Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi shpalli sot zyrtarisht mbajtjen e zgjedhjeve vendore më 17 tetor.
Zoti Xhaferi tha se gjatë fushatës, parlamenti i vendit nuk do të mbajë seanca plenare dhe të komisioneve. “Në këtë mënyrë do t’u mundësohet partive politike dhe kandidatëve të tyre që t’i përkushtohen tërësisht fushatës zgjedhore dhe kërkesave të qytetarëve, duke shmangur mundësinë e përdorimit të parlamentit për fushatë”, tha ai.
Lidhja Social Demokrate ka arritur marrëveshje me partitë shqiptare në pushtet që të dalin në koalicion në zgjdhje, përkatësisht që ta mbështesin garuesin e partisë partnere në një komunë gjatë raundit të dytë, apo atje ku nuk garojnë me kandidatin e tyre. Por, kjo nuk vlen për partitë shqiptare midis tyre.
VMRO-ja e opozitës maqedonase ka paralajmëruar se do të garojë me kandidatë të rinj të cilët sipas partisë, “kanë se çfarë të ofrojnë”. Ndërkohë, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa pritet të dalin në koalicion.
Partitë e mëdha janë duke shikuar mundësinë e ndryshimit të Kodit zgjedhor që nuk i favorizon partitë e vogla dhe kandidatët e pavarur, por ky synim është kundërshtuar nga OSBE-ja, e cila nuk dëshiron ndryshime të Kodit në prag të zgedhjeve, teksa Presidenti maqedonas Stevo Pendarovski ka paralajmëruar se nuk do ta nënshkruante eventualisht një vendim të këtillë të Parlamentit.
Garat do të zhvillohen për kryetarë të 80 komunave dhe për qytetin e Shkupit, si njësi e veçantë administrative dhe për anëtarët e Këshillave Komunalë. Për herë të parë në këtë proces do të përdoret skaneri për shenjat e gishtave.
voa