Zaev: Janë kapërcyer disa dallime me BDI-në për formimin e qeverisë

ZaevLidhja Social Demokrate ka shtuar komunikimet me partitë shqiptare, në përpjekje të arritjes së një marrvëveshjeje për formimin e kabinetit qeveritar, ndërsa çështja e gjuhës shqipe vazhdon të mbizotërojë në këto bisedime.

Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev ishte të martën në mbrëmje në selinë e Bashkimit Demokratik për Integrim në Tetovë për të biseduar me Ali Ahmetin, kryetar i kësaj partie. Zoti Zaev u tha më pas mjeteve të informimit se “janë kapërcyer disa dallime me BDI-në, se nuk do të sillen zgjidhje për përdorimin e gjuhëve që nuk do të jenë në kornizat e Kushtetutës, ndërsa grupet e punës nga të dyja partitë po punojnë në drejtim të gjetjes së zgjidhjes për formimin e qeverisë”.

Por, nga ana tjetër, pretendenti për formimin e qeverisë u shpreh në mënyrë të prerë se ai po kërkon nënshkrimet e ligjvënësve të BDI-së por se nuk do të rrezikonte në asnjë mënyrë të kushtëzohej me ndryshime të Kushtetutës.

Ai tha, megjithatë, se shpreson që procesi i bisedimeve të përfundojë shumë shpejtë. “Më vjen mirë që të dy partitë kanë të njetin qëndrim që zgjdhjet të dalin nga kushtetuta”, theksoi Zaev, duke lënë të kuptohet se dallimet kanë të bëjnë me interpretimin e zbatimit kushtetues të ligjit për gjuhët. Kryetari social-demokrat shtoi se nëse ngelen çështje të hapura, do të mund që edhe pas gjashtë muajsh të hapen debate, të konsultohen ekspertët dhe të shikohet se çka është kushtetuese e çka jo.

Në lidhje me ndarjen e baraspeshuar të buxhetit të shtetit nëpër rajone, Zaev tha se ndajnë qëndrime identike me zotin Ahmeti, sepse kjo nuk është një çështje etnike por qytetare për çka të gjithë qytetarët do të kishin dobi, tha ai.

Ndërkaq, nga BDI-ja nuk bënë komente pas takimit. Qëndrimi publik i partisë shqiptare është se nuk heq dorë nga kërkesat e njohura nga deklarata e përbashkët e partive shqiptare, ndër to: zyrtarizimi i plotë i gjuhës shqipe, ndarja e barabartë e buxhetit, zbatimi i Marrvëshjes së Ohrit, përfaqësimi i drejtë i komuniteteve në administratën publike, etj.​

Më herët gjatë ditës, zyrtarë të lartë të LSDM-së u takuan me përfaqësues të Lidhjes për Reforma në Partinë Demokratike Shqiptare për të biseduar po për çështjen e gjuhës shqipe. Ndonëse partia shqiptare me koalicionin “Aleanca për shqiptarët” me tre deputetët e saj ka bërë me dije prej para disa javësh se do t’i japë nënshkrimet e nevojshme LSDM-së në mënyrë që ajo të marrë mandatin për formimin e qeverisë, por për të biseduar më pas për kushtet dhe aspektet tjera për formimin e kabinetit, mba po ashtu qëndrimin se shqipja duhet të jetë zyrtare në të gjitha nivelet e pushtetit qendror në të gjithë vendin.

Për formimin e qeverisë së Maqedonisë nevojiten votat e shumicës së thjeshtë në parlament, përkatësisht 61 vota. BDI, pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit, ndonëse doli me një numër më të vogël deputetësh se sa që kishte në mandatin para këtij, tash ka një rol kyç dhe pa votat e saj në parlament nuk formohet dot qeveria e re. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>