Në një Kasaba të vogël, që lumi e ndante përgjysmë, me fusha të gjera pjellore, rreth e përqark me male të larta, që sikur donin të mbronin Kasabanë nga rreziqet e jashtme, lindi Bekimi.
Fatkeqësisht vetë malet e larta, nuk ia dolën që ta mbronin popullsinë nga sundimet e huaja, popullata e ngratë, nuk arriti ta shijojë dhe vlerësojë lirinë, por nga pushtuesit të cilët, sa po ikte njëra –vjente tjetra, u mësua, se po e pe punën tënde dhe po qe se nuk përzihesh në punët e Hyqymetit, nuk të zë “taksirati” edhe populli i shkretë sikur u adaptua që me sundimet të bashkëjetonte dhe ishte i kënaqur, kur sunduesi ri ishte pak më i mirë se ai i kaluari, pra edhe Bekimi në këto kushte u rrit, ai ishte një djalë i edukuar, i respektonte prindërit e tij, ishte një besimtar i devotshëm dhe ishte shembullor në shkollë, prindërit e shkollonin sepse donin të bëhej një njeri i ditur dhe të kishte fatin vetë në duart e tij. Me kalimin e viteve edhe Bekimi i kaloi të gjitha shkallët e shkollimit, por edhe nuk ishte nga ata që nuk kuptonte dhe nuk i përjetonte padrejtësitë që bëheshin në rrethin e tij, përkundrazi në çajtore kur takohej me shokët e tij, shpesh edhe revoltohej, nuk i duronte padrejtësitë, veçanarisht jo ndaj tij, por nuk ishte i natyrës që mund ti kundërvihej, e ulte kokën dhe shihte punën e tij, ashtu si që e kishin edukuar prindërit e tij, falë këtyre tipareve edhe gjeti një punë, pas një kohe edhe u martua, u bekua edhe me fëmijë, hapi edhe biznesin e tij, punonte shumë, dhe bënte çmos që të fitonte ai dhe familja e tij dhe nuk ishte çudi që pas një kohe edhe bëri shumë pasuri, ishte falemenderues ndaj Zotit, këtë e dëshmonte duke vizituar xhaminë rregullisht. Natyrisht, me kalimin e viteve, erdhi edhe koha që të largohej nga kjo botë, familja dhe miqtë e tij, të pikëlluar ia bënë të gjitha ceremonitë mortore sipas religjionit.
Pas vdekjes, erdhi edhe koha e gjykimit, gjegjësisht të vlerësimit të veprave dhe jetës së Bekimit, një Engjëll/Melaqe i lexonte veprat e jetës së Bekimit ndërsa Zoti i madhërishëm dëgjonte:
-Bekimi është martuar, ka krijuar familje, ka lindur 5 pasardhës, i ka ushqyer, i ka rritur dhe u ka siguruar strehim, është kujdesur për ta që të jenë të pavarur…
-Nuk i ka bë dëm asnjë njeriu dhe ka pa punën e tij…
-Xhaminë e ka frekuentuar rregullisht …
Çfarë vlerësimi meriton ky njeri, krijuesi ynë i madhërishëm?
Ky, qenka një njeri i mirë! Por, sikur nuk paska ndonjë dallim nga Miu, Zogu, Macja, Qeni…
Pse, Zoti i madhërishëm?
Sepse edhe këta krijojnë familje, lejnë pasardhës, kujdesen për të vegjlit e tyre, i ushqejnë, i strehojnë, i rrisin, kujdesen deri sa të jenë të pavarur, janë tipare që të gjitha gjallesat në tokë i kanë…
Po njeriun, unë nuk e krijova që të kujdeset vetëm për veten e tij dhe për familjen e tij, atij i dhurova mend, që të mund të ndihmojë, jo vetëm duke ushtruar profesionin e tij, por duke kontribuar edhe për shoqërinë më gjërë, për rrethin, për lagjen, Kasabanë, Popullin e tij, po edhe mbarë njerëzimin, prandaj e krijova njeriun …
Zoti e mëshiroftë Bekimin!
(Frymëzuar nga F.F., nga një krahasim të qëlluar të njeriut me kafshët)