Banorët e rrethinave të Manastirit, Kumanovës, Pehçevës, Strumicës dhe Shtipit në lindje të Maqedonisë së Veriut të enjten po përballen me stuhitë e zjarrit.
Një grua rezulton e zhdukur në fshatin Çellopek të komunës së Staro Nagoriçanit pranë Kumanovës; Sipas banorëve, ajo ishte përpjekur të fshihej nga zjarri që kishte përfshirë një natë më parë oborrin dhe shtëpinë ku banonte. Megjithatë, autoritetet policore ende nuk e kanë konfirmuar nëse gruaja është viktima e parë e zjarrit.
Qeveria ka shpallur gjendje të krizës në të gjithë territorin e vendit dhe kjo do të zgjasë për tridhjetë ditë. Qeveria i kërkon presidentit që të urdhërojë një pjesë të ushtrisë që të përfshihet në ballafaqimin me situatën e zjarrit, ndërkohë që institucionet e tjera t’i lënë në dispozicion të gjitha kapacitetet dhe burimet e tyre në këtë gjendje të krizës për shkak të zjarreve.
Zëvendës-Kryeministri Artan Grubi u tha gazetarëve se tetëdhjetë për qind e vatrave të zjarrit ishin vënë qëllimisht, por pa dhënë hollësi të tjera.
Këto zjarre kanë vënë në dukje mungesën e kapacitetit të autoriteteve qeveritare për t’u përballur me situata të këtilla, teksa dy a tre helikopterë të policisë dhe ushtrisë të papërgatitur mirë, nuk kanë mjaftuar për shuarjen e flakëve në shumicën e vatrave. Thirrjes së qeverisë në Shkup i janë përgjigjur pozitivisht autoritetet e vendeve fqinje: Serbia ka dërguar tre helikopterë, Bullgaria zjarrfikës me automjete përkatëse, ndërkohë që nga Sllovenia sot kanë mbërritur ekipe me 16 automjete dhe 46 zjarrfikësa. Edhe Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se do të dërgojë ndihmë për shuarjen e zjarreve në Maqedoninë e Veriut.
Dëmet janë të konsiderueshme dhe ende të pavlerësuara por qindra hektarë pyje, shkurre, të mbjella e dhjetra bagëti të imëta e të mëdha, ferma e shtëpi rezultojnë të djegura.
voa