Zaev dhe Mickoski dje kanë pasur takim për PSP-në, dallimet mbesin akoma

Zaev-MickoskiKryeministri Zoran Zaev dhe kryetari i OBRM-PDUKM-së Hristijan Mickoski dje kanë pasur takim në të cilin kanë diskutuar për çështjen e Prokurorisë Speciale Publike (PSP).

Në takim kanë marrë pjesë edhe ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska dhe Toni Mekinoski, i cili është pjesë e ekipit negociues të OBRM-PDUKM-së, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Siç njoftojnë nga Ministria e Drejtësisë, në takim është arritur marrëveshje që konsultimet të vazhdojnë, pasi siç thonë, dallimet kyçe akoma ngelen.

“Potencojmë që gjitha partitë politike duhet t’i japin prioritet perspektivës evropiane të shtetit tonë, duke marrë parasysh rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe bashkësisë ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me sundimin e së drejtës dhe shtetit juridik, e të cilat janë kyçe për fillimin e negociatave me BE-në”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme kryeministri Zoran Zaev deklaroi se është përpunuar version i ri i Ligjit për Prokurorinë Publike, duke shtuar se janë pranuar një pjesë e madhe e propozimeve të OBRM-PDUKM-së. Zaev tha se “bombat” nuk do të përdoren si dëshmi në rastet të cilat janë hapur pas skadimit të afatit 18 mujor të PSP-së.

Por, këto deklarata i mohuan nga partia opozitare maqedonase duke thënë se Zoran Zaev nuk e ka lexuar ligjin i cili është dërguar tek ata.

Pritet që grupet e punës të dy partive maqedonase gjatë ditës së sotme të vazhdojnë negociatat për të arritur marrëveshje për Ligjin për Prokurorinë Publike, i cili në Kuvend duhet të miratohet me shumicë prej dy të tretave (80 vota)./Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>