Lideri i LSDM-së opozitare, Zoran Zaev paralajmëroi veprime më radikale të opozitës nëse deri në fund të muajit nuk arrihet ndonjë marrëveshje për zgjidhjen e krizës. Në emisionin 360 gradë, Zaev sqaroi se veprimet radikale nuk kanë karakter të dhunës, por do të jenë vetëm një ndryshim i veprimit që përsëri do të jetë me karakter paqësor.
‘Qëllimi për Maqedoni pozitive nuk arrihet përmes hapave radikal në kuptim të ballafaqimit me policinë ose gjëra të ngjashme. Ne mendojmë në hapa më ndryshe dhe më dramatike se kampi. Absolutisht në atë aspekt e mendojmë. Organizatat joqeveritare dinë të përdorin edhe fjalën radikal dhe të ngjashme, gjithçka është e hapur dhe personalisht unë dhe partia ime mendojmë se nuk guxon të ketë dhunë. Gjithçka duhet të arrihet përmes mënyrës së qetë dhe natyrore’, tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.
Zaev akuzoi partnerin shqiptar të Gruevskit kreun e BDI-së Ali Ahmetin se po luan lojë të dyfishtë duke thënë se në Bruksel Ahmeti ishte kërcënuar se nëse dështojnë bisedimet ai do ta braktisë Qeverinë dhe kështu do të shkaktojë zgjedhje të parakohshme.
‘Nëse sot nuk arrijmë marrëveshje unë nesër do të thërras organet partiake dhe do të marr vendim që të dal nga Qeveria a me këtë Gruevski do të jetë i detyruar të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Këtë e thotë Ali Ahmeti i cili mundohet të paraqitet si neutral. Haptazi të thotë, Zaev merru vesh sepse do të ballafaqohesh me zgjedhje. Ja u kthyem në Maqedoni dhe nuk ka vendim për të dalë nga Qeveria. Duhet të dalin dhe unë i nxis për një veprim të këtillë. Përse them se BDI duhet të dalë nga Qeveria nëse nuk i barazojmë atë dhe kreun e VMRO-DPMNE-së, tërësisht e inkriminuar. Pra edhe një pjesë e BDI-së janë tërësisht të inkriminuar, ne publikuam disa argument dhe bomba edhe për ata. Nëse BDI del nga Qeveria atëherë Gruevski nuk ka shumicë dhe përderisa nuk ka shumicë, kush do ta shpërbënte Kuvendin për të shkuar në zgjedhje të parakohshme?’, shtoi Zaev.
Zaev tha se Marrëveshja e Ohrit ka shpëtuar shtetin e Maqedonisë andaj sipas tij ky dokument është i rëndësishëm edhe për maqedonasit. Ai madje propozoi që në krye të sekretariatit në të ardhmen të jetë një maqedonas.
‘Përse deri më tani nuk ka një maqedonas që do ta implementojë Marrëveshjen e Ohrit? Prej nga ky obligim politikanëve shqiptarë për marrëveshjen e Ohrit, jo maqedonas do ta implementoj. Ai është një detyrim i përbashkët nga viti 2001 dhe kjo marrëveshje kornizë është ajo që shpëtoi Maqedoninë në vitin 2001, ajo ka shpirt. Duhet të dalim jashtë kornizave të asaj marrëveshje dhe të bëjmë diçka më shumë dhe në mënyrë më të sinqertë për të gjithë ne qytetarët e Maqedonisë. Vetëm kështu do të kemi një vend të respektueshëm’, tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së
Ai tha se gjatë bisedimeve në Bruksel kishte pasur tentim për të hapur edhe temën e amnistisë të cilën Zaev thotë se e kishte kundërshtuar menjëherë, ndërsa u shpreh se do ta refuzojë sa herë që ti propozohet. Arben Zeqiri