjamin Arifi