Pas vendimit të djeshëm të Gjykatës Themelore Shkupi 1 për refuzimin e ankesave të mbrojtjes lidhur me propozim aktakuzën kundër liderit të LSDM-së, Zoran Zaev publikoi ndërprerjen e bashkëpunimit me gjykatat lidhur me rastin “Puçi”, të cilin e quan të montuar politikisht.
Ai theksoi se nuk do të merr pjesë në seancat gjyqësore lidhur me këtë rast dhe u bëri thirrje institucioneve që ta arrestojnë, ashtu siç parashikon ligji në rastet kur i dyshuari refuzon përmbushjen e masave të sigurisë, të caktuara nga gjykata.
“Nuk e njoh gjyqësorin si pushtet të pavarur me Kushtetutë dhe Ligj. Gjyqësori është nën kontroll të plotë të Nikolla Gruevskit dhe pushtetit të tij. Nuk do të marr pjesë në seancat e caktuara gjyqësore. Nuk do të vazhdoj të respektoj masën për paraqitje në Gjykatë çdo të hënë në ora 9 dhe masat e tjera për sigurimin e prezencës për realizimin e procedurës penale. Me këtë komunikim timin publik, Gjykata është e obliguar që në pajtueshmëri me Ligjin për Procedurë Penale menjëherë të caktojë masë paraburgimi dhe të më privojë nga liria. E pres nga sot këtë vendim të Gjykatës. Unë jam në hapësirat e LSDM-së ose në Kampin e Lirisë para Qeverisë”, u shpreh Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.
Edhe përkundër proceseve gjyqësore mbi kokën e tij, Zaev tha se do t’i vazhdojë bisedimet me kryeministrin Gruevski, për shkak të domosdoshmërisë për largimin e tij. Ai i konfirmoi informatat e djeshme të televizionin Alsat M për zhvillimin e takimeve mes grupeve negociuese të VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së të udhëhequra nga liderët Nikolla Gruevski dhe Zoran Zaev dhe se këto takime në nivele të ndryshme do të vazhdojnë deri në fund të javës.
“Sikurse edhe ditët e mëparshme, duke filluar nga e hëna, ekzistojnë takime të të gjitha niveleve të mundshme, ku jam i kyçur edhe unë si kryetar, është i kyçur edhe Nikolla Gruevski. Në gjitha nivelet e mundshme, me qëllim përfundimtar gjetjen e zgjidhjes përmes dialogut”, tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.
Zaev nuk i konfirmoi detajet e propozimeve rreth të cilave po bisedohet, por theksoi se në këto bisedime ka propozime të ndryshme që vijnë nga të dyja partitë, por edhe ndërmjetësuesit ndërkombëtar. Benjamin Arifi