Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, beson se kontesti me Greqinë për çështjen e emrit është në fazën finale, por se zbatimi i marrëveshjes së mundshme do të kalonte nëpër disa procedura deri në realizimin e plotë të saj, që do t’i hapte rrugën anëtarësimit të plotë të Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Zaev, në paraqitjen para medieve me rastin e një vjetorit të formimit të qeverisë, tha se deri në fund të javës do të bisedojë me kryeministrin grek, Aleksis Tsipras për të konfirmuar kornizën e marrëveshjes për përmbajtjen e të cilës opinioni është i njoftuar nga burime jozyrtare.
Kryeministri, thotë se marrëveshja forcon identitetin maqedonas dhe paprekshmërinë e gjuhës maqedonase, për të cilat edhe janë paraqitur reagimet më të mëdha në opinionin maqedonas se me lëshimet eventuale këto dy gjëra mund të rrezikohen.
“Asnjëherë nuk kemi qenë më afër zgjidhjes ndërsa miqësia mes dy vendeve dhe dy popujve asnjëherë nuk ka qenë më e madhe. Gjuha maqedonase është konfirmuar sikur edhe identiteti jonë. Kjo çështje nuk është e lehtë, por Maqedonisë i duhet lidership që të ec përpara dhe jo vetëm të thuhen fjalë boshe”.
“Ende nuk kemi një emër konkret…këtyre ditëve do të bisedojë me kryeministrin grek, Tsipras… kjo mund të ndodhë deri të premten për të vërtetuar kornizën e arritur”, ka deklaruar kryeministri Zaev, pa saktësuar nëse si propozim i fundit për emrin është “Republika Maqedonia e Veriut”, por në anën tjetër ka konfirmuar se zgjidhja përfundimtar duhet të vërtetohet në referendum ndërsa paraprakisht Kuvendi i Maqedonisë duhet t’i jep mbështetje marrëveshjes me një shumicë të thjeshtë të votave, por që nuk do të nënkuptonte zgjidhjen përfundimtare të problemit.
“Ratifikimi duhet të bëhet para referendumit që të mund Greqia t’i dërgojë letër NATO-s për të marr ftesën për anëtarësim…ratifikimi i marrëveshjes nënkupton mbështetje për atë që kanë arritur dy qeveritë dhe unë besoj se do të gjejë një mbështetje të madhe në Kuvend, pra edhe nga opozita. Por, të gjithë duhet ta dinë se fjala e fundit do të thuhet në referendum andaj të gjithë qëndrojmë pas këtij detyrimi. Fundi i shtatorit apo fillimi i tetorit mendoj se do të ishte koha e përshtatshme, por për këtë duhet të merremi vesh”, ka deklaruar Zaev.
Duke komentuar kritikat e presidentit, Gjorge Ivanov për mungesë të transparencës, Zaev tha se kreu i shtetit gjatë ditës do të njoftohet me detajet e bisedimeve nga shefi i diplomacisë, Nikolla Dimitrov, i cili të mërkurën është kthyer nga vizita në Bruksel.
Nga ana tjetër, edhe kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras, ka theksuar nevojën e vazhdimit të bisedimeve për arritjen e një zgjidhjeje të pranueshme pavarësisht reagimet në skenën politike.
Tsipras, siç transmetojnë mediat, ka deklaruar se “perspektiva e zgjidhjes së problemit qëndron në vendimet të vështira, por të domosdoshme me ish republikën jugosllave të Maqedonisë”.
“Në këto negociata ne vazhdojmë të udhëhiqemi me ndjenjën e përgjegjësisë dhe patriotizmit. Por, edhe me vendosmërinë dhe besimin për gjetjen e zgjidhjes…këtë ne tentojmë ta bëjmë, duke punuar për zgjidhje, pasi besojmë se mund të kthejmë pozicionin udhëheqës të vendit në Ballkan, kjo do të kishte pasoja pozitive, jo vetëm në planin gjeopolitik, por edhe në sferën e ekonomisë duke krijuar një dinamikë të re për zhvillimin e rajonit, të Ballkanit, një perspektivë të re të bashkëpunimit mes shteteve…”, ka deklaruar Tsipras në një manifestim afaristësh në Athinë.
Situata me fatin e bisedimeve pritet të qartësohet pas publikimit të detajeve të marrëveshjes që ende po mbahet në fshehtësi, e për të cilën pritet të ketë një qëndrim të qartë opozita maqedonase e cila deri më tani ka kundërshtuar çdo zgjidhje që parasheh ndryshimin e kushtetutës dhe heqje dorë nga identiteti dhe gjuha maqedonase. (rel)