Kryeministri i Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Zoran Zaev shprehu besimin e tij, se negociatat me Greqinë për çështjen e emrit të vendit të tij vazhdojnë në një bazë të mirë.
Siç vuri në dukje z.Zaev, janë mbyllur tre nga shtatë pikat, që janë vënë në tryezën e negociatave dhe kanë lidhje me tërësinë e çështjes së emrit.
Duhet shënuar se të shtatë pikat e çështjes së emrit janë emri, përdorimi i emrit, gjuha, identiteti, përdorimi i tij tregtar, akronimet dhe shkurtimet.
Kryeministri i Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Zoran Zaev theksoi rëndësinë e «ndërtimit të besimit» midis dy palëve për zgjidhjen e çështjes së emrit, duke nënvizuar se «për ne është i pranueshëm një emër me përcaktim gjeografik, domethënë i hedhim poshtë të gjitha të tjerat, siç është koha e përcaktimit apo disa formalitete të tjera që ishin si propozime».
Zoran Zaev tha gjithashtu se takimi në Vjenë i ndërmjetësit të OKB-së, Matthew Nimetz me ministrat e Jashtëm të Greqisë Níko Kotziá dhe i IRJM-së Nikola Dimitrov, shënon fillimin thelbësor të negociatave për çështjen e emrit dhe shtoi se është shumë e rëndësishme të gjendet një zgjidhje e mirë, e cila do të marrë parasysh çështjet që kanë të bëjnë me identitetin kombëtar.
Duhet të rikujtojmë, se ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias u takua në datën 13 Shkurt në Vjenë, me homologun e tij të Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Nikola Dimitrov, në praninë e ndërmjetësit të posaçëm të OKB-së Matthew Nimetz, duke filluar zyrtarisht negociatat për zgjidhjen e çështjes së emrit. (ert)