Zgjedhjet vendore në Maqedoni, fushata në Gostivar

gvKëtë të dielë në Maqedoni mbahen zgjedhjet vendore. Kandidatët për kryetar të komunës së Gostivarit folën me Zërin e Amerikës mbi planet e tyre për zgjidhjen e problemeve me të cilat ndeshen banorët e këtij qyteti.

Nevzat Bejta është kandidat i Bashkimit Demokratik për Integrim dhe ai garon për një mandat të dytë katërvjeçar për kryetar të komunës së Gostivarit. Ndërkaq, Arben Taravari i Aleancës për Shqiptarët aktualisht ministër i Shëndetësisë, synon ta lërë postin e pushtetit ekzekutiv nëse fiton zgjedhjet e 15 tetorit në Gostivar.

Qyteti ka një problem jo të vogël; është deponia e mbeturinave që shkakton frikë tek banorët nga rreziku e përhapjes së sëmundjeve kancerogjene. Garuesit kanë planet e tyre për zgjidhje.

Zoti Bejta thotë se ai dhe ekipi i tij kanë bërë shumë për Gostvarin.

“Gostivari ka qenë një fshat i madh, ne e kemi shndërruar në një qytet të bukur. Ne atë që e kemi pemtuar në mandatin e kaluar e kemi realizuar njëqind për qind. Na ka ngelur ajo më kryesorja që është shumë e rëndësishme: menaxhimi me mbetjet komunale dhe dhënia me koncesion e deponisë rajonale Rusino dhe nëse në këtë mandat qeveria dhe ministria e Ekologjisë nuk e bën, ne do të kërkojmë që të ndryshohet ligji dhe brenda gjashtë muajsh ose një viti ne do ta zgjidhim problemin e deponisë rajonale”, thotë zoti Bejta.

Ndërkaq zoti Taravari thotë se Gostivari nuk ka një por “një mijë probleme”.

“Deponia ishte një premtim i kryetarit aktual të komunës dhe ajo nuk u rregullua. Ne si udhëheqje e ardhshme e këtij qyteti premtojmë se shumë shpejtë do ta nisim procesin e rregullimit të deponisë dhe atë në bashkëpunim me ministrinë e Ekologjisë dhe me qeverinë që kjo hapësirë që quhet Rusino në Gostivar t’i jepet me koncesion një investitori të brendshëm ose të jashtëm që do ta bëjë reciklimin e mbeturinave të Gostivarit. Normalisht, kanë ardhur shumë investitorë, por pasi janë takuar me kryretarin aktual të Gostivarit, kanë ikur”,thotë z. Taravari.

Qyteti me mbi 80 mijë banorë përballet edhe me problemin e parkingut, ndërsa kandidatët akuzojnë kryetarin aktual Bejta për një lloj instalimi të “mafias urbane” për sa i përket çështjes së ndërtimeve në qytet. Ndërkaq, ai i hedh poshtë akuzat.

“Kundërkandidatët e partive të ndryshme nuk kanë njohuri për qeverisjen lokale dhe një pjesë e tyre as nuk jetojnë në Gostivar dhe nuk e dinë qytetin e Gostivarit dhe hallet e problemet e qytetarëve. Ne kur kemi ardhur në krye të komunës e kemi gjetur atë pa Plan të Përgjithshëm dhe punën e parë që kemi bërë, kemi miratuar Planin dhe pastaj kemi bërë miratimin e planeve të detajizuara urbanistike dhe për vendbanimet më të mëdha kemi miratuar aktet e përgjithshme urbanistike. U kemi krijuar kushte të mira qytetarëve, si vendorë poashtu edhe nga jashtë dhe investimet kanë qenë shumë të mëdha. Vetëm në mandatin e shkuar janë ndërtuar mbi pesëdhjetë banesa kolektive, fabrika dhe qendra tregtare dhe me këtë e kemi ngritur ekonominë dhe e kemi ulur shkallën e papunësisë”, thotë z. Bejta.

Një tjetër çështje është ajo e ujit të pijshëm.

“Tash kemi rezultate të Institutit për Shëndet Pubik të Maqedonisë që tregojnë se uji i Gostivarit nuk është i pijshëm. Dua të them se gostivarasit pinë ujë të pafiltruar. Si rrallë ndonjë qytet në botë”, thotë z.Taravari.

Por, zoti Bejta thekson se problemi me ujin është zgjidhur dhe falënderon qeverinë zvicerane që ka ndarë 9 milion e 200 mijë franka dhe qeverinë gjermane për rreth 7 milionë euro.

“Kemi filluar fazën e parë dhe para 3-4 ditëve është hapur tenderi për ndërrimin e gypit kryesor nga burimi deri në hyrje të qytetit. Kanë filluar të ndërtohen rezervuaret për qytetin e Gostivarit, i pari ndërtohet midis Ravenit dhe Vërtokut, ndërsa i dyti në Zdunjë, i treti në Bajnicë dhe i katërti në Çegran dhe do të ndërrohet i gjithë rrjeti i ujësellësit”, thekson Nevzat Bejta.

“Gostivari është një prej qyteteve lider në Maqedoni i cili ka numrin më të madh të njerëzve të sëmurë prej kanceri. Një prej arësyeve kryesore, janë gypat prej azbestit dhe ndotja e ajrit”, thekson Arben Taravari.

Garuesit premtojnë investime të huaja; rregullimin e infrastrukturës rrugore dhe në përgjithësi realizimin e kushteve më të mira për banorët e Gostivarit me rrethinë, qoftë përmes fondeve qeveritare apo investimeve të huaja.

“Gostivari ka kapacitete të jashtëzakonshme si rajon. Këtu ka pasur shumë njerëz të cilët kanë qenë të intersuar, por kanë ikur. Dua të theksoj se Gostivari nuk ka jetë sportive, për fat të keqë as jetë kulturore. Është një prej qyteteve të rralla ku nuk ka një teatër as leximore për nxënësit e as një qendër sportive-rekreative”, thotë kandidati i Aleancës, Arben Taravri.

Por, Nevzat Bejta i Bashkimit Demokratik për Integrim thotë se në programin e tij zgjedhor janë parashikuar 245 projekte, ndërsa shpreson se puna do të shkojë sikur edhe gjatë mandatit të kaluar dhe të realizohen shumë më tepër projekte.

“Kemi paraparë investime të mëdha në infrastrukturë, qoftë në asfaltim, kanalizim, në arsim, kulturë e sport”, thotë ai.

Partitë e kandidatëve Bejta dhe Taravari janë partnere në qeveri, ndërsa kanë ashpërsuar retorikën parazgjedhore, por dy garuesit shprehen të kënaqur me qetësinë siç thonë ata, që po mbretëron në fushatë. (voa)

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>